Sprova e re për Altin Bashën: Ja si do ta bëj Teatrin Kombëtar…

Në krye të Teatrit Kombëtar, prej fundvitit që lamë pas, pas menaxhimit të ndërprerë të “Eksperimentalit”, regjisori Altin Basha rrëfen ndryshimet që do të pësojë kjo skenë, në produksione, staf e financim.

Synimi i tij është rigjallërimi i i skenës dhe rritja e cilësisë së shfaqjeve.

“Jezu Krishti Superstar” me regji të Altin Bashës, e më pas sprova e Adelina Muçës në regji “Të prezantoj babain”, shfaqje e Durrësit. Viti për Teatrin Kombëtar nisi me këto produksione të jashtme.

Dy javët e para të janarit kanë kaluar, ndërsa në sallën e madhe të Arturbinës, po përgatitet dekori, për rivënien e shfaqjes “Edmond”. Pas saj radhën do ta ketë “Ferma e Kafshëve” e Orwell.

Altin Basha, nga drejtues i Teatrit Eksperimental prej funddhjetorit që lamë pas, drejton sallën ngjitur, Teatrin Kombëtar. Planifikon ta rigjallërojë këtë skenë, ndërsa rrëfen shtyllat ku do të mbështesë vizionin e tij.

“Disa nga pikat kryesore lidhen me dramën shqipe, fokusin ndaj saj. Teatri Kombëtar i gjithë Shqipërisë, që do të thotë dalja e teatrit shqiptar nga adresa e tij fikse dhe hapja e shfaqjeve në të gjithë Shqipërinë, por edhe e bashkëprodhimeve me teatrot e rretheve, institucionalizimi i kësaj pike, si dhe ndërkombëtarizimi i teatrit shqiptar”, shprehet drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha.

Rrëfen se do të tentojë të rrisë nivelin, estetikën, dhe të sjellë edhe një fllad të produksioneve të huaja. Në pritje të miratimit të emrave të propozuar për bord Teatri, e kalim të buxhetit të përcaktuar, puna ka nisur.

“Kemi bërë thirrjen për projekte dhe jemi gati për vendimmarrjen në momentin më të parë të mundshëm.

Në mars gjithashtu kemi një aktivitet shumë të rëndësishëm, që është pritja e premierave të teatrit të Prishtinës. Po ashtu synojmë që të çojmë atje edhe premierat tona”, thotë më tej regjisori.

Krahas shkëmbimeve skenike brenda vendit, trupa në vizionin e Bashës, do të provojë të jap shfaqje edhe në diasporë, e më tej.

“Patjetër që synimi ynë madhor është ai, por për këtë së pari duhet të krijojmë vepra në bashkëpunim me artistë ndërkombëtarë”, shprehet ai.

Basha tregon se buxheti vjetor i përcaktuar s’do të mjaftonte për përmbushjen e platformës së tij.

“Shpresoj dhe besoj që do të krijojmë edhe burime alternative”, shprehet ai.

Ende mbetet aktive, kërkesa e trupës së Teatrit Kombëtar për rritje të pagave, por a do t’i mbështeste Basha aktorët, në ripërpjekjet e mundshme të tyre.

“Ne do të donim që stafi teknik dhe administrata e Teatrit Kombëtar të kishte më shumë burime njerëzore, në mënyrë që të përballojmë të gjithë këtë dinamikë që dëshirojmë të rrisim.

Nga ana tjetër trupa e Teatrit Kombëtar do të jetë më aktive në skenën e Teatrit Kombëtar dhe sigurisht do të jetë e hapur skena e Teatrit Kombëtar për audicione, artistë të rinj, të cilët sigurisht do të hyjnë dhe do të provojnë me role dhe kontrata të përkohshme.

Të provojnë talentin e tyre në skenën e Teatrit Kombëtar, sigurisht sipas nevojës së shfaqjeve tona. Teatri Kombëtar nuk mund të jetë një vend ku aktori rri pa punuar, nuk është një status i përjetshëm.

Aktori do të duhet ta provojë aftësinë dhe talentin e tij në skenën e Teatrit Kombëtar. Nëse jo atëherë do të duhet t’ia lërë vendin një aktori tjetër, i cili është më i kërkuar në treg”, shpjegon më tej.

Afrimin e një publiku më të gjerë, me skenën e Arturbinës, nuk e favorizon as pozicioni e as kushtet, por ndërkaq tullat e para për të ndërtuar një teatër ku ishte, por jo siç ishte, u vunë në praninë e disa artistëve…

“Ai proces shpresoj që nuk do ndali dhe nuk do të vonojë se bolle jemi vonuar, dhe padyshim që ngritja e Teatrit të ri Kombëtar do të dojë kohën e vet… ndërkohë ne nuk mund të rrimë të presim, do të vijojmë punën në Arturbina”, thotë regjisori./shqiptarja.com

ObserverKult


Altin Basha

Lexo edhe:

ALTIN BASHA EMËROHET DREJTORI I TEATRIT KOMBËTAR

Altin Basha është drejtori i ri i Teatrit Kombëtar në Shqipëri. Vendimi u komunikua këtë të hënë pas mbledhjes së qeverisë.

Basha mbante deri para pak ditësh postin e drejtorit të “Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli”. Këtë detyrë e mori vetëm një vit më parë, pasi mbaroi mandati i Kiço Londos për të qenë në krye të skenës eksperimentale.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult