
Doli nga shtypi libri “Mund të jetë si në fillimet e kohëve”, i autorit Ndue Ukaj, botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri” në Tiranë.
Këtë e bëri të ditur vetë autori i librit.
“Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin se Shtëpia Botuese ‘Onufri’, ka botuar librin tim më të ri me poezi, ‘Mund të jetë si në fillimet e kohëve'”, tha Ukaj.
Ai falënderoi Anton Berishajn, Elsa Skënderin e Kadia Dedjajn, “që e lexuan dorëshkrimin dhe me vërejtje e sugjerime, e pasuruan atë”, si dhe Bujar e Enxhi Hudhrit, për realizimin e këtij libri.
Në vazhdim ju sjellim një poezi të shkëputur nga ky libër:
“Mund të jetë si në fillimet e kohëve”
Sot është ditë e re dhe mund të jetë
si në fillimet e kohëve.
Qielli është i kthjellët si një stinë e hareshme,
ku rrëshqasin sytë e tu kërkimtarë.
Ti mos lejo askënd ta ngulfatë bulëzimin e zemrës sate.
Qielli është i bukur si një enë e mbushur lumturi
dhe kujto se vetëm zemrat e bulëzuara japin jetë.
Ky mëngjes i bardhë si bora
është çast kur sytë duhet të lirohen
nga imazhet e shkretuara,
nga ëndrrat e zeza
dhe të ecin ditës së re me mendime të reja.
Dhe në një ditë të re
mund të futesh në një kopsht të bukur,
ku gjithçka mund të kthehet në pranverë,
duke ta kujtuar se dielli
përherë gjen të çarat nëpër mjegull
dhe të prek,
dhe të prek butësisht,
dhe të prek ëmbëlsisht,
si duart e një dashurie përvëluese.
Se një ditë e re është njëlloj përsëdytje e krijimit,
ku ti mund të krijosh gjithçka të bukur,
gjithçka të bukur që nuk ka ndodhur kurrë më parë
dhe nuk ka mundësi të përsëritet kurrë më si atë ditë.
ObserverKult
Lexo edhe:






