Poetja Armenida Qyqja vjen në Prishtinë me një vëllim të ri poetik

Libri me poezi i poetes Armenida Qyqja “Mos ma zgjoni Dodonën” posa është botuar nga Shtëpia botuese AGORAPRINT e Prishtinës. Armenida Qyqja, lindur në Tiranë, më 1977 është autore e tetë librave me poezi, dy librave me tregime të shkurtra dhe dy përmbledhje me poezi të botuara në gjuhën angleze. Në vitin 1995, emigroi në Vancourver, British Columbia, Kanada ku dhe jeton edhe sot duke ushtruar profesionin e ndihmës dentistes, ndërkohë që pasioni i saj i vërtetë ka qenë dhe mbetet letërsia.
Librin e posabotuar mund ta gjeni në Panalirin e Librit në Tiranë (12-16 nëntor) si dhe në disa librari të Prishtinës dhe Tiranës

Nga Nexhat REXHA

Kur njeriu meditimin e  brendshëm e sofistikon me dhembjen, misteret e botës ngarendin kah hijet e padukshme nëpër të cilat kalojnë fatet e njerëzimit. Poezia veçon fjalën, si dhe peshon pamjet e dukshme dhe të padukshme. Sintezat poetike krijojnë asocimin brenda tërësisë së artikulimit të  të ndodhurave, ato krijojnë mundësi të shpalosjes së tjetërsuar, duke i dhënë  fuqinë e saj përmes  meditimit, si vlerë dhe si  imazh që depërton në të gjitha  poret e botës së përjetimit.

Në këto  modifikime  artististikja  shtrihet kah e nesërmja, përmes  kompozicionit  në mbarëvjatjen e shkrirjes së kuptimësisë  për t`i dhënë arsyeshmërinë krijimiti artistik.

Poezia e vëllimit ” Mos ma zgjoni Dodonën” të poetes Armenida Qyqja, ka identifikim të  përcaktuar në strehim të admirimit, sepse autorja ka specifikuar pamje në ide të  transformimit, të cilat nuk kanë varshmëri të ngurtësuara, ato krijojnë lidhjet e gjata e në bashkërenditje në parashtrimet e poezisë. Në këto  kompleksiteteꓽ kohësh, ngjarjesh,fatesh, jeta kritalizon ndodhitë  përmes  shkrirjes së kohëve Armenida Qyqja i ka dhënë vargut të saj kompleksitetin  artistik   në shtrirje  të gjata me koherencën e artibutet konstante, të cilat  kanë gravitetin e tyre konkretizues .

Depërtimet jetësore  nëpër shekuj i kanë edhe preokupimet, ndodhitë që krijojnë botën reale, kurse  përmes ndryshimeve  kohore, disa nga këto ndodhi, krijojnë  besuesmëri  për të ndodhurat ,apo  makinacionet që prodhon  diktati i sundimevete  të ndryshme nëpër rrjedhat e  mendimit filozofik.-politik.

Poezitë e këtij vëllimi  kanë depërtime e ruajtje të gjata  mitologjike, të cilat  i japin lexuesit  njohjen dhe kërkimin e  mesazhit, përmes  vargut që i ofron poetja lexuesit të vëmendshëm.

Teksti poetik  brenda  vrojtimit të brendshëm  arrinë në paradigmën e zgjedhur, si intesifikim të  sajur përmes gjakimit të qenësisë reale  në shkrije të botës artistike, me  shkrirje shenjash, brenda parashtrimeve  që lidhin kohët nga  lashtësitë kah e sotmja.

Figurshmëria e zgjedhur ka gërshetime miologjike, duke i përafruar  fatet e njerëzimit më  përjetimit e shfaqjet e skeneva  të njohura, e të përjetuara nga bota moderne.

Atdheu në poezinë e Armenida Qyqes ka tretman të rëndësishëm, sepse skenat e teatrit politk të absurdit, ajo i paraqet përmes akteve të brendshme, për të pëlcitur në vargun e saj, si korrespondim dhe si  pasqyrim i angazhuar në botën e artit.

Në realitet  bota e saj poetike është e pasur me figuracione të dashurisë e dhembjes ,ato krijojnë  bindshëm përspektivën  në fiksion të  dominimit të  ndryshimeve  shoqërore.

Poetja  qartëson  veçoritë dalluese  në realizimet poetike përmes  vizionit  sa unifikues, po aq dhe identifikues, duke i dhënë cilësi  universale  ngjarjeve e  figurave  të zgjedhura  mitike.

 E djeshmja dhe e sotmja   në poezitë e  këtij vëllimi komunikojnë, përemes  paradoksit  të kohëve. Armenida Qyqja, ngjarjet e protagonistët i ka shtirë në horizontin e dukshëm, duke i faktorizuar ditët, bashkë me njeriun e saj, si në vargjetꓽ

Ti e do Tiranën, paradoksin e saj po aq sa unë,

Le të shkunden, le të thyhen ca kujtime,

Askush s’do ta kuptojë, veç meje,

Eja, le të bëjmë dhe ne pak zhurmë…

Vetë jeta ka paradokset e saj  në çdo kohë, e në çdo shoqëri, ato parapërcaktojnë ndryshimet e të ardhmes. Konstatimet, krijojnë vetëdije për shtresat me kritere të peshuara në përcaktimin, ndërtimin, avancimin e njeriut me kredibilitet të arsyeshëm për një botë me perspektivë të qëndrueshme.

Pozicionet  poetike  arrijnë   në plotni të hapësirës  emërtuese, e  në harmonizim të kontekstit   identifikues për të ndihmuar lexuesin në procesin e përkufizimit sa më real dhe atij imagjinativ. 

Në poezinë “Dea”, vargjet kanë shkrirë botën e dhembjeve në dashuri si në vargjetꓽ

……………………………..

Dy mijë vjet kaluan, por nuri s’tu shua,

Sa e madhe paska qenë e jotja dashuri…

……………………………………….

Me ëndrrat qendisur përjetësisht mbi qepalla,

Ti vazhdon jeton të ëmblën dashuri…

Arti në bukuritë e jetës  krijon magjinë, si përjetim i prekshëm, në shtrirje  të teorisë  estetike dhe si i tillë  reflekton në përjetimet e ndërsjellta , të cilat  fuqizojnë mendimin  në botën moderne, përmes trajtesave  bashkëkohore. Në këto kondita  të kordinuara evokimi i poetes Armenida Qyqja   identifikon poezinë e saj me ide e parashtrim në pikëpamje  të ekzistencializmit për të mundur braktisjen e dhembshme, që ajo e ndjen  deri në thellësi.

Autorja në këto lirika, shfaq protestën dhe dashurinë, kurse përmes ndërtimit poetik persiatjet kanë shkrirë botën përtej nesh.Ajo vjen me artikulimin “Mos ma zgjoni Dodonën”, sepse bota e njeriut është e pandalshme, ajo ecën nëpër të gjitha arteriet e trungut kombëtar. Brenda objektit të tërësishëm  Armenida,  i ka dhënë  shpirtin e vetë poezisë.  Shprehjet poetike kanë  dridhjet esenciale të ndërthurura për  dashurinë e kërkuar gjer në pambarim. 

Përgatitja për botim e këtij vëllimi poetik nga Shtëpia botuese AGORAPRINT, i jep zë një individualiteti letrar, me gjithë kreativitetin dhe kompleksitetin që mbart në vetvete bota krijuese e kësaj poeteje.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARMENIDA QYQJA: NË GJUHËN SHQIPE DASHURIA DHE DHEMBJA FLASIN MË ËMBËL…