Një mbrëmje me “Kapedanin”, klasiku që bashkon brezat në Kino Armata

Më 12 nëntor, nga ora 19:00, në Kino Armata do të shfaqet filmi klasik shqiptar “Kapedani”, si pjesë e ciklit “Netët e Filmit Shqiptar”.
Ky program kulturor zhvillohet në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, me synim promovimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare për publikun kosovar.

“Kapedani” mbetet një nga filmat më të dashur të kinemasë shqiptare. Historia e Sulos, luftëtarit me mustaqe të bardha që përpiqet të kuptojë pse gratë po fitojnë të njëjtat të drejta si burrat, është kthyer në simbol të një epoke të artë të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Filmi spikat për trajtimin e guximshëm dhe me humor të temës së ndryshimeve shoqërore, duke u dalluar nga prodhimet e tjera të kohës, shpesh të mbërthyera nga kufizimet ideologjike. Me një përzierje të rrallë ironisë, realizmit dhe fantazisë, “Kapedani” hapet me skenën tashmë ikonike ku protagonisti përballet me armiqtë historikë të Shqipërisë, nga osmanët te nazistët — në një betejë imagjinare plot ngjyra e simbolikë.

Vepra mbetet një dëshmi e çmuar e historisë kulturore shqiptare, e cila për shkak të izolimit politik për shumë vite nuk mori vlerësimin që meritonte jashtë vendit.
Sot, me versionin e restauruar në 4K dhe titra në disa gjuhë të huaja, “Kapedani” po rikthehet si një kryevepër e kinemasë së Europës Lindore.

Restaurimi digjital u realizua në kuadër të projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një iniciativë e Association des Cinémathèques Européennes (ACE), me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA. Procesi u krye nga DABIMUS srl, një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Filmi është realizuar nga regjisorët Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo, me skenar të Skënder Plasarit dhe muzikë të Tahsim Hoshafit.
Në rolet kryesore interpretojnë mjeshtërisht Albert Verria, Nikolin Xhoja, Flora Mërtiri, Robert Ndrenika, Reshat Arbana dhe shumë aktorë të tjerë të njohur të kinemasë shqiptare.

ObserverKult