Maxhun Osmanaj: Kur më viziton nana pasdarke

Nana, shpesh s’më lë vetëm
Si në heshtje pa zhurmë më vjen pasdarke
Ulur në stolin e kujtimeve
Rrimë deri vonë përmallshëm
Tjerrim kohën, vitet, varfërinë…
Dhe bukurinë e jetës që e deshëm
Ia marr pak kohë për këshilla
S’priton për asgjë për ndihmë
Edhe pse e lodhur me supe të kërrusura
Ajo thur çorapë t’fëmijërisë për mua
Dhe çantën e shkollës fillore
-“Kryej detyrat e shkollës, djali jem!
Se të dënon mësuesja
Rritu, banu djalë i mirë!
Dhe nesër burrë i ndershëm
Se unë po shkoj të flej shlirshëm
Ti rri edhe pak, kryej do detyra
Se nëse nuk i mbaron
Të dënon nesër jeta, koha…
Ne do të takohemi përsëri…”
Desha t’i kthej përgjigje zërit dhe fytyrës
Nana ime kishte ikur fshehtas pa zhurmë
Me një buzëqeshje plot dritë
Nuk di kur shkova n’gjumë
Malli m’i kishte mbyllur të dy sytë.

ObserverKult


Lexo edhe:

MAXHUN OSMANAJ: PISHËN, E NDEZ VETË