Poetika e kujtesës së Ismail Sylës: Kur harresa nuk lejohet

«Ëndërr në zarf», botoi ARTINI, Prishtinë, 2025

Nga Isuf Sherifi

Libri poetik «Ëndërr në zarf» i Ismail Sylës është një vepër që ndërtohet mbi dhimbjen kolektive të luftës në Kosovë dhe mbi nevojën morale për të mos e lënë atë dhimbje të zhduket në harresë. Kjo përmbledhje nuk synon vetëm shprehjen estetike të traumës, por shndërrohet në një akt dëshmie, ku poezia merr rolin e kujtesës historike dhe njerëzore. Çdo tekst funksionon si një fragment i një mozaiku të madh, mundësia e jetëve njerëzore bëhet prani e vazhdueshme.
Që në fillim të librit, poeti e rrëzon gjuhën zyrtare dhe dokumentare përmes vargut tejet të thjeshtë, por tronditës. Në poezinë «Bunar, varr prej uji» ai shkruan:

«Në një dokument shkruhej
«Të vrarë pa varr»,
Kjo nuk është e vëretë.
Ky është varr.
Vetëm se nuk ka gur mbi të – ka ujë.»

Ky fragment e vendos qartë qëndrimin etik të autorit: varri nuk është vetëm ai që shndërrohet në gur, por edhe ai që fshihet nën ujë, nën tokë, nën heshtje. Bunari, që tradicionalisht lidhet me jetën, këtu shndërrohet në simbol të vdekjes dhe krimit, duke bartur brenda vetes trupat dhe zërat e atyre që nuk u lanë të varrosen si njerëz.

Në shumë poezi të ciklit «Plagë që barri si mbulon », Syla e thellon idenë se dhimbja nuk zhduket me kalimin e kohës. Në poezinë «Më thellë se harresa», një dialog i shkurtër mes brezave e shpreh këtë qartazi:

«Mbylle po deshe, por mos harro,
ata janë më thellë se harresa.»

Këtu poeti e shndërron harresën në një akt të rrezikshëm moral. Edhe nëse vendi mbyllet fizikisht, kujtesa nuk mund të burgoset pa pasoja. Bunari mbetet i hapur jo si hapësirë fizike, por si plagë shpirtërore e shoqërisë.

Një element i rëndësishëm i librit është përdorimi i objekteve të zakonshme si bartëse të kujtesës. Në poezinë « Kova e fundit », një send i thjeshtë shndërrohet në dëshmi të mungesës :

« Ka qenë e fundit që zbriti në bunar,
dhe u kthye gojëhapur
pa asgjë.»


Kova «gojëhapur» nuk është vetëm objekt, por metaforë e pritjes së zhgënjyer dhe e pyetjes pa përgjigje. Ajo zbret për ujë, por kthehet bosh – ashtu si familjarët që kërkojnë trupat e të dashurve të tyre dhe kthehen me heshtje.
Zëri i nënës është ndër më të fuqishmit në gjithë librin. Në poezinë «Nëna dhe ekspertët», përplasja mes shkencës dhe dashurisë amnore shfaqet në mënyrë prekëse:

«Erdhën ekspertë me dorëza.
Folën për ADN.
Por nëna u tha:
Mjafton ta thërisni në emër:
Nëse kthehet, është im bir.»

Ky fragment tregon se për nënën, identiteti nuk është çështje analize laboratorike, por lidhje shpirtërore. Emri bëhet këtu forma më e lartë e njohjes dhe e rezistencës ndaj zhdukjes.
Titulli i librit merr kuptim të plotë në poezinë «Ëndërr në zarf», ku një dokument shkolle, simbol i së ardhmes, mbetet i pashfrytëzuar:

«E mori letrën nga shkolla.
U pranua për studime.
Nëna e ruan si shenjë fati
Që nuk ndodhi.
Një ëndërr e mbetur në zarf.»

Këtu «zarfi» simbolizon jetën e ndërprerë dhe mundësitë e humbura. Ëndrra nuk është shkatërruar, por ka mbetur e mbyllur, pa destinacion, duke rënduar edhe më shumë dhimbjen e atyre që presin.

Në ciklin «Kova – histori në katër akte» poeti e çon kritikën edhe drejt mënyrës se si shoqëria e institucionalizon kujtesën. Në poezinë «Në muze», ai shkruan;

«E vendosën në xham
Me ndriçim të butë…
Dhe shkruan:
Përdorëse e jetës së përditshme në fshat.
Asgjë për krismat.
Asgjë për trupat.
Asgjë për bunarin.»

Ky fragment ironizon mënyrën se si objektet e dhimbjes pastrohen nga kuptimi i tyre ideal dhe shndërrohen në ekspozita të heshtura. Muzeu këtu nuk ruan të vërtetën, por e zbut atë, duke rrezikuar ta kthejë tragjedinë në dekor.

Në pjesën përmbyllëse, «Duart që bien erë dhé», poezia merr formën e një memoriali. Emrat përmenden një nga një, pa zbukurime, sepse vetë emri është akt kujtese. Në epilog, poeti e përmbledh gjithë filozofinë e librit:

«Bari s`ka guxim të rritet.
Toka ka frikë ta mbulojë
Dhimbejn me të gjelbrën.»

Kjo metaforë tregon se dhimbja është aq e rëndë, sa edhe natyra heziton ta fshehë. Harresa nuk vjen natyrshëm; ajo kërkon dhunë, mohim dhe heshtje të qëllimshme. Pikërisht, këto poezi e bëjnë rrezistencën poetike, kundër dhunës politike, mohimit absurd dhe heshtjes vrasëse.
«Ëndërr në zarf» është një vepër ku poezia shndërrohet në formë përgjegjësie morale. Ismail Syla nuk kërkon të ngushëllojë lexuesin, por ta zgjojë atë. Përmes fragmenteve të shkurtra, gjuhës së zhveshur dhe simbolikës së fuqishme, ai dëshmon se kujtesa nuk është zgjedhje estetike, por detyrim njerëzor. Ky libër mbetet një thirrje e qartë: ajo që nuk u varros me tokë, nuk guxon të mbulohet me harresë.
Në këtë vepër poetike, Syla nuk shkruan – ai dëshmon. “Ëndërr në zarf” është më shumë se poezi: është arkivi shpirtëror i humbjeve njerëzore, një refuzim estetik par excellence për t’u pajtuar me harresën. Një ftesë për të kujtuar – jo vetëm me mendje, por edhe me zemër. Ky nuk është vetëm libër për t’u lexuar – është frymë me kronika dhimbjesh që edhe pasi t’i kesh lexuar, jetojnë me, dhe në ty.

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: ONTOLOGJI ESEISTIKE E GRUAS