Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave të Kosovës

Akademikja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Nënkryetar është zgjedhur akademiku Fejzullah Krasniqi, ndërsa sekretar shkencor është zgjedhur akademik Bardh Rugova.

Në biografinë e publikuar në faqen e ASHAK-ut thuhe se Shiroka-Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976.

Studimet pasuniversitare, në fushën e Teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984.

U doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Pas diplomimit, u punësua në Bankën Popullore të Kosovës (1977), pastaj hyri në procesin mësimor në Fakultetin Ekonomik (1978), ku vazhdon edhe sot karrierën akademike.

Ajo fillimisht u punësua si asistente për lëndën “Kërkimet operacionale”, pastaj u avancua në thirrjen e ligjëruesit, docentit (1978) dhe profesorit ordinar (2004).

U angazhua në një fushë të re, ku edhe kuadri mësimor dhe shkencor ishte deficitar, në fushën e kërkimeve operacionale, përkatësisht në fushën e zbatimit të metodave dhe modeleve matematikore dhe statistikore në planifikimin dhe në optimizimin e proceseve biznesore, duke e zgjeruar fushën e saj të interesimit, më vonë, edhe në zbatimin e këtyre metodave në zgjidhjen e problemeve të zhvillimit të bizneseve, në menaxhment dhe në procesin e marrjes së vendimeve.

Në këtë aspekt, ajo u zhvillua në vazhdimësi në një karrierë shumë të pasur, përgjatë tërë kësaj periudhe, në Fakultetin Ekonomik, prej vitit 1978 e deri sot. Mund të thuhet se ajo ka pasur një rol prej një pionieri për zhvillimin e fushës së kërkimeve operacionale, jo vetëm në këtë fakultet, por edhe më gjerë në Kosovë, nëpërmjet mësimdhënies në studime bazike dhe master, e sidomos nëpërmjet udhëheqjes së studentëve në punimet e diplomës, në tezat e masterit dhe në tezat e doktoratës.

Në Fakultetin Ekonomik ka qenë kryesuese e Departamentit të Matematikës dhe Statistikës (1999), kryetare e Bordit të masterit në Menaxhment Shëndetësor (2002), anëtare e Senatit të UP-së (2000) dhe anëtare e Bordit të UP (2001), anëtare e Komisionit të Universitetit Veror të Prishtinës (2002).

Është anëtare e Këshillit të Fushës Shkencore-Burimet Natyrore, Energjia dhe Mjedisi (2011) në MASHT, anëtare e Këshillit Botues të UP ”Hasan Prishtina” (2013). Është anë­tare e Këshillit Shkencor për njohje e barasvlerë të diplomave (2016), në MASHT dhe anëtare e Komisionit për Ekonomi të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut (2017).

Krahas studimeve të rregullta, ajo ka punuar në zhvillimin e saj të vazhdueshëm në aspektin kërkimor-shkencor dhe profesional, duke marrë pjesë në studime të pasdoktoratës në kuadër të këmbimit ndëruniversitar, Universiteti i Lincit në Austri (2013) dhe Universiteti i Arizonës në SHBA (2013), si dhe në trajnime dhe përsosje profesionale: Menaxhimi në sistemin e kujdesit shëndetësor, Itali (2002), Hulumtimi i programeve dhe përgatitja e teksteve mësimore, Belgjikë (2004), Çështjet e zhvillimit të biznesit dhe sipërmarrësisë, SHBA (2003) dhe shumë trajnime e specializime në vend.

Aktivite­tin akademik e ka ushtruar edhe jashtë vendit. Në vitet 1994-99 ka ligjëruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës dhe në vitet 2003-2004, në UEJL-Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.

Pas luftës (që nga vitet 2001-2005), ka zhvilluar edhe një aktivitet të admirueshëm me shoqërinë civile, në fushën e fuqizimit të gruas, barazisë gjinore dhe në zhvillimin e bizneseve dhe të ndërmarrësisë: Themeluese e Rrjetit të Biznesit të Grave Kosovare-KBWN (2001), Anëtare e Star Network of World Learning-Washington (2001), Eksperte lokale e Grupit Punues në Ekonomi të Qendrës Evropiane për Çështjet e Minoriteteve –ECM (2001), Anëtare e grupit punues-Nisma Kosovare për Barazi Gjinore (2002), Anëtare e Aleancës Ndërkombëtare të Grave (2003). Ajo ka udhëhequr bordet e disa OJQ-ve nga kjo fushë dhe, që nga viti 2012, është edhe anëtare e Bordit të Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike në Tiranë.

Përveç angazhimit në Fakultetin Ekonomik dhe në UP, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm në funksione të rëndësishme publike, midis të cilave shquhet puna e saj si Ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës (2008-2011) dhe si Deputete në Kuvendin e Kosovës (2011-2014).

Në vitin 2016 është zgjedhur anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa nga vitin 2018 është sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe me automatizem anëtare e kryesisë të Akademisë. Në vitin 2020 u zgjodh anëtare e rregullt-akademike të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
#𝐎𝐛𝐬𝐞𝐫𝐯𝐞𝐫𝐊𝐮𝐥𝐭