Skënder Gjinushi prezanton kopjen e parë të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi organizoi një aktivitet festiv ku priti gazetarë dhe përfaqësues të medieve me rastin e festave të fundvitit.

Gjinushi vlerësoi punën e gazetarëve dhe theksoi domosdoshmërinë e komunikimit e bashkëpunimit me median të institucioneve të arsimit e të shkencës për informimin e opinionit të gjerë për zhvillimet e perspektivat në këto fusha.

“Media e Akademia kanë një gjë të përbashkët, si dy përfaqësuese të pjesëve më të ndërgjegjshme e më të përgjegjshme të inteligjencës shqiptare, ne duhet të kemi një aleancë në pasqyrimin me vërtetësi dhe mbrojtjen e kontributeve e vlerave më të mira të saj e të simboleve e ikonave ndër vite, përballë mediokritetit, amatorizmit, diletantizmit e dashakeqësisë, qofshin këto dhe të motivuara nga “pasioni”, tipare që shfaqen nga pjesë e individë të shoqërisë a të politikës”, deklaroi Gjinushi.

Më tej, Gjinushi u shpreh se, brezi i ri ka nevojë për modele dhe për t’i krijuar bindjen se edhe këtu bëhet shkencë, se edhe në Shqipëri mund të zhvillosh talentin tënd.

Me këtë rast, akademiku Gjinushi u prezantoi gazetarëve të pranishëm kopjen e parë të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, si dhe falënderoi autorët së bashku me ata që po përmbyllin hartimin e Historisë dhe fjalësit të Enciklopedisë.

Ai i njohu shkurtimisht gazetarët me rezultatet e punëve dhe projekteve të realizuara nga Akademia e Shkencave në 6 vitet e fundit.

Gjinushi vuri në dukje ndër të tjera se nën drejtimin e akademikëve të njësive e komisioneve të saj, janë realizuar dhe janë në proces mbi 40 projekte shkencore në fusha të ndryshme të shkencës si dhe 3 projektet madhore të albanologjisë, në të cilat janë aktivizuar mbi 200 punonjës kërkimorë-shkencorë e specialistë të lartë, e në perspektivë ky numër do të shkojë në rreth 1500 autorë artikujsh enciklopedikë.

Në fund të takimit, akademiku Vasil Tole, zv. kryetar i ASHSH-së, i ftoi gazetarët në sallën “Aleks Buda” për të ndjekur recitalin violinë-piano me artistët Kledis Rexho (violinë) dhe Elvina Gurra (piano), që u organizua me mbështetjen e Komisionit të përhershëm të arteve, pranë Akademisë së Shkencave./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

BOTOHET MË 2025, 120 MIJË FJALË NË FJALORIN E MADH TË GJUHËS SHQIPE