Cikël me poezi të autores Sabina Darova: E fundit që vdes…

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Sabina Darova:

E fundit që vdes

Vrasësit sot janë ndryshe.
Të zbardhur nga kimikatet.
Ecin lirshëm, pa peshë,
sidomos në ditë festash.

Ndërgjegjja u tymon mbi oxhakë,
e zbardhur, prapë nga kimikatet.
Jetën e shënojnë artificialisht,
shpirtrat i varin si lëkurë të njoma
në degë parqesh pa emër.

Megjithatë, një shpresë u ka mbetur:
se do të qahen nga të gjallët.
Ajo – edhe për ta,
si për të varfrit –
është e fundit që vdes.

Ti mos më ler kurrë

Ti mos më ler kurrë,
jo, as mos provo.
Zëri im është udhë,
të ndjek në çdo skutë.

Mos provo të shkosh.
Kënga ime gjakos në zemër,
ngulet mbi buzë
si lëng trëndafili
mbi avlli lotësh kacavjerrës.

Ti mos më ler kurrë.
Se unë s’të kam lënë.
Jam ajo kënga e vjetër
që rrotullohet mbi disk,
mos i mbulo veshët.

Mos më ler vetëm.
Jam tek ti si ngaherë,
me biçikletën përdore,
drithëroj mbi zemër.

pa titull

Është e diel sonte.
Ishte edhe në mëngjes.
Edhe në drekë, po ashtu.

Mbi zjarr, një çajnik
shpërndan heshtjen në aroma:
portokall, kanellë, erëza.

Në furrë, patatet piqen me mishin,
koha zbutet në nxehtësi.
Mbi divan, një libër i hapur
pret sytë që ende s’janë kund.

Ngjyra rubin vesh qelqin e gotës.
Drita ndalet te buzët e saj,
si një mendim që harron veten.

Asgjë nuk lëviz.
Asgjë nuk mungon.

Vetëm një prani pa trup,
ulur mes nesh,
që na sheh të jetojmë
si të ishim të përkohshëm.

Rregulli i artë

Atdheu im
është një varkë,
që vozit mes brigjesh
të panjohura,
si një adoleshent
që s’di si të ankorohet.

Flet në disa gjuhë njëherësh
dhe nga pasiguria
që s’e gjen vetveten,
zgjedh të qëndrojë në mes.

ObserverKult