Posta e Kosovës nderon artistin Agim Salihu me emision pullash postare

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “Arti figurativ – Agim Salihu – veprat”, duke nderuar krijimtarinë e artistit të mirënjohur kosovar.

Në kuadër të këtij emisioni filatelik, nga thesari i pasur i krijimtarisë së Agim Salihut prezantohen veprat e grafistit të njohur, të cilat reflektojnë stilin e tij të veçantë artistik. Motivet e katër pullave postare bartin imazhe të veprave të autorit, të frymëzuara kryesisht nga përjetimet dhe udhëtimet në mjedise të ndryshme të përditshme.

Sipas njoftimit të Postës së Kosovës, veprat e Salihut paraqesin një kombinim të elementeve reale dhe abstrakte, duke ndërthurur të përditshmen me kujtesën vizuale të hapësirave dhe objekteve të së kaluarës. Trajtimi grafik i tyre karakterizohet nga profesionalizmi dhe kreativiteti i autorit, duke i dhënë secilës vepër një identitet të veçantë pamor.

Agim Salihu është vlerësuar me çmime të shumta në bienale ndërkombëtare dhe është njohur si profesor dhe grafist nga institucione prestigjioze të arteve të bukura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veprat e tij janë pjesë e koleksioneve të çmuara artistike në vende si Japonia, Kroacia, Italia, Portugalia dhe Kina.

Pjesë e këtij emisioni do të jetë edhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërsa pullat postare do të jenë në qarkullim deri në konsumimin e plotë.

Posta e Kosovës ka bërë të ditur se përmes këtij emisioni vazhdon promovimin e vlerave artistike të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë edicion të veçantë filatelik.

ObserverKult