Quintero: Sot gjithçka është sipërfaqësore, shterpë, e cekët, e kotë…

Nga Jesús Quintero

“Gjithnjë ka pasur analfabetë, megjithëse ndërkaq mungesa e kulturës dhe injoranca cilësoheshin si gjëra të turpshme. Asnjëherë si tani, gjindja nuk guxonin të mendonin se nuk do të kishin lexuar asnjë libër të vetëm në jetën e tyre të menderosur, teksa nuk e vrasin trurin për asgjë që ka sadopak tis kulture, ose për të cilën nevojitet njëfarë inteligjence paksa më e zhvilluar se e majmunit.
Analfabetët e sotëm janë më të ligjtë ngase, në shumicën e rasteve, kanë pasur qasje në arsim. Ata dinë të lexojnë e të shkruajnë, por nuk e ushtrojnë shkrim-leximin. Përditë e më shumë, firmat tregtare kujedesen për ta. Televizioni u përshtatet atyre pareshtur. Programet e kanaleve të ndryshëm grinden midis tyre, duke ofruar emisione të menduar për gjindje të palexuar, të paaftë për të kuptuar mirëfilli, që nuk e çajnë kokën për kulturën, njerëz që duan veç të argëtohen e të shpërfillin, ndonëse kjo mund t’u ofrohet nëpërmjet krimeve më lebetitëse, ose me të fshehtat më të poshtra shtëpiake të dikujt.
Tërë bota po formësohet sipas ëndjes së kësaj shumice. Gjithçka është sipërfaqësore, shterpë, e cekët, e kotë… me qëllim që këta njerëz ta gëlltisin pa mundime.
Këta janë tashmë klasa e re sunduese, paçka se gjithmonë do të sundohen ata vetë nga analfabetizmi dhe qëndrimet e tyre të pagdhendura, ndërsa mbivendosin anembanë shijen e tyre të pështirë dhe rregullat e tyre të shthurura”.

*Jesús Quintero (1940-2022, gazetar i shquar i ndjerë spanjoll)

Përzgjodhi e përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri

ObserverKult


Lexo edhe:

Rekomandime leximi nga Elvi Sidheri