
Wiliam Walker-it
Kur t’i gjej fjalët këtij mëngjesi të therrur,
t’i rendis pastaj sipas rregullave gramatikore,
me lidhëza që ende kullojnë gjak nga trupat.
Janë shndërruar kontinentet në sy kamere,
në pritje dramatike të fjalës së dëshmisë,
të sintaksës…
tekstit me rrënjë në trupa njerëzish,
ku vdekja e fëmijës i vë pikë fjalisë.
E prapë më duhet të vazhdoj të mbledh fjalët
për dëshminë time
nëpër mëngjesin e prerë… ku
shoh një kokë pa trup, një me gjysmë koke,
dhe një trup gruaje shtatzënë në orbitën e gjakut.
E pak më tej – shikimi i ngrirë i syve-qiej djaloshar,
fluturimit të Shqipes rreth e përqark kufijve,
përbiruar nëpër unazën e tri shkronjave,
ku gjokset e ushtarëve bëhen shkëmbinj.
Pastaj borë… pllanga bore, balsamosur gjaku…
një kufomë me të gjitha gjymtyrët dhe me kokën e vet,
si dhe një kokë e tepërt te skeleti i këmbëve.
Ndaj mos më pandehni, nëse fjalitë
kanë më shumë pasthirrma a u mungon ndonjë pjesëz,
nyje apo numëror.
Ora e Konferencës po bie, e unë – ku ta marr atë fjalë
për kokën e trupit që nuk po e gjej dot?
Vallë si krijohet fjalia kur mungojnë gjymtyrët?
Ndaj dëshmia ime ka aq shumë pasthirrma…
ObserverKult
Lexo edhe:






