Faiz Ahmed Faiz: Para se të vish

Para se të vish,
gjërat ishin ashtu siç duhet të ishin:
qielli ishte qorrsokaku i shikimit,
rruga ishte thjesht rrugë, vera thjesht verë.

Tani gjithçka është si zemra ime,
një ngjyrë në buzë të gjakut:
grija e mungesës tënde, ngjyra e helmit, e gjembave,
ngjyra e artë kur takohemi, stina digjet,
e verdha e vjeshtës, e kuqja e luleve, e flakëve,
dhe e zeza kur mbulon tokën
me thëngjillin e zjarreve të vdekura.

Po qielli, rruga, gota e verës?
Qielli është një këmishë e lagur me lot,
rruga një venë gati për t’u këputur,
dhe gota e verës një pasqyrë në të cilën
qielli, rruga, bota vazhdon të ndryshojnë.

Mos ik tani që je këtu –
Qëndro. Kështu bota mund të bëhet përsëri si vetja:
kështu qielli mund të jetë qiell,
rruga një rrugë,
dhe gota e verës jo një pasqyrë, thjesht një gotë verë.

Përktheu: Çlirim Qormemeti

LEXO EDHE: Hymn i të dëshpëruarit