
HALILI PAS VDEKJES
U vra Sokol Halili, trimi që kish tundur gjithë Kralinë gjer tej në Tunë; u vra kreshniku që kish bërë të dridheshin gjithë ato Kotorret e Reja e Zahara; dhe, atje ku ra, dogji dhenë…
E varrosën lart në bjeshkë.
Gjeto Basho Muji mbeti pa krah, malet e larta mbetën në jeremi. S’dëgjohen më britma luftëtarësh. Vetëm qyqja e kuqe kukat në një rrem të thatë dhe kënga e saj kumbon kobshëm valtheve e lugjeve:
– Kuku, kuku!
Papritur, thellë nga dheu, del një zë që i thotë qyqes:
– Qyqe, moj qyqe! Dëgjomë! Dua të të le një amanet.
Qyqja e kuqe ia kthen:
– Amanetin e mban edhe toka, po unë çuditem fort se në këtë majë bjeshke të shkretë zë njeriu dëgjoj e njeri nuk shoh. Unë jam mësuar të rri gjithnjë e vetme nëpër shkretëtira, po të them të drejtën se zë të këtillë s’kam ndjerë kurrë. Ku je ti që po më flet kështu?
Ja se ç’i thotë ahere zëri asaj qyqes së kuqe:
– Unë jam i vdekur, moj qyqe, prandaj nuk më sheh dot. Jam nën dhe.
– Kush je ti?
– Jam Halili, i vëllai i Gjeto Basho Mujit. Dëgjoma, moj qyqe, amanetin që do të të jap. Nisu e shko drejt te Muji e i thuaj kështu: “O Muj i Klladushës, yt vëlla Halili të dërgon shumë falmeshëndet nga maja e bjeshkës, tek e ka varrin. Unë, i thuaj, nuk i druhem shiut e breshërit, nuk i druhem erës e borës, nuk u druhem bubullimave e rrufeve, se ato kanë punën e tyre, po Zoti më ka lënë mbi krye një havale të madhe: më ka lënë Kreshto Kapedanin e Kralisë. Të diel për të diel Kreshtua del për gjah në këto bjeshkë. Nuk del vetëm, po me treqind veta pas. E mbledh çetën kundruall varrit tim, më shan me fjalë të fëlliqta e më bërtet me të madhe: “Ngreu, Halil, e dil nga varri të luftojmë një për një! Se ti dikur na i ke prerë rrugët, na ke luftuar e u ke kallur tmerrin shokëve të mi. Gjithë Kralia, gjer tej në Tunë, dridhej kur ta dëgjonte emrin. Shumë trima m’i ke prerë me shpatë, shumë kulla m’i ke djegur e shumë vasha m’i ke rrëmbyer. Tani kam ardhur të të gjykoj. Se unë nuk të ndahem as pas vdekjes!” Kështu më thotë, o Muj, nj’ai Kreshto Kapedani i Kralisë. Ma rreh varrin me shqelmë e me topuz, nuk m’i le eshtrat qetë. Pastaj u bën zë atyre të treqindve që mban pas dhe të gjithë më shqelmojnë varrin… Unë i kam thënë, Muj, se i vdekuri është i vdekur e s’del dot nga varri të luftojë në shesh të burrave. Dua të ngrihem, o Muj, po s’mund. Se unë jam tre pashë nën tokë e kam një rrasë përsipër. Në ke qef për luftë o Kreshto, i kam thënë, shko e çoji fjalë tim vëllai Gjeto Basho Mujit e ke për të parë se ai do të të dalë ballë për ballë. Pra, Muj, në qoftë se të kam e më ke vëlla, bëj ç’të bësh e hiqma qafe këtë havale të keqe, që të më prehen eshtrat qetë në varr. – A më dëgjon, moj qyqe?
– Të dëgjoj, të dëgjoj – ia kthen qyqja nga rremi i thatë.
– Kështu t’i thuash, qyqe, Gjeto Basho Mujit. Ne kemi atje në Jutbinë një man të thatë në oborr, përpara kullës. Ti shko atje, qëndro në majë të majës, kukat dy a tri herë dhe ndofta do të dëgjojë ndokush. Mbase mund të të thotë edhe ndonjë fjalë të rëndë po ti, qyqe e malit, mos ia merr për keq. Kukat gjersa të të dëgjojë im vëlla Muji. A do ta mbash porosinë?
– Do ta mbaj, Sokol Halil – thotë qyqja. – Ja, tani do të nisem drejt në Jutbinë. Mbeç shëndoshë, Halil!
– Vafsh shëndoshë, qyqe.
Qyqja e kuqe hap krahët, ngrihet nga dega e thatë e ahut, fluturon drejt në Jutbinë, qëndron majë manit të thatë në oborr të Mujit e kukat dy a tri herë. E dëgjon nusja e Mujit, del në dritare e i vikat qyqes me të egër:
– Shporru, moj qyqe, qofsh e zezë! Se edhe vjet këso kohe na ke kukatur majë manit e i ke ndjellë kobën Halilit tonë. Ikë tutje, se po të dalë Muji do të t’i përndajë puplat tej e tutje gjer në Krali.
Qyqja ia kthen e pikëlluar nga dega e manit:
– Moj nuse e mirë, unë s’kam qënë kurrë në këto vende, s’kam kënduar e s’i kam ndjellë kobën Halilit, por dëgjomë të të them dy fjalë. Unë vij nga maja e bjeshkës, bash nga varri i Halilit. Atje kukata dy a tri herë. Më dëgjoi Halili brenda në varr e më dërgoi t’i them nja dy fjalë Gjeto Basho Mujit. Këto fjalë i kam amanet e pa jua thënë s’iki së këtejmi as sikur të më vrasësh.
Muji dëgjon, del fluturim jashtë në oborr e i thotë qyqes me të butë:
– Folë, qyqe, qofsh e bardhë! Në daç hyrë brenda në shtëpi të të jap të hash e të pish ç’të duash vetë; rri këtu sa të duash, që të heqësh mërzinë.
Qyqja i përgjigjet nga dega e manit të thatë:
– O Mujo, unë s’kam ardhur të ha e të pi, s’kam ardhur të heq mërzinë, po kam ardhur të të sjell një amanet që më ka lënë yt vëlla, Halili. lsha në bjeshkët e larta, qëndrova në një rrem të thatë ahu e kukata aty dy-tri herë. Doli një zë nga dheu e më tha: “Qyqe, moj qyqe! Dëgjomë! Dua të të le një amanet; dua t’i shpiesh nja dy fjalë Gjeto Basho Mujit në Jutbinë”. Se Halili, o Muj, nuk i druhet shiut e breshërit, nuk i druhet erës e borës e as bubullimave dhe rrufeve, po Zoti i ka lënë mbi krye një havale të madhe: i ka lënë Kreshto Kapedanin e Kralisë. Të diel për të diel Kreshtua del për gjah në bjeshkë. Nuk del vetë, po me treqind veta pas. E mbledh çetën kundruall varrit të Halilit, e shan me fjalë të fëlliqta e i bërtet me të madhe: “Ngreu Halil, e dil nga varri të luftojmë një për një. Se ti dikur na i ke prerë rrugët, na ke luftuar e u ke kallur tmerrin shokëve të mi.
Gjithë Kralia, gjer tej në Tunë, dridhej kur ta dëgjonte emrin. Shumë trima m’i ke prerë me shpatë, shumë kulla m’i ke djegur, e shumë vasha m’i ke rrëmbyer. Tani kam ardhur të të gjykoj. Se unë nuk të ndahem as pas vdekjes!” Kështu i thotë, o Muj, nj’ai Kreshto Kapedani i Kralisë. Ia rreh varrin me shqelme e me topuz, nuk ia le eshtrat qetë. Pastaj u bën zë atyre të treqindve që mban pas dhe të gjithë i shqelmojnë varrin. Halili i ka thënë se ai është i vdekur e s’del dot nga varri të luftojë në shesh të burrave, se është tre pash nën tokë e ka një rrasë përsipër. “Në ke qef për luftë, i ka thënë, çoji fjalë Mujit e ke për të parë se ai do të të dalë ballë për ballë”. Pra, Muj, në e ke vëlla Halilin e në e do siç të ka dashur, hiqja këtë havale të keqe që t’i prehen eshtrat qetë në varr.
Kështu i thotë qyqja e kuqe. Muji e dëgjon e ia kthen:
– Hajt, udhën e mbarë, moj qyqe! I shpjerë falmeshëndet Halilit tim e i thuaj se qysh të dielën e parë unë do t’ia heq këtë havale.
Qyqja hap krahët e kthehet në bjeshkët e shkreta, i shpie fjalën Halilit se ia përmbushi porosinë.
Ditën e premte Muji del në beden të kullës e lëshon kushtrimin: të mblidhen trimat. Lajmin e merr vesh tërë Jutbina e tërë Krahina. Trimat shtrëngojnë armët e mblidhen shpejt në shtëpi të Mujit. E pyesin:
– Ç’lajm të ka ardhur e nga të ka ardhur ky lajm, o zoti ynë? Në na ke thirrur për luftë, ne jemi gati të hidhemi që tani ku të na prijësh ti.
Muji u thotë:
– Të shtunë mbrëma bëhuni gati se do të dalim bjeshkëve të çetojmë!
Të gjithë trimat i mban për darkë. Therr mish, hap butet e i gostit mirë. Kalon nata; vjen e shtuna Në të ngrysur ngrihen e shkojnë bjeshkëve. Në të gdhirë dita e diel sosin te varri i Halilit, atje tek i prin Muji. Aty Muji qëndron e u thotë:
– Shokë, ju zini pritë në të dy anët e rrugës, se këtej do të vijë Kreshto Kapedani me treqind veta që të msyjë varrin e Sokol Halilit. Unë do të ze vend pranë varrit e do të pres aty. Ju të më jepni besën se nuk do të bëni zë e nuk do të qëlloni askënd para se të dëgjoni britmën time.
Trimat i japin besën e zenë vend në të dy anët e rrugës. Rrinë e presin. Ndjehet vetëm era që fryn aheve e kronjtë që gurgullojnë.
Kur nisi të zbardhë drita, u dëgjuan nga larg brirë gjahtarësh sa jehoi bjeshka gjithë. Pastaj plasi burbujë e madhe. Javo u duk Kreshto Kapedani me të treqindët. Kreshtua iu afrua varrit të Halilit, i shkeli rrasën dhe e shqelmoi tri herë, pastaj briti me të madhe:
– Ngreu, Halil, e dil nga varri të luftojmë një për një!
Më shumë s’arriu të flasë e as t’i bjerë më rrasës me shqelm e topuz, siç e kish zakon. Bubulloi zëri i fortë i Gjeto Basho Mujit sa u tund gjithë bjeshka:
– Sot unë do të të nginj me luftë, o Kreshto Kapedani!
Kreshto Kapedani shtang në vend e thotë me vete: “O Zot, ç’është vallë ky zë që bën të tundet bjeshka? A mos po ngrihet i vdekuri nga varri?” Edhe të treqind vetat e Kreshto Kapedanit shtangin të trembur. Muji nuk e zgjat shumë: brof më këmbë shpatëzveshur. Kreshtua prapset, po shpata e Mujit e arrin dhe e shtrin përdhe. Dhe zëri i tij bubullin:
– Ja, kështu lahet fyerja e varrit të vëllait!
Sa të mbyllësh e të hapësh sytë Gjeto Basho Muji u hidhet shpatëzveshur shokëve të Kreshto Kapedanit. Të tridhjetë trimat e Jutbinës dalin nga prita, i sulen armikut: vrasin me topuz, presin me shpatë, zenë rob e s’lenë të kthehet asnjë në shtëpi, në Krali.
Pastaj Muji me shokë zbret në Jutbinë dhe që atëhere kurrkush nuk guxon më të prekë varrin tek prehen eshtrat e Sokol Halilit.
Atë e rreh era e shiu, e rreh bora e bre-shëri, bubullima e rrufeja, po Sokol Halili është mësuar me këto të gjitha që kur ishte gjallë e nuk iu tutet.
*marrë nga libri i Mitrush Kutelit, “Tregime të moçme shqiptare”
ObserverKult
Lexo edhe:
Mitrush Kuteli, pse s’arriti ta shihte nënën para se të vdiste ajo?






