
Nga Jorge Luis Borges
Abeli dhe Kaini u takuan pas vdekjes së Abelit. Po ecnin në shkretëtirë dhe e dalluan njeri-tjetrin që larg, pasi të dy ishin shumë të gjatë. Të dy vëllezërit u ulën përdhe, ndezën një zjarr dhe filluan të hanin. Qëndronin në heshtje, në heshtjen e njerëzve të lodhur kur perëndon dielli. Në qiell shfaqej ndonjë yll, që ende nuk kishte emër. Në dritën e zjarrit, Kaini vërejti shenjën e gurit në ballin e Abelit dhe lëshoi nga dora bukën që po e çonte në gojë e i kërkoi t’ia falte krimin.
Abeli u përgjigj:
-Më ke vrarë ti mua apo unë ty? Nuk më kujtohet; tani jemi këtu së bashku, si dikur.
-Tani e kuptoj se vërtet më ke falur, – tha Kaini. – Sepse të harrosh, do të thotë të falësh. Edhe unë do të mundohem të harroj.
Abeli tha ngadalë:
-Ashtu është. Sa kohë zgjat brejtja e ndërgjegjes, zgjat edhe faji.
Në shqip Erion Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:





