Poezia që na kujton fillimin: Ndue Ukaj dhe koha e parë

Reflektime mbi vëllimin “Mund të jetë si në fillimet e kohëve” (Onufri, 2025)

Rei F. Hodo

Nga Rei F. Hodo

Në vijim të një tradite të çmuar në terrenet e poezisë, shkolla kosovare e vargjeve të mahnit me prurjet e herë pas hershme dhe me arkitekturën poetike që ajo përcjell te lexuesi. Do të qe vëllimi “Re prej drite”, universi i cili më njohu me shkrimtarin dhe poetin Ndue Ukaj. Pas atij vëllimi, disa sprova në prozë dhe së fundi, “Mund të jetë si në fillimet e kohëve”, përmbledhja me poezi që shënoi fundvitin që sapo iku.

Ky artikull, që paraqitet si më poshtë, ka si synim të ofrojë për lexuesin një panoramë reflektive pikërisht mbi vëllimin në fjalë, pra “Mund të jetë si në fillimet e kohëve” (Onufri, 2025). Janë përzgjedhur disa poezi të cilat për mua si lexues kanë shënjuar jo vetëm kompleksin poetik, por edhe frymëzimin tek unë. Para se të përshtjellojmë shembujt konkretë, doja të perifrazoja N. Frye (Anathomy of criticism) (autor të cilin do e citojmë përsëri më poshtë) sipas të cilit, poezia shërben si arkiv i imagjinatës kolektive. Kjo do të thotë që poezia pra pasqyron realitetin shoqëror, politik dhe historik të kohës kur është shkruar. Gjithashtu, studimi i saj do të japë kahe të reja në kuptimin e historisë dhe identitetit kombëtar.

“Mund të jetë si në fillimet e kohëve”

Poezia në fjalë përkon me brendësinë e kreut të parë, “Mësimet e vona”. Që në krye të saj, poezia na përball me një realitet tjetër, me një kohë të re, pse jo, me një kohë mitike. Ky shembull më së miri lidhet me atë kohën e shenjtë të M. Eliade, pra një rikthim të plotë në kohën e gjenezës. Vetë dita e re është një fillim, një nisje e re ontologjike. Po ashtu, këtë gjendje, e shpall në mënyrë të saktë edhe vargu “Sot është ditë e re dhe mund të jetë si…”

Dy simbolika krejt të kudondodhura në poezi janë qielli dhe drita. Madje qielli shfaqet edhe si simbol qendror duke marrë mbi vete karakteristika të kthjellëta, të bukura apo edhe si i lidhur me sytë, zemrën apo kërkimin e vazhdueshëm. Në poezi qielli mund të shihet si një hapësirë e brendshme, jo dekor estetik, por ai koncept sipas të cilit G. Bachelard, tregon zgjerimin e ndërgjegjes individuale.

Ndër mendimet e tij, Albert Camus hipotetizon se rebelimi më i pastër është ruajtja e ndjeshmërisë njerëzore në një shoqëri, në një botë që ka premisa për ta shtypur atë. Në këtë moment, poeti na paraqet mendimin e radhës, sa etik aq edhe ekzistencial, teksa shprehet “Ti mos lejo askënd ta ngulfatë bulëzimin e zemrës sate.” Nuk mund të jetë naivitet një buzëqeshje e zemrës, por një akt i shpallur rezistence.

Për t’u rikthyer sërish tek fillimi, autori na parashtron një simbol pastrimi, një katarsis apo një proces të tillë tek vargu “Ky mëngjes i bardhë si bora”. Po sipas Frye, tek poezia lirike, e bardha mund të pranohet si simbol i fillimit, i pafajësisë apo edhe i mundësisë për një korrigjim të vetvetes. Duke hequr dorë nga imazhet e errëta apo nga ëndrrat e zeza, autori na përgatit një proces katarsisi për gjithë ç’ka është e kaluar.

Ringjallja, rifillimi, e tani krejt i prekshëm, duke u larguar nga abstraktja, na paraqitet tek vargu “… në një kopsht të bukur ku gjithçka mund të kthehet pranverë…” Që nga Bibla e deri te poezia e ditëve të sotme, koncepti i kopshtit mbetet një nga arketipat më universale. Të gjithë elementet e brendshëm aty jetojnë të harmonizuar. Akoma më tej, autori e mishëron idenë duke mos e lënë atë abstrakte por e bën të prekshme kur thotë “… si duart e një dashurie përvëluese.” Poezia, edhe në mbyllje të saj, qëndron tek një frymë lirizmi reflektiv, me qëllim vetëdijen dhe shërimin ndërsa mbyllet me vargjet “Se një ditë e re është njëlloj përsëdytje e krijimit,/ ku ti mund të krijosh gjithçka të bukur,/ gjithçka të bukur që nuk ka ndodhur më parë,/ dhe nuk ka mundësi të përsëritet kurrë më si atë ditë.”

“Ars poetica”

Të tilla poezi si kjo që vijon, nuk janë vetëm një vijimësi e trashëgimisë që na mbërrin që prej Horacit, Boileaut apo Verlain. Ato janë shembuj konkretë për të kuptuar jo vetëm artin e poezisë por edhe pse ky art është sa i domosdoshëm aq edhe i rrezikshëm njëkohësisht. O. Paz shprehet se të tilla poezi janë momente reflektimi të poezisë për poezinë.

Poezia hapet me vargun “Arti nuk mund të shpëtojë jetë” i cili pikërisht artin e vendos në konturet jo të shërimit të trupit por të ndriçimit të zgjedhjes. Rëndësia e këtij vargu ka të bëjë me shmangien që ai i bën sentimentales së artit. Poezia apo arti, edhe sipas Th. Adornos, nuk shihet si moralizues d he s’mund të ketë funksionin praktitk të shpëtimtarit. Poeti i shton udhët jetës, i jep orientim dhe i rikthen njerëzit tek vetëdija e tyre. Poezia u jep njerëzve sy për të parë e zemër për të mos u përulur. Pra, autori na jep mundësinë e zbulesës të të vërtetës, ai nuk e fshin realitetin, por e çliron atë nga errësira. Vetë vargu “sy të shohin në terr” është qëndresa për njohje dhe jo një metaforë e thjeshtë dëshpërimi.

Më tej na paraqitet vargu “Lirinë të mos e depozitojmë nëpër korniza”. Këtë mund ta shohim si një kritikë të qartë ndaj normave shoqërore, ndaj kufizimeve ideologjike apo edhe etiketimeve të gatshme. Poezia është një hapësirë e papërthithshme, ajo nuk mund të mjaftohet me vetëm funksionimin e saj por shndërrohet në një hapësirë refuzimi estetik ndaj sistemit në tërësi.

Një moment kulmor në poezi është vargu “Arti ka edhe diçka të rrezikshme” Fare mirë, ky pohim krejtësisht modern vjen dhe rezonon me Platonin, i cili e dëbonte poetin nga republika vetëm sepse arti e ka fuqinë ta trazojë rendin e vendosur. Megjithatë, në rastin tonë, rrezikshmëria është virtyt dhe jo problem.

“Ars poetica” nuk e mohon errësirën. Ajo e sheh dhe e pranon si terrin që josh, si zemrën ku mungon drita ashtu edhe vetë errësirën e dendur. Dhënia formë të vërtetës, mos zbukurimi i saj përbën atë që G. Lukács e njeh si realizëm etik. Arti nuk mund të gënjejë, as të zbukurojë.

Dy momente krejt kulmore janë edhe empatia morale dhe leximi tragjik i historisë. Në poezi dallojmë një zbritje nga koncepti abstrakt tek ai praktik, trupor: duar që prekin, mërzia si dallgë apo zemra që dridhen. Gjithashtu, figura e turmës që marshon drejt kryqëzimit është e gjetur. Ajo na paraqet një indiferencë morale, një përsëritje të dhunës apo edhe një verbëri kolektive.

Poezia, krejt reflektive dhe e pjekur, e cila artin e vendos si një mjet vetëdijeje, rreziku apo lirie mbyllet me vargjet: “Poezia të bën ëndërrimtar, kërkues, krijues,/ se arti është rruzullim më vete,/ të nxit të provosh udhët e harruara,/ të zhytesh në pyllin e dëshirave/ e të mbledhësh fijet e të gjithave/ për të bërë një kurorë të artë jete.”

“Njeriu i propagandës”

Një poezi tërësisht e fortë, historiko-politike dhe që katërcipërisht mund të shërbejë si kujtesë kolektive dhe si një thirrje e brendshme për vetëdijen kritike është pikërisht “Njeriu i propagandës”. Autori na paralajmëron se historia rrezikon të përsëritet dhe se pikërisht njeriu i ri krijohet nga pjesët më të egra të historisë.

Si temë kryesore e kësaj poezie mund të shihet shndërrimi i qenies në produkt të propagandës, dehumanizimi i njeriut prej dhe përmes propagandës. Jo vetëm në koncept, por edhe në poezi, propaganda shfaqet si forca ndër kryesoret që e deformon të vërtetën, krijon shoqërinë e manipulueshme dhe zhduk ndjeshmërinë humane. Kuptohet se tashmë e vërteta nuk është më një vlerë morale, por është arma e re për dominim dhe kjo na paraqitet në vargjet “Ai trillon të vërtetat e veta/ dhe ato i përdor si shkopinj gjuetie.” Në këtë moment na vjen në ndihmë po ashtu edhe mendimi i H. Arendt (The origins of totalitarianism) sipas së cilës, propaganda është arma e cila synon shkatërrimin e aftësisë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.

Gjithashtu, në poezi udha mund të na sjellë para edhe logjikën e përmbysur morale apo thënë ndryshe ajo për të cilën edhe G. Orwell (Politics and English language) flet lidhur me përdorimin e gjuhës si mjetin efikas për fshehjen e përgjegjësisë morale dhe manipulimin e realitetit. Vargjet “Ai ka mësuar si ta bëjë tjetrin fajtor/ kur tjetri nuk ka lidhje me fajin.” na tregojnë se si subjekt kemi të bëjmë me një qenie të formuar nga gënjeshtra, dhuna dhe manipulimi historik. Ai ka aftësinë ta fajësojë tjetrin edhe kur ky i fundit nuk ka asnjë lidhje me fajin.

Kjo poezi bëhet edhe më e veçantë për sa kohë ajo merr një ton prej dëshmitari personal. Autori e shndërron poezinë në zërin e tij si dëshmitar të tragjedisë historike dhe shoqërore ndërsa thotë se “Kam parë zvetënimin e njeriut,/ kalldrëmet e mbuluara me gjak.” Letërsia pas traumave të shkaktuara nga historia kthehet në një akt dëshmie dhe kujtese, sidomos nëse marrim parasysh përvojën ballkanike kolektive të fundshekullit të XX-të.

Michel Foucault (Discipline and punish) na flet për një mënyrë se si ia del pushteti të prodhojë subjekte përmes disiplinimit dhe kontrollit të rreptë të tij. Këtë mendim mund ta gjejmë të jetëzuar tek vargjet “… janë krijuar laboratorët e frikës,/ ku shartohet njeriu/ dhe krijohet njeriu i ri” dhe ku shprehja laboratorët e frikës vjen si metaforë e fuqishme e cila simbolizon krijimin me qëllim të terrorit. Janë ideologjitë totalitare ato të cilat kanë si synim krijimin e një identiteti të ri, edhe artificial.

Patriotizmin e rremë po ashtu, pse jo edhe të denoncuar nga autori, e gjejmë në vargjet “Kam parë njeriun e propagandës/ si ka asfiksuar atdheun.” Në emër të atdheut, edhe vetë ai shkatërrohet.

“Krijimi”

Jo më kot e zgjodha këtë poezi për të përmbyllur grupin e poezive të shqyrtuara sepse si temë kryesore të saj shohim procesin e krijimit si ndër më domethënësit në jetë. Jo vetëm si një veprim apo akt artistik por si nevojë ekzistenciale.

Të krijuarit na shfaqet si një kundërvënie ndaj harresës, ndaj zbrazëtisë. Ai vjen si një mënyrë për të shpëtuar jetën nga një lloj shuarje, edhe pse simbolike. “Të krijosh domethënë të zgjasësh kohën,/ të luftosh harresën,/ të ripërtërish jetën”. Është pikërisht vetë kuptimi i jetës që krijohet përmes përgjegjësisë, përjetimit apo përmes veprimit.

Për poetin, koha nuk është thjesht lineare. Ajo përjetohet përmes procesit të krijimit dhe si e tillë, vetë njeriu rilind në përmasa të reja kohore e shpirtërore. Koha mbetet një përjetim i brendshëm dhe jo një matje mekanike, sipas H. Bergson (Time and free will). Këtë e dallojmë në vargjet si vijojnë: “Të krijosh domethënë të fitosh kohë,/ të futesh në tunele të jetës dhe të dalësh prej tyre/ në një kohë tjetër.”

Një figurë domethënëse në poezi del edhe mozaiku. Ai simbolizon jetën të thyer në copa përvoje, kujtese apo dhembjeje. “… të mbledhësh thërrmija/ e copëza të thyera jete/ dhe t’i shndërrosh në një mozaik plot ngjyra.” Thënë ndryshe, edhe pse këto copëza, këto fragmente jete nuk mohohen, krijimi shërben si akti i shërimit të tyre, duke u rindërtuar në një tërësi më kuptimplote.

Empatia dhe imagjinata luajnë rol në poezi. Pra, krijimi është proces që shkon përtej vetvetes, lidhet me tjetrin dhe dhembjen e këtij të fundit rreket jo vetëm ta ndiejë por ta kthejë në kuptim. “… të kapësh me duar zemrat e plagosura,/ zemrat e dashuruara, t’i shtrydhësh dëshirat e tyre/ dhe me to të krijosh një vals të gjatë ekzistence.”

Një tjetër moment kyç është në poezi është edhe pranimi i gabimit. Kjo nënkupton se akti i krijimit nuk mjaftohet vetëm me idealizimin e vetë poetit, por edhe me pjekurinë morale të tij. Vetvetja është qenie që ndërtohet përmes zgjedhjeve dhe vetë përgjegjësisë (S. Kierkeggard) e kjo shfaqet në vargjet si vijon: “Të krijosh domethënë ta ribësh veten tënde:/ t’i mbledhësh gabimet dhe çastet e lumturisë me duart e tua.” Nga ana tjetër, kjo vete nuk mund të romantizohet, por kalon përmes vështirësive dhe rrezikut të dhembjes: “Të mësosh se në jetë ka ngjitje maleve të larta,/ rrëshqitje teposhtë, ku të presin tufa të egra që të ndjekin/ me gozhdët e ndryshkura të urrejtjes.”

Si rezultat Ndue Ukaj nuk mbetet autori individualist i cili e kufizon krijimtarinë e tij brenda vetes. Ai, jo vetëm me vëllimin “Mund të jetë si në fillimet e kohëve” por me gjithë opusin e tij letrar konsiderohet një zë aktiv i një tradite me themele të forta, që vazhdon të flasë me zë të ulët, por këmbëngulës.

Kjo traditë, e formuar në një tension të vazhdueshëm duke u gjendur herë midis traumës kolektive, herë midis historisë e herë midis kërkimit të domethënies njerëzore mbetet zëri më i ndërgjegjshëm e më kritik i shkollës kosovare të poezisë. Në këto linja mendimi, edhe autori ynë na shfaqet si poet i një reflektimi të thellë, një veprimtar që nuk i ikën dhembjes historike dhe as përgjegjësisë morale që ka fjala e arti.

Ndue Ukaj e konsideron poezinë si një hapësirë për rezistencë. Fjala për të nuk mund të jetë në rehati, por në lëvizje të vazhdueshme. Në poezinë e tij, ai e shmang atë ndienjë të thjeshtuar të retorikës apo nacionalizmin banal; gjithë aktin e tij të krijimit e përqendron tek njeriu si qenie etike dhe e brishtë, e cila kurdoherë është e ekspozuar ndaj pushteteve dhe egërsisë së tyre.

Në një kohë si e sotmja, ku gjithçka është duke u margjinalizuar nga një ritëm tmerrësisht i shpejtë i teknologjislë dhe nga bota virtuale, vepra e Ndue Ukajt mbetet një dëshmitare e fortë se poezia dhe arti mbetet një nevojë thelbësore e qenies humane. Poezia dhe letërsia janë ndihmuesit kryesorë të ruajtjes së kujtesës historike dhe të formimin të një ndjenje empatie kolektive dhe vetëdijeje kritike. Pa këto të fundit, çdo shoqëri rrezikon të përfundojë në banalitet, manipulim dhe një propagandë simbolike. Poezia na kujton se fjala e vërtetë mbetet ndër format më të pastra të përballjes me veten dhe me të vërtetën, në kohën e krizës së fjalës dhe vlerës.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Ukaj: Rreth debatit për çmimet letrare