Studiuesi Erebara kritikon mënyrën e publikimit të Fjalorit: Formati onlajn e bën të pamundur një gjykim të plotë…

Studiuesi dhe publicisti, Gjergj Erebara, në një intervistë për Euronews, ka folur mbi polemikat që kanë lindur pas publikimit onlajn, në fillim të këtij janari, të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

Erebara kritikon mënyrën e publikimit të fjalorit, duke theksuar se formati onlajn, i ndërtuar si motor kërkimi, e bën të pamundur një gjykim të plotë të tij si një vepër klasike gjuhësore.

“Mënyra se si është publikuar fjalori nuk lë mundësi që të lundrosh mbi të si një fjalor klasik. Kështu, mund të gjykojmë vetëm për ato fjalë që kemi parë, por jo për tërë fjalorin,” shprehet ai.

Sipas tij, disa fjalë të përfshira ende mbartin gjurmë ideologjike të kohës staliniste, ndërkohë që përfshirja e disa dialekteve dhe fjalëve të reja është e mangët.

Ai thekson rëndësinë e krijimit të një zyre të përhershme që të merret çdo ditë me gjuhën, të regjistrojë ndryshimet dhe të integrojë fjalët e reja dhe dialektore në fjalor.

Erebara vë në dukje gjithashtu përdorimin e disa termave fyese, si “çifut”, të cilat janë të papërshtatshme në komunikimin modern, dhe mungesën e fjalëve të rëndësishme për jetën politike dhe kulturore të vendit.

Një tjetër kritikë lidhet me mungesën e përfshirjes së Akademisë së Shkencave të Kosovës, çka, sipas Erebarës, reflekton një qasje jo gjithëpërfshirëse të gjuhës shqipe, e cila flitet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Ai nënvizon se fjalori nuk duhet të jetë produkt i nismave politike apo i reagimeve të momentit, por rezultat i një pune të përhershme gjuhësore me rregulla të qarta dhe regjistra të dokumentuar të ndryshimeve.

Fjalori, i cili u prit fillimisht si një nga arritjet më të rëndësishme gjuhësore të dekadave të fundit, regjistroi mbi 1.2 milion klikime vetëm në javën e parë, duke treguar interes të lartë publik. Megjithatë, ai u kthye shpejt në qendër të një debati mes studiuesve, gjuhëtarëve dhe opinionit publik.

Nga ana tjetër, koordinatorja e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, Anila Kananaj, thekson se fjalori synon përdoruesin e gjerë dhe nuk synon të zëvendësojë fjalorët terminologjikë. Ajo pranon disa pasaktësi dhe thekson se procesi i onlajnit e bën fjalorin të hapur për sugjerime dhe përmirësime, duke e konsideruar këtë një aspekt pozitiv. Kananaj sqaroi gjithashtu se bashkëpunimi me Akademinë e Kosovës nuk vazhdoi për arsye profesionale, por Instituti Albanologjik dhe studiues të tjerë nga Kosova kanë kontribuar në projekt.

Sipas saj, synimi është të pasurohet fjalori me të gjitha varietetet e gjuhës shqipe, duke përfshirë dialektet dhe fjalët e reja që sjellin nuanca kuptimore të munguar, pa cenuar standardin e gjuhës. Leksiku i fushës seksuale është përjashtuar qëllimisht në fazën fillestare, me qëllim të mbajtjes së një numri të arsyeshëm fjalësh, ndërsa fjalori do të mbetet i hapur për sugjerime gjatë një periudhe intensive nëntë mujore. 

ObserverKult


Lexo edhe: