
Në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë u promovua libri “Etnoletra Shqipe – Raporti i letërsisë me etnokulturën e kombformimin” i studiuesit Vehbi Miftari, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Toena (2025).
Vepra trajton raportin mes letërsisë shqipe dhe etnokulturës, duke e vlerësuar tekstin letrar si bartës të kujtesës kulturore dhe identitetit kombëtar. Promovimi u shoqërua me diskutime mbi rolin e letërsisë në formësimin e vetëdijes kulturore shqiptare. Për librin folën Majlinda Toçi, redaktore shkencore e librit dhe Xhavit Beqiri, profesor në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Me një fjalë para të pranishmëve u paraqit edhe autori i librit, Vehbi Miftari.
Gjatë promovimit , u theksua rëndësia e qasjes ndërdisiplinore që ofron vepra, duke bashkuar etnologjinë, letërsinë dhe studimet kulturore në një lexim të ri të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Të pranishmit vlerësuan librin si një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve humanistike dhe si një nxitje për reflektim mbi raportin mes traditës dhe modernitetit në letërsinë shqipe./rtklive
ObserverKult

Lexo edhe:
Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare”






