Begzad Baliu: Rrugëtimi me Adem Demaçin si fat dhe si fatum

(Selatin Novosella, Rrugëtimi me Adem Demaçin, – Kujtime 1962-2018), I-III, Prishtinë, 2025.

Nga Begzad Baliu

…”të ishe me Adem Demaçin në ditë të vështira në organizime të veprimtarisë ilegale, të ishe në vuajtjen e dënimit në burgjet jugosllave, në rrethana kur jeta dhe vdekja bashkëjetojnë, në situatat kur bie dhe nuk je i sigurt që çohesh nesër nga gjumi, kur transferohesh prej një burgu në burgun tjetër e s’din apo të çojnë në burg a po të çojnë në pushkatim. Prandaj, ta kishe Bacën pranë dhe të ishe me të në situata të tilla jetësore ishte fat i madh”. (Selatin Novosella, bisedë me Baton Haxhiun, maj 2016)

Kur e kam filluar leximin e dorëshkrimit me kujtime të z. Selatin Novosella për Adem Demaçin, ndjenja e parë që kam pasur ka qenë fati i tij për të bërë një jetë pranë tij, duke përfshirë edhe burgun. Fatin si fatum, do të thoshte Profesori im Shefki Sejdiu. Çfarë fati i autorit të jetojë në fqinjësi me familjen e Adem Demaçit, të ndikohej prej tij në jetën mendore dhe krijuese. Ky ishte fati i Selatin Novosellës, fati i të jetuarit me frymën e Demaçit, jo vetëm intelektuale, jo vetëm politike, në të vërtetë mesianike, fati i të bërit të burgut jugosllav së bashku e në frymën e idealeve të tij dhe e të bërit të një jete jashtë e brenda burgut me frymën atdhetare të tij. Nuk e dija ndërkaq, që në një nga intervistat e tij për televizionet e Kosovës e kishte theksuar këtë në një mënyrë a një tjetër, si trashëgimi individuale dhe si sintezë të mendjes historike.

E parë në tërësinë e kronologjisë së kujtimeve në këtë vepër, ato nisin në vitin 1953, por fillojnë së shkruari më 1962 dhe përfundojnë në ditën e ndarjes (2018). Në radhë të parë ato zhvillohen në dy linja: në linjën politike (si frymë idealiste) dhe në linjën e burgut (si linjë idealiste e tri burgjeve); në radhë të dytë, ato paraqesin si asnjëherë tjetër angazhimet e tij aktive në vitet ’90; në radhë të tretë shpërfaqet aktiviteti i tyre, si pjesë e drejtpërdrejtë apo anësore e strukturave aktive të përkrahjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998-1999); dhe së fundi, si frymë politike, kritike e shtetëformuese e pasluftës së Kosovës, deri në fund të jetës së Adem Demaçit (2018).

Në shikim të parë, përveç periudhës 1962-1990, sikur kemi përshtypjen që pjesën tjetër të jetës dhe të bëmave të Adem Demaçit i dimë dhe kemi informacion të plotë për të, por pasi i lexojmë kujtimet e Selatin Novosellës, kuptojmë sa të panjohura i kemi pasur për punën e tij, si dhe sa modeste e kemi pasur perceptimin për një çështje a një mesazh të Adem Demaçit. Ky mendim krijohet për faktin se kujtimet përfshinë vetëm ato momente në të cilat Selatin Novosella është i pranishëm: në shtëpi, në burg, në Lëvizje, në demonstrata, në institucionet partiake, në makinë, në vendndodhjet e UÇK-së, në kabinetin e punës, në takime partiake, në tryeza përuruese, …pranë varrit për t’i thënë lamtumirën e fundit! Pra, kudo ku ai është dëshmitar, dëgjues, e dialogues në prani të Adem Demaçit, i përshkruan ato situata me kujdesin dhe përkushtimin më të madh.

1. Zgjimi identitar

Periudha e parë e kujtimeve për rrugëtimin e autorit të kujtimeve z. Selatin Novosella me Adem Demaçin, fillon në mënyrë simbolike, me një anekdotë për Adem Demaçin, për të vazhduar me kujtimin për takimin e parë dhe leximet e porositë e tij letrare në Normalen e Prishtinës, si dhe martesën e Demaçit dhe shokët e Lëvizjes Revolucionare. Rrugëtimi i tij jetësor e krijues me Adem Demaçin përplotësohet me hyrjen e tij në Lëvizjen ilegale në të njëjtin grup me Adem Demaçin, me të dhënat për raportet e tij me vëllain Sabri Novosella dhe historinë e flamujve, si kult e si identitet, me arrestimin e dytë të Adem Demaçit dhe fatin e Lëvizjes kombëtare, me kujtesën për nënën Nazife dhe vdekjen e saj, me dënimin e grupit të Adem Demaçit dhe anëtarëve të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me rrolin kombëtar e krijues të romanit Gjarpijt e gjakut, si dhe përpjekjes për dramatizim të tij. Krijimi i Organizatës Ilegale, dënimi i parë mbështetur vetëm në deklaratat e bashkëkohësve, kryesisht krijues letrarë dhe sidomos botimi e ribotimi i romanit Gjarpijt e gjakut e ridimensiononte personalitetin e tij jo vetëm si objekt po edhe kult e frymë shpirtërore kombëtare. Vinë më tej demonstratat e vitit 1968 dhe rishfaqjen e tij si bard i zhvillimeve kombëtare në raport jo vetëm me Lëvizjen ilegale po edhe drejtuesit politikë e intelektualë kombëtar në institucionet shkencore e shtetërore. Burgjet jugosllave, ndryshe nga vitet ’40-‘50 mbushen me një numër të madh të burgosurish politikë, kryesisht mësues (që përfaqësojnë brezin e ri të intelektualëve shqiptar të formuar në shkollat shqipe të Kosovës e Maqedonisë), brenda të cilëve krijohet kulti e nderimin i të burgosurit politik, që më së mirë e si askush tjetër e shfaq i burgosuri i kohës Hasan Dërmakut “Po të më lejonin, do të rrija tërë jetën në burg me Adem Demaçin”.

Duke parë e lexuar tekstet e kujtimeve të Selatin Novosellës me Adem Demaçin, mund të krijojmë edhe korpuset tematike të tyre: burgun, letërsinë, ideologjinë/atdhetarizmin etj., por jo gjithnjë pastaj tek lexuesi mund të krijojmë kompleksitetin e jetës së vazhdueshme të dy protogonistëve kryesorë, të cilët njëkohësisht bëhen dëshmitarë historikë edhe të bashkëkohësve të tyre, sikur janë anëtarët e Grupit të LRBSh-së në Burgun e Pozharevcit, bisedat, diskutimet dhe idetë iluministe të Adem Demaçit, pa të cilat nuk mund të shkruhet biografia mendore dhe jetësore të tyre; bisedat për arritjet kombëtare në të gjitha fushat, me theks bashkimin kombëtar përmes Konsultës së Prishtinës(1968) e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe(Tiranë, 1972), një nga idealet e Lëvizjes ilegale dhe një nga parimet bazë të Programit të LRBSH-së. Si të tilla vëllimet lexohen si një rrëfim, si një histori në zhvillim, si një roman, ndërsa të sistemuara tematikisht ato e humbin funksionin e parë.

Në këto rrëfime hyn edhe historia e shkrimit të dramës nga Adem Demaçi, Politika dhe pushka përgatitjet, diskutimet për gjininë e dramës dhe parimet e shkrimit të saj, sjellja e dramave shqipe të botuara nga “Rilindja” e Prishtinës në burgun e Stara Gradishtes, fletoret në të cilat janë shkruara aktet e saj, si dhe mënyra e nxjerrjes së saj nga burgu paraqesin një nga shembujt e veçantë të nxjerrjes së veprave letrare nga burgjet jugosllave. Në këtë rrjedhë do parë edhe diskutimet mbi konceptet politike të shqiptarëve gjatë shekullit XX dhe mbi letërsinë si një nga përbërësit kryesor në jetën e tyre prej të burgosurish, zhvillimet e brendshme në burgjet jugosllave dhe pasigurinë e të burgosurve shqiptarë brenda tyre.

Janë po kaq karakteristike disa të dhëna të panjohura për daljen e Adem Demaçit nga burgu dhe përpjekjen e tij për bashkimin e organizatave ilegale për një qëllim të vetëm: bashkimin kombëtar; raportet ndërmjet familjeve dhe angazhimet e diskutimet e Demaçit në vizita, dasma e në mortje kudo nëpër Kosovë; analizat e tij e të bashkëkohësve të tij për dënimin e Demaçit, si kusht për rehatinë e pushtetarëve politikë e qeveritarë të Jugosllavisë; qëndrimi i një pjese të bashkëkohësve (politikë, intelektualë, e sidomos krijues) kundër tij, pas dënimit të tretë; transferimi dhe jeta e rrita e tij prej heroi së bashku me Mihailo Mihailov; interesimi e përkushtimi i bashkëkohësve ndaj familjes së tij; lirimi i tij nga burgu i tretë, (11 prill 1990), rreth gjashtë muaj para përfundimit të afatit të rregullt etj. Këtu, mund të themi se mbaron periudha e parë e përshkrimit të rrugëtimit të tij jetësor e historik.

Periudha e parë përmbush dhe përplotëson, si arritje të prekshme dy prej përbërësve kryesorë të Programit të Lëvizjes së Bashkuar Revolucionare Shqiptare. E nxjerr në plan të parë çlirimin kombëtar të Kosovës në kuadër të parimeve të përgjithshme (si segment më vete brenda kërkesës për bashkimin kombëtar) dhe realizon në plotëninë e tyre: dy kushtet e rëndësishme, gjuhën e përbashkët letrare dhe solidaritetin reciprok, i cili ç’është e vërteta, ishte realizuar në përmasa jashtëzakonisht të suksesshme edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

2. Zgjimi intelektual

Periudha e dytë e jetës dhe bëmave të tij fillon me të dalë të Adem Demaçit, “nga burgu i Stara Gradishtës në burgun e madh që i thonë Kosovë”. I pritur nga një popull i tërë, ai më parë se sa individit i ngjante Mesisë, prandaj qytetarët pa dallim prisnin në radhë para shtëpisë së tij, që të hyjnë dhe të dëgjojnë fjalën e tij, zërin e tij, mendimet e tij, diskutimet e tij, mesazhet e tij për burgun dhe lirinë, çlirimin dhe demokracinë, robërinë dhe bashkimin kombëtar, jetën dhe vdekjen. Në këtë kohë më mirë se askush tjetër portretin e tij e pati bërë Imzot Nikë Prelaj, kur në kishën e Ferizajit, para besimtarëve të pranishëm pati thënë: “A e keni parë Ju Krishtin? Ja ky burrë, Adem Demaçi, është Krishti vet. Çka ka bërë më shumë Krishti se sa ky burrë!?” (1990).

Rrëfimet e Selatin Novosellës për këtë periudhë janë të pasura ashtu sikur janë të pasura edhe angazhimet e tij, në raport me partitë politike dhe pushtetin serb, institucionet publike dhe përdorimin e tyre si pasuri qytetare dhe kombëtare, raportet me Shqipërinë, historinë dhe demokracinë, zhvillimet politike e qytetare, sikur është Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve (1990) etj.

Një pjesë e madhe e kujtimeve të Selatin Novosellës kanë të bëjnë me zhvillimet politike në Kosovës dhe përkushtimin e Adem Demaçit, i cili fillimisht mbante qëndrim përkrahës e përurues po pas vitesh ai gjithnjë e më shumë mban qëndrim kritik, si kusht i domosdoshëm për të mos i ruajtur Sllobodan Millosheviqit paqen në Kosovë dhe si kusht i domosdoshëm për faktorizimin e çështjes së Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare.

Zhvillimet bëhen herë në rrjedhë të kohës e herë në kundërshtim me to e me kontradikta të tjera. Sekush përpiqet ta bëjë deputet e sekush ta vendos në krye të ndonjë partie politike, disa të tjerë madje ta fundosin brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, brenda së cilës idealistët (kryesisht të burgosurit politikë) besonin se e kishte vendin për t’i lëvizur proceset përpara. Përkundrazi anëtarët e saj, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, besonin se aty shkonte për t’i përçarë. Disa të tjerë madje, e pranonin thjesht si anëtar të saj për të vazhduar avazin e tyre të vjetër, duke shquar dimensionin e demokracisë në pluralizmin e madh partiak të Kosovës nën Serbi. Është një dramë e madhe e Selatin Novosellës që në ato rrethana të zgjidhte deputet Adem Demaçin nga radhët e LDK-së pas vdekjes së Anton Çettës, por sikur mund të lexohet në përshkrimet e tij të shumta, klanet rreth LDK-së ishin shtresuar e strehuar në ato përmasa sa ishte tepër vështirë të depërtohej edhe për idetë dhe qëllimet më të mira.

Pas këtyre përpjekjeve Adem Demaçi në vitin 1997 del me idenë e rezistencës paqësore aktive, bashkimin e forcave të shpërndara intelektuale, politike, ushtarake e ekonomike. Në ndërkohë një grup intelektualësh të formuar në frymën e tij e të Profesor Rexhep Qosjes krijojnë një parti të re, Lëvizjen e Bashkuar Demokratike, të cilën do ta drejtonte Qosja. Në shikim të parë, kjo ishte thjesht një parti e njerëzve të zhgënjyer, por ajo shpejt do të bëhet institucioni i parë i përkrahjes politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe madje mbështetëse vendimtare në Konferencën e Rambujesë. Në të njëjtën kohë, që del në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Adem Demaçi, i përkrahur nga rrethi i ngushtë i të burgosurve politikë, sikur është Selatin Novosella e bashkëluftëtarë të tij, hap Selinë e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së. Nuk pranon të shkojë në Konferencën e Rambujesë për të mbetur roje e shtëpisë për ditët e momentet më të vështira të Kosovës. Fillojnë edhe bombardimet e NATO-s dhe përndjekja masive e popullatës nga Kosova, por ai qëndron në Kosovë, i bindur se “e ka rastin e fundit që të vdes për lirinë e Kosovës”.

Këtu përfundon, mund të themi edhe periudha e dytë e rrëfimeve dhe e rrugëtimit të autorit të këtyre vëllimeve me Adem Demaçin. Në këtë periudhë realizohet e plotë pika e dytë e parimeve të përgjithshme: çlirimi kombëtar i Kosovës dhe Bashkimi territorial (në të vërtetë hapja e kufirit ndërmjet Kosovës Shqipërisë dhe Maqedonisë si porta formale (e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare) dhe tregu i përbashkët, i cili është realizuar vetëm në disa pika, si rezultat i mungesës së vullnetit politik dhe interesave fiktive politike, partiake e klanore.

3. Zgjimi i gjakut

Megjithëse rrethanat politike e të sigurisë kishin ndryshuar, për Selatin Novosellën të qenit pranë Adem Demaçit tash më nuk ishte simbol i sakrificës, po sinonim i besnikërisë, dashurisë dhe miqësisë së përjetshme ndaj tij si njeri, si personalitet dhe si kult i kombit. Adem Demaçi në këtë kohë nderohet kudo dhe ngado, nga qeveritarë, partiakë, organizata politike e joqeveritare, institucione shkencore e arsimore, në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, flet për historinë, nderon bashkëluftëtarët e tij dhe personalitetet nga të cilët është frymëzuar: Mulla Ramë Govorin, Mehmet Gegën, Rexhep Malën, Adem Jasharin, Osman Dumoshin, Metush Krasniqin; rrethohet nga miq të vjetër e të ri, por për shkak të qëndrimit kritik që mban, gjithnjë e më shumë mënjanohet nga zgjedhja politike në pozita të mundshme presidenciale, parlamentare e ekzekutive. Ndërkohë që bardët e lirisë e shohin dhe presin që ai të jetë deputet e më shumë – deputet i përjetshëm, kryetar parlamenti e president, akademik e bard i projekteve nacionale, partitë politike dhe jo vetëm ato gjithnjë e më shumë e mbajnë larg këtyre mundësive. I mësuar me përjashtimet, linçimet e madje burgosjet Adem Demaçi bën historinë e tij me fjalimet, me diskutimet vendore e ndërkombëtare dhe i rikthehet shkrimit të letërsisë, viziton miqtë e vjetër dhe familjet e tyre. Shkruan disa vepra, duke përfshirë edhe kryeveprën “Dashuria kuantike e filanit”, ndërkohë që në ditët e fundit të jetës zbulohet dorëshkrimi i tij “Drith e miell bashkë”, shkruar rreth vitit 1960. Me jetën dhe veprën ai bëhet vetë Kosova, pa të cilin nuk mund të merret me mend as të shkruhet historia e saj. Bëmat e tij të fundit, si askush tjetër e përshkruan çdo ditë Selatin Novosella, hulumton dokumente e dëshmi të tjera çdo ditë, sistemon shtypin ditor e veprat shkencore në Shoqatën e të Burgosurve Politikë, si askush tjetër, miku i tij i jetës, Selatin Novosella dhe projekton një Institut, të cilin Adem Demaçi një ditë thekson se do të duhej ta drejtonte pikërisht Selatin Novosella.

Një kapitull më vete në këtë rrjedhë paraqet botimi i veprave të tij letrare në dhjetë vëllime, të cilat përurohen kudo në hapësirën shqiptare edhe në diasporën tonë europiane, xhirohen filma dokumentarë, bëhen intervista të pasura me karakter historik etj., ndërkohë që projekti i botimit të veprave të plota në sirtarin e Selatin Novosellës numëron hiç më pak se mbi 40 vepra.

Ndërkohë që mosha dhe sëmundja e tij bën që ai të largohet sado pak nga jeta politike dhe përgjithësisht shoqërore, në shtypin ditor e në media vendin e tij me rrëfime sikur e përplotëson për të gjallë, miku i tij, autori i këtyre shënimeve Selatin Novosella. Për shkak të numrit të madh të veprave që boton për të dhe rreth tij e bashkëkohësve të tij, ai shpesh është i pranishëm me intervista të rastit dhe me biseda përfaqësuese.

Pjesa më e madhe e teksteve të vëllimeve të fundit kanë të bëjnë me botimin e veprave të Selatin Novosellës kushtuar Demaçit, Lëvizjes ilegale dhe të burgosurve politikë, si dhe intervistave në mediat elektronike e të shkruara, të cilat në një mënyrë apo një tjetër ndërlidhen me jetën dhe veprën e tij.

Pjesa më e madhe e intervistave në televizion janë të gjata dhe me përshkrime të pazakonshme edhe në mediat e kohës, por nuk mund të mos e theksojmë faktin se ato asnjë herë dhe në asnjë mënyrë nuk e përsërisin njëra tjetrën, përkundrazi e përplotësojnë me nuanca të ndryshme historie dhe të karakterit e të frymës së tij.

Si e tillë kjo vepër prej disa vëllimesh, e shkruar nga një dorë dhe mendje, e cila i ka qëndruar gjatë, tepër gjatë, një jetë të tërë pranë Adem Demaçit, besoj të jetë një nga monumentet e mëdha të kujtesës demaçiane, sa në kontekstin historik e kronologjik, sa në kontekstin miqësor e shpirtëror.

Prishtinë, tetor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

Begzad Baliu: Bajram Krasniqi – sinonim i studiuesit dhe intelektualit