
Nga Emi Krosi
Poezia shqipe e Kosovës po merr një kthesë të re atë të post/modernes. Në vitet ’70/’80, evulucioni modern i poezisë së Kosovës me E. Mekulin, A. Podrimjen etj., kishte kohë që ishte pjesë e areralit të poezisë moderne evropiane. Por, viti 1990-të, riktheu atë prapë në shtratin e saj liriko-epik.
Shumë poetë të Kosovës, akoma ligjërojnë për/mbi elementët e çlirimtarëve: si UÇK-ja, Jasharët, Rugova etj., që herë-herë u del nga duart dhe bëhet “një çorbë e prishur”, duke u mbërthyer pas “lavdisë së rrejshme” apo si atdhetarë të shtirur dhe punëbërës për nevojat e xhepit. A është e gabuar, të shkruash për atdheun dhe lirinë? Askurrë! Por, këto rikthime duhet të kenë:
a) narrativa si shtresë poetike sa më afër vërtetësisë,
b) “abuzimi” me epikën, si topikë rrëfimtare dhe jo si narracion surrogat,
c) prania e kohës historike si primat letrar, jo si keqpërdorim historik.
Por ka dhe poetë si Arif Molliqi, që shkruan një lloj tjetër poezie, të çliruar nga ideologjia e një atdhetarizmi “të tredhur”, ku tashmë letërsia e ka flakur atë lloj domeni si të dëmshëm duke i shkërmoqur vlerat më të epërme të letërsisë, sidomos rrëfimit fiksion në poezi dhe prozë. Libri i Molliqit, “Premiera e një pranvere”, ndahet në këto pjesë: “Në fund të kopshtit”, “Natë në Bllacë”, “Lindim dhe vdesim për ty”, “Gjithçka prej fillimit”, që i qasen kohës pa përmendur kohën historike. Mungesa e faktit historik, formëson një narracion më të thellë, përmes këndvështrimeve dhe një narracioni të rrallë. Vargjet: të zez di futa/edhe gjurmët/edhe ulërimën/të zeza i kanë/sjellin futën, poezia: “Korbat”, përmes krahasimit, na rrëfen gjithë fabulën e poezisë. Krahasimi me korbin, është e keqja që ka pushtuar vendin dhe atdheun e tij. Por, që nuk mbart një narracion përsëritës apo të ngarkuar me vrasje/gjak/dhembje. Leximi i poezisë, sot është një mision. Se poezia as nuk shkruhet dhe as në lexohet. Poezia ndihet. Poezia shijohet me shpirt. Por, poezia po shkërmohet, mbi/në greminë. Sinteza e librit, kryekëput i adresohet, lirisë së Kosovës, por vetë simbolika e lirisë nuk është imitative, por e fshehur si kryemetaforë. Poezia ndërtohet mbi krahasimin. Ku ndërthuret koha reale dhe koha historike, herë me nota pesimiste, herë me kontraste të forta historike ku;
– vetëdija kolektive vs fatit tragjik të personit (Unit),
– qenësia individualiste përballë kontrasteve historike,
– amshimi dhe qëndresa përballë dashuri/urrejtjes,
– dhimbja dhe tragjikja, përballë mbijetesës dhe tjetërsimit,
– zvetënimi i traditës dhe rreziku nga zhbërja e identitetit,
– ngadhnjimi mbi të keqen dhe ndërgjegjësimi shoqëror.
Poezia nuk ka një ndërtim stilistik statik. Janë vargje të lira, ku krahas krahasimit dominojnë dhe metaforat si në vargjet: dreqërit e dehur me helmeta pinë njëri-tjetrin/ duke lëpirë qefinët në premirën e motit të lig, nga poezia: “Premiera e motit të lig”, që dukshëm dominon figura stilistike e krahasimit. Mjafton këto dy vargje, për të kuptuar jo vetëm dimensionin e poezisë, por dhe kumtin që mbart vetë libri, që në dukje aq i hollë dhe pa luks të tepruar, por përplot mesazhe drejt një lexuesi të thjeshtë, por elitar.
Nëse nuk pranojmë, se një vepër arti është bashkëkohore në kohën e vet dhe se është bashkokohore në kohën tonë, nuk janë fakte kundërshtore por plotësuese. Se leximi i teksteve të tilla është rikrijim identiteti, ku shfaqja dhe matja e koherencës semantike me koncepte të njohura të estetikës, quhet si një “distancim estetik” dhe në “kuadrin i formës”, lexuesi është “pikë referimi” për tekstin, që na ndihmon, në krijimin e kulturës reale, për të rindërtuar një rrëfim të së kaluarës, përmes përfytyrimit por dhe vëmendjes së “gjithësisë” që i kushton realitetit.
ObserverKult
Lexo edhe:






