
Ju ftojmë t’i lexoni dy poezi nga Majlinda Bregasi.
S’ka kohë për njerëz
Nuk është koha për ndjenja,
budallë!
Është koha me mbet akull
Larg këtij ylli të marrë
që na ka zënë rrugën.
Më mirë mos të shihemi ca kohë
Të kthehemi secili në rrugën e vet
pa e mbajtur tjetrin në mendje
si peshë e rëndë mungese.
Një ditë ylli do shuhet
e ne mund të hahemi sërish nga e para
në bebëzat e zmadhuara të njëri-tjetrit
ku luhet absurdi i dy njerëzve të hutuar nga vetja.
E pastaj ti kërkon falje
E m’i prek duart si padashje
E unë të përkëdhel me buzëqeshje
E ti bëhesh sërish fëmijë i lumtur
E unë sërish grua, grua e bukur.
Emigrantja
Ndonjlherë më duket se jetoj
në një ëndërr të madhe emigrantësh
në kërkim të një atdheu të vogël
ku nuk të duhet më të pastrosh
kujtimet e një gruaje tjetër.
E më ndodh të zgjohem
si kafja e mëngjesit
e një burri gjumash
që ta pin pikë më pikë
trupin e ngrohtë
pa pyetur fare se nga ka ardhur.
Atëherë pyes veten
si një fëmijë që përgjon pas derës
Sa vlen një udhëtim i gjatë
i një kokërre kafeje
drejt buzësh
që dinë të puthin vetëm veten.
ObserverKult






