Kultura e komunikimit dhe banaliteti i pasthirrmave

Nga Luan Rama

Përvoja prej disa vitesh punë në televizion që vjen si një pasurim i çmuar i përvojës në komunikimin publik, puna e mëhershme si gazetar dhe formimi filologjik, më shtyjnë të parashtroj disa mendime mbi kulturën e komunikimit, në një realitet mediatik gjithnjë e më agresiv e ku të gjithë po rendin pas podkasteve si një tendencë e re e komunikimit masiv.

Pasioni padyshim është i rëndësishëm dhe dëshira për t’u përfshirë në botën e komunikimit nuk mjaftojnë pa kulturën dhe zotërimin e cilësive intelektuale që të bëjnë të respektosh kodet e shenjta të artit të komunikimit.

Arti i komunikimit nuk është thjesht transmetim informacioni; ai është akt i ndërveprimit intelektual dhe emocional. Çdo fjalë, heshtje dhe tonalitet është pjesë e këtij arti, një mënyrë për të njohur dhe vlerësuar bashkëbiseduesin.

Si thekson profesor Artan Fuga, marrëdhëniet njerëzore nuk janë thjesht shkëmbim fjalësh, por artikulim i ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë; ky parim është themeli i çdo arti të komunikimit, ku fjalët nuk janë mesazhe të zakonshme, por ura të kuptimit dhe respektit.

Arti i komunikimit zhvillohet mbi vetëdijen për bashkëbiseduesin. Një gazetar ose moderues që e kupton këtë përdor fjalën si instrument për të krijuar dialog, jo për të imponuar emocionin. Fuqia e thjeshtësisë dhe vetëpërmbajtjes është themeli i kulturës së komunikimit. Ajo krijon besueshmëri, hapësirë për reflektim dhe një raport të drejtë midis fjalës dhe mendimit.

Filozofë të mëdhenj e kanë theksuar këtë dimension të komunikimit. Paul Ricoeur shpjegon se dialogu është interpretim dhe dëgjim i tjetrit, që kërkon empati dhe përgjegjësi etike.

Modelet që na ofrojnë gazetarë të famshëm, na dëshmojnë po ashtu fuqinë e këtij arti.

Gazetari i famshëm amerikan Walter Cronkite, i cili gjatë viteve 1960 – 1970 çmohej si njeriu më i besuar në Amerikë, transmetonte lajmet me qartësi dhe respekt për audiencën; Robert Fisk raportonte konfliktet ndërkombëtare me thellësi dhe qetësi; Larry King krijonte dialogje ku çdo bashkëbisedues ndihej i dëgjuar dhe i barabartë; dhe Christiane Amanpour, edhe në kushtet më të tensionuara ndërkombëtare, ruan një ekuilibër emocional dhe profesional, duke demonstruar se arti i komunikimit është i pazëvendësueshëm për autoritetin dhe besueshmërinë.

Në kontekstin shqiptar shpesh hasim kontraste që sfidojnë kulturën e komunikimit. Pasthirrma e pyetje habitore që më shumë se emocion shprehin naivitet, përsëritje të shpeshta dhe pa sens të asaj që thotë bashkëbiseduesi, si dhe përpjekje për ta vendosur veten mbi të intervistuarin, nuk janë vetëm gabime stilistike; ato janë dëshmi të banalitetit etik, janë shenjë mungese në cilësinë e formimit kulturor. Fjala nuk mund dhe nuk duhet të jetë mekanizëm për zhurmë, por pjesë e artit të komunikimit ku bashkëbiseduesi nuk është objekt, por partner në dialog. Kur kjo marrëdhënie degradohet, dialogu humbet dhe zëvendësohet nga spektakli i zhurmës dhe banalitetit.

Arti i komunikimit është një simfoni e heshtjes dhe fjalës, ku çdo notë ka kuptim. Sikurse në muzikë, tingulli më i thjeshtë mund të prekë më thellë se një orkestër e zhurmshme; po ashtu edhe në komunikim, vetëpërmbajtja dhe qartësia kanë efekt më të fuqishëm se çdo pasthirrëm spektakolar.

Çdo bashkëbisedues është pjesë e këtij arti; respekti ndaj tij nuk është rregull formal, por përbërës i domosdoshëm i kuptimit. Kur fjalët humbasin kontrollin dhe pasthirrmave, përsëritjeve pa sens apo përpjekjeve për dominim u lejohet të mbushin boshllëkun, simfonia e komunikimit kthehet në kaos. Ky kaos nuk dëshmon energji, por mungesë vetëdije për thelbin e artit të komunikimit dhe për rolin e audiencës si pjesëmarrëse.

Vetëpërmbajtja dhe respekti ndaj bashkëbiseduesit nuk janë kufizime; ato janë instrumente të krijimtarisë, që transformojnë çdo ndërveprim në një përvojë kuptimplotë dhe estetike. Në vend që të kërkojmë efekt dramatik përmes zhurmës, pasthirrmave dhe përsëritjeve pa sens, fuqia reale qëndron në respektin, qartësinë dhe harmoninë e fjalës, duke e bërë komunikimin një akt të shenjtë dhe një urë të vërtetë për njohjen reciproke.

Ajo që ndan komunikimin e kulturuar nga qasja sensacionaliste nuk është vetëm përmbajtja, por harmonia mes fjalës dhe heshtjes, mes mendimit dhe dëgjimit, mes profesionalizmit dhe respektit, duke e kthyer çdo ndërveprim në kulturën e komunikimit një praktikë intelektuale, etike dhe estetike, ku çdo bashkëbisedues ka vendin e vet të shenjtë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Milan Kundera: Testamenti i Franz Kafkës…