Ismail Syla: Oqeanet, avullimi dhe retë

ismail syla

Atlasi Ujor Metafizik

Nga Ismail Syla

Oqeanet nuk janë pesë trupa ujorë. Janë pesë mënyra se si Toka mendon veten si dhe pesë mënyra se si njeriu mund të jetojë pafundësinë. Tokës nuk i mjafton një oqean, sepse pafundësia nuk ka një fytyrë. Ajo ka pesë mënyra për të qenë e qetë, e thellë, e ashpër, e gjallë dhe e ngrirë, ashtu si njeriu.

Oqeani i Qetë – qetësia që mban peshën e botës

Oqeani i Qetë është oqeani i pjekurisë absolute, ku forca nuk shpërthen, por qëndron. Është oqeani më i madh, më i thellë dhe më i heshtur në përmasë. Ai nuk është i qetë sepse i mungon energjia. Është i tillë sepse e përmban energjinë pa u tronditur prej saj. Qetësia e tij nuk është pushim, por aftësi mbajtjeje. Ai mban pllaka tektonike, vargje vullkanike, thellësi që as drita nuk i njeh, dhe megjithatë nuk ka nevojë të flasë për këtë. Nga pikë-shikimi metafizik, Paqësori përfaqëson pafundësinë që nuk reagon, qenien që nuk ka nevojë të provojë veten, heshtjen si formë sovraniteti. Ai na mëson se autoriteti më i lartë është ai që nuk kërkon reagim. Është pjekuria absolute e qenies: gjendja ku forca nuk kërkon dëshmi, sepse ekziston si fakt. Në të, thellësia nuk shpërthen, por qëndron. Te njeriu, kjo është faza e qetësisë pas të gjitha betejave, autoritetit që nuk bërtet, prania që nuk kërkon miratim. Nuk është frikë nga përplasja, por besim se përplasja nuk e shkatërron më. Është fundi i nevojës për fitore.

Oqeani Atlantik – përplasja krijuese që krijon histori marrëdhëniesh

Atlantiku është oqeani më historik: lidh kontinente, ka qenë rrugë kolonizimi, migrimi, tregtie dhe konflikti. Ai nuk është oqean i qetë. Është oqean dialogu dhe tensioni, që nuk pranon izolim. Atlantiku lidh brigje, sjell erëra, krijon rryma që nuk lejojnë askënd të mbetet i paprekur. Historikisht, ai ka qenë rrugë, plagë, premtim dhe përplasje. Atlantiku është oqeani i marrëdhënies. oqeani i takimit me Tjetrin, hapësira ku identitetet përplasen, përzihen, transformohen, vendi ku historia lëviz.  Qenia këtu nuk është e vetmuar, sepse ajo ekziston vetëm duke u përballur me tjetrin. Identiteti nuk ruhet i pastër, ai transformohet. Te njeriu, Atlantiku është hapja që rrezikon, dialogu që ndryshon, dashuria që nuk garanton kthim. Është oqeani i atyre që rriten jo duke u mbrojtur, por duke u përballur.

Oqeani Indian – thellësia e ngrohtë dhe kujtesa e heshtur

Oqeani Indian është Ujanë e monsuneve, ritmeve ciklike, tregtisë së vjetër, dhe qytetërimeve të lashta. Ai nuk është spektakolar si Atlantiku, as monumental si Paqësori. Oqeani Indian nuk shpërthen. Ai rikthehet. Rrymat e tij janë ciklike, monsunet vijnë e shkojnë, dhe jeta rregullohet sipas ritmit, jo sipas momentit. Ky oqean mban kujtesën e tregtive të vjetra, qytetërimeve të heshtura dhe një kohe që nuk nxiton. Nga këndvështrimi metafizik Oqeani Indian është oqeani i kohës ciklike. Ai nuk e ndan jetën në fillime dhe funde, por në kthime. Këtu qenies nuk i kërkohet të shpikë veten, por ta mbajë gjallë. Oqeani Indian  përfaqëson  thellësinë që ushqen jetën. Te njeriu, ky oqean është tradita që nuk mbyt, memoria që nuk paralizon, rrënja që nuk kërkon shpjegim. Është identiteti që nuk ka nevojë të mbrohet, nuk ka nevojë të artikulohet me zë të lartë sepse e di se do të kthehet. Është oqeani i traditës së gjallë, ku jeta nuk ecën me thyerje, por me kthime.

 Oqeani i Jugut – etika e kufirit

Oqeani i Jugut nuk të pret, të vë kufi. Është i egër, i ftohtë, i pastër, dhe thellësisht indiferent ndaj ambicieve njerëzore. Ai ekziston për të kujtuar se Toka nuk është vetëm hapësirë për përdorim. Ky është oqeani i etikës kozmike. Ai na mëson se jo çdo gjë duhet të zotërohet, dhe se gjithçka duhet të pushtohet. Disa gjëra janë për t’u respektuar pikërisht sepse nuk duhet t’i përkasin njeriut doemos. Te njeriu, ky oqean është ndalesa morale, kufiri që nuk kalohet, vetëdija se pushteti pa kufi shkatërron jo botën, por vetveten.

Oqeani Arktik – pafundësia e ngrirë, koha e pezulluar

Arktiku është oqeani më i vogël, më i ftohtë dhe më i brishtë. Ai nuk rrjedh si të tjerët; ai pezullon. Oqeani Arktik nuk rrjedh si të tjerët. Ai ndalon. Akulli pezullon kohën, zëri shuhet, lëvizja ngadalësohet deri në kufijtë e ekzistencës. Ky është oqeani ku qenia nuk zhduket, por pret. Arktiku është gjendja ndërmjet: as fillim, as fund. Është qenia që nuk mund të ecë përpara, por as të kthehet mbrapa. Një pauzë ontologjike. Te njeriu, ky oqean është trauma e ngrirë, heshtja që s’ka fjalë ende, periudha kur mbijetesa është vetë forma e jetës. Dëshmi që edhe këtë mënyrë ekzistence duhet pranuar.

AVULLIMI, RETË DHE SHPIRTI QË KTHEHET NË FILLIM

Substanca e lehtë

Avullimi është shpirti i pastër, esenca që mbart të gjithë udhëtimin e materialit të Atlasit Ujor. Avulli nuk ka asnjë nga karakteristikat e fazave të kaluara, por ka brenda vetes kujtesën e të gjithave: impulsin e rrëkezës, ritmin e rrëkesë, bashkimin e përroskës, karakterin e përroit, pjekurinë e lumit, shpërbërjen e deltës, qetësinë e detit. I tej-çliruar nga forma, shpirti i ujit është përmbledhja e të gjitha formave. (Njeriu, në këtë pikë, nuk është më një histori lineare. Ai është vetë cikli, vetë energjia, vetë lëndë e rrugëtimit.) Avullimi është çasti kur qenia bëhet dritë. Uji i detit, që ka mbledhur peshën e gjithë botës, baltën e rrëkezave, kujtesën e përroskave, gërryerjen e përrenjve, ritmin e lumenjve, dhe shpërbërjen e deltës, nis të ngrihet. Kjo ngritje nuk është arratisje. Është lehtësimi i fundit. Uji humb formën përfundimisht: nuk është më trup, as rrjedhë, as thellësi, as qetësi. Ai bëhet avull, një substancë e lehtë, e pastër, e tejdukshme, që nuk ka më peshë, as barrë, as histori. Avullimi është çasti kur shpirti njerëzor e humbet krejt peshën e vet dhe bëhet dritë që mund të ngrihet. Kjo është faza e ngjitjes shpirtërore: kur njeriu, pasi ka kaluar të gjitha stinët e jetës, të gjitha korridoret e brendshme, të gjitha përplasjet me botën, lë pas vetveten si formë, për t’u bërë esencë.

Rikthimi drejt vijës – fillimi i ri

Retë janë fusha e pastër e shpirtit të liruar. Kur avujt ngrihen, mblidhen në qiell dhe bëhen re. Retë janë stadiumi i parë i shpirtit të liruar nga identiteti. Të pa forma, por të bukura. Të lëvizshme, por të qeta. Të gjera, por të padukshme në thelb. Në re nuk ka ego, nuk ka emra, nuk ka vijë rrjedhjeje. Ka vetëm liri të pastër. Retë janë metafora e shpirtit që është përtej njeriut, përtej trupit, përtej historisë së vet. Tani shpirti i ujit është në fazën e tij më të lartë: mund të shndërrohet në gjithçka, dhe nuk ka më nevojë të jetë diçka e vetme.

Reja nuk qëndron përgjithmonë re. Ajo, e mbushur me esencë, rëndohet, mblidhet, shtypet nga qielli i vetvetes, dhe më pas shkrihet në shi. Dhe shiu, me rënien e tij të parë, krijon vijën e ujit. Kjo është mrekullia ciklike e AUM-it: Shpirti i tretur në det ngrihet si avull. Avulli bëhet re. Reja bëhet shi. Shiu bëhet vijë. Vija bëhet rrëkezë, rrëke, përroskë, përrua, lumë, deltë, det. Oqeani?. A nuk është Federatë  Globale e Deteve. AUM nuk ka fund. AUM ka kthim. Sepse as uji nuk ka vdekje, as shpirti i njeriut nuk e njeh përfundimin.

Fjalët e fundit të Atlasit Ujor Metafizik

AUM mbyllet aty ku filloi: një vijë e hollë që pret shtratin ku do të rrjedhë e gjithë bota. Në këtë vijë të parë përmban thelbin e çdo forme që do të vijë më vonë. Kjo është filozofia e fundit e AUM-it: Çdo fillim është rikthim. Çdo përfundim është çlirim. Çdo formë është e përkohshme. Çdo esencë është e përjetshme. Uji ka vetëm transformime, asnjëherë shuarje. Ashtu si njeriu: nuk shuhet, por shndërrohet. Kjo është mbyllja e AUM-it, çasti kur universi i ujit rikthehet në origjinën e vet dhe origjina bëhet përsëri udhëtim. 

Fund

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Miti, qielli dhe bomba