Në Gjakovë u mbajt orë letrare kushtuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës

Nga Blerim Valla

Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”, në bashkëpunim me DKRS Gjakovë, për nder të Ditës të Pavarësisë së Kosovës, organizuan takimin letrar “Ora e Pavarësisë”.
Pas intonimit të Himnit Kombëtar dhe Himnit të Kosovës, u mbajt një moment nderimi dhe përkujtimi për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në fjalën e hapjes që e kishte kryetarja e QKPSHA Gjakova, Mevlyde Mezini Saraçi, ajo mes tjerash tha: “Sot jemi mbledhur këtu për të festuar përvjetorin e pavarësisë përmes fjalës së bukur poetike, për të mos harruar gjithë ata që dhanë jetën, u burgosën e u sakrifikuan për këtë ditë të madhe.
Sot në këtë sallë jemi të gjithë bashkë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, studentë, prindër, artistë, arsimtarë, poetë, motra dhe nëna, familje emblematike të dëshmorëve e të martirëve, ish-të burgosur politikë, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktivisë – e të shoqërisë civile nga komuna jonë, nga mbarë Kosova, Shqipëria dhe mërgata.

Me pjesëmarrjen e poetëve dhe mysafirëve nga Kosova, Gjermania, Amerika dhe mbarë diaspora, përmes vargjeve prekëse që i kushtojmë poezi 18 viteve të shtetit tonë me poezi plot emocion për trimërinë, për vuajtjen, por mbi të gjitha për krenarinë që sot gëzojmë pavarësinë e Kosovës!” tha pos tjerash organizatorja Mezini – Saraçi.

Kurse në emër të Drejtorisë për Kulturë të Gjakovës, përshëndeti Demokrat Zhubi. Këtë ngjarje letrare e nderuan pos shumë poetëve nga mbarë hapësira shqiptare edhe shumë mërgimtarë e veprimtarë kombëtar dhe artistë të ndryshëm.
Ishte nder, prania e nënave, motrave dhe grave të dëshmorëve dhe martirëve të kombit që e madhështuan festën e pavarësisë së Kosovës. Orën e Pavarësisë e madhështoi prania dhe interpretimi fenomenal e shumë artistik i recitatores së njohur Majlinda Nushi – Limani, e cila deklamoi poezinë me titull “Flini të qetë” të autorit Din Mehmeti. Ndërsa poezitë e tyre i lexuan shumë poetë e poetesha të njohura si:
Fjolla Muhaxheri-Agusholli, Gentiana Muhaxhiri, Blerim Valla, Dafina Roka, Pal Sokoli, Klejda Plangarica, Ismet Delija, Tixhe Rexha Gërçari e shumë të tjerë.
Kjo orë letrare ishte një homazh për sakrificën, lirinë dhe rrugëtimin e shtetit tonë, duke dëshmuar se kultura në përgjithësi e në veçanti poezia janë një nga shtyllat më të forta për ruajtjen identitetit dhe ndërgjegjes sonë kombëtare.

Fotografitë: Shkëlzen Rexha

ObserverKult


Lexo edhe:

Blerim Valla: Magjia e Librit!