reklamë

Në mungesë të një fotoje

Nga Arjola Kondakçiu

S’kisha parë kurrë dikë të shijonte aq shumë akulloren në atë ditë të ftohtë vjeshte, aq sa dhe era lozonjare u josh duke ia ngatërruar flokët e gjatë dhe të zinj, që u përlyen me akulloren e bardhë! Ajo qeshi me tingëllimë ëmbëlsie, saqë edhe me buzët e kuqe dhe flokët e zinj më ngjasoi me Borëbardhën e përrallave. A thua të ishte vërtet ajo e kohëve moderne apo një engjëll?! Por ajo, ishte Ajo! Unike! Edhe pse thonë që nuk ndodhin më mrekulli, ishte një mrekulli reale. E thjeshtë dhe plot mirësi. Ndoshta prandaj era xheloze e përqafonte me dinakëri, e sikur të mos mjaftonin fshikullimet e stuhive të jetës, donte t’ia rrëmbente edhe atë buzëqeshje të pakursyer në buzët që mbroheshin pareshtur nga akullorja e bardhë. Ah, ajo ngjyra e bardhë që përkonte si për inerci me shpirtin e saj të pastër!
…U përpoqa ta ndihmoja që të rregullonte flokët, por ajo se hoqi çiltërsinë e buzëqeshjes dhe nuk e ndali shijimin e akullores, që me sytë që i ndriçonin plot shpresë dukej sikur i jepte energjinë pozitive që i duhej një femre të hekurt, për t’ia shtuar ngjyrat e mirësisë asaj bote të zezë në errësirën e natës. Ajo natë ishte vërtet e errët, por ashtu si makiatoja që kishim pirë pak para këtij momenti, së cilës përtej përzierjes ia ndiemë aromën origjinale falë efektit të një bisede të larmishme, po kështu edhe kjo akullore e bardhë ngjitur nëpër flokë ishte si një ogur i mirë.
Ndërsa prekja akulloren e ngjitur midis fije flokësh, m’u kujtua ai betimi që bëra kur isha fëmijë me një vajzë, që duke pirë pikëzën e gjakut në gishtin e njëra- tjetrës, në shenjë besnikërie thamë: “Jemi shoqe përjetë”!
Kësaj here, betimi ynë që fliste më shumë se heshtja e fjalëve nuk ishte i kuq, por plot bardhësi paqeje, e mira F…!

ObserverKult


Lexo edhe:

Zija Çela: Shkëlqim apo mashtrim?