reklamë

Ndue Dedaj: Semantika e shndritjes shpirtërore

– Ese hyrëse e librit poetik “Unë humbësi yt”, Tiranë 2025-

Nga Ndue Dedaj

Ngjizja diellore e poezisë

Poezia është pagëzim i shpirtësisë. Metafora e parë e njeriut duhet të ketë qenë ajo e diellit, pasi qysh foshnje në djep, para se të kthente kryet e të shihte nga toka që e përkundte, kundronte nga lart diellin. Toka dhe e rrëzonte ndonjëherë njeriun, kurse dielli veç e ngrohte pa kushte. Kështu duhet të ketë lindur kulti i Diellit, si kulti i parë i njerëzimit. Prometeu u turr andej nga qerrja e Diellit, mori atë urën profetike të zjarrit dhe ua solli njerëzve. E ku tjetër mund të prodhohej zjarri, përpos se në diell? Dielli kishte perëndinë e tij Apollonin, shenjën zodiake, rrezet dhe ylberin, lindjen dhe perëndimin, muzgun dhe rilindjen njëherë në njëzet e katër orë, pozitën astronomike dhe shtjellën kozmike, poezinë dhe toponiminë. Të parët janë betuar: “Për atë diell që ndiçon dhenë!” Dantja thoshte se hyji “lëviz diellin dhe yjt e tjerë”.

Qasja e njeriut ndaj diellit nuk kryen, as në kohë moderne. Dielli është e vetmja monedhë që as ndërron e as soset kurrë, si ari, ngjyrën e të cilit ka. Metafora e diellit nuk rresht, pasi është misteri i tij i parrokshëm e përgjithmonshëm dhe teknologjia, sado e fuqishme, mund të prodhojë energji diellore, por jo metafora. Dielli i dhimbjes njerëzore është ai Eposit të Kreshnikëve, mishëruar në vargun e papërsëritshëm: “Fort po shndrit ai Diell e pak po nxenë”. Në librin e Kishtarit thuhet se “nuk ka asgjë të re nën diell” dhe ky është shikimi i Krijuesit, ndërkohë që ai i njeriut është krejtësisht tjetër, ngaqë njeriu nuk është Zot. Kështu vajtimorja mirditase, si e ardhur nga kohët homerike, shqipton vargun: “Veç hanë e diell nuk kishin ndërrue”, ku me sa duket është i vdekuri, që pasi ka vizituar mbitokën, kur kthehet prapë nën dhé, iu thotë atyre të shumtëve, se atje, dmth mbi tokë, gjithçka kishte ndërruar, përpos diellit dhe hanës!… Mendja e njeriut është e pllenuar nga fantazia e pamatë, e përtejtokshme, por dhe e përtejdiellshme. A nuk kemi mallkimin planetar: “Shkofsh mbrapa diellit”, që do të thotë se njeriu e imagjinon dhe largësinë përtej gjigandit të ndezur qiellor. Prej diellit kemi fjalët e bukura shqipe: diellnajë, diellore, diellsi, përdiellur, apo trajta poetike diellshi, proverba “Nuk mbulohet dielli me shoshë” etj.

Dielli është perëndia që shohim. Sa ç’është i njohur, aq është dhe i mistershëm, prandaj poezia nuk mund të bëjë pa metaforën e diellit. Poetët, ashtu si profetët, kanë dhe ata kultin e diellit të parin. Mbase bash për këtë Pjetër Bogdani krijoi, apo e përktheu nga Bibla, atë distikun e rrallë, që i kushtohet bukurisë së femrës: “veshun me diell, mbathun me hanë”. Poeti sivëlla i tij, Luk Bogdani e sublimon bukurinë që del prej gurit (Gurit të Hasit, Hasit të Gurit) në vargjet himnizuese kushtuar vashës, që është si një zanë, drenushë (sutë):

“Duel Gurit bukuria
zana si nji sutë e naltë
që s’kish mbrenda Veneqia
të Pashtrikut muer maltë”.

Në të njëjtën hulli, At Gjergj Fishta vjershën e tij të njohur “Shqypnija” e nis duke iu drejtuar diellit dhe hanës:

“Edhe hâna do ta dije,
Edhe dielli do t’két pa,
Se përqark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ka!”

Ndre Mjeda e quan gjuhën shqype “diell pa hije”, kurse tek vjersha “I tretuni” ai i drejtohet diellit si në rapsoditë e eposit të kreshnikëve, por me një dhembëshuri të thellë vetë-lamtumire:

“O ti diell, qi pá nji hije
Mbî Bjeshkë t’Nênuma shkelxên
Per mue ndoshta atà shkambije
S’ké me i shndritë kah shkon e vjen”.

Migjeni, “vullkani që fle i fashitun” në “Kangët e Pakëndueme”, vjen një çast e zgjohet brenda vetes, nga dielli i tij alegorik:

“Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën”.

Dielli rrezaton fort në poezinë e mëhershme dhe atë bashkëkohore. Poeti portugez Fernardo Pessoa thotë: “I preva lidhjet me diellin e me yjet, i vura pikë botës”. Kurse Azem Shkreli në poezinë “Dukagjinçe” shkruan: “E poqën Diellin e bakërt të bukës”.Për Lindita Ahmetin “Shqipëria është orakulli ku vashat e kanë zbuluar fronin e birit të diellit”.

Ndoc Gjetja hyri si një “Rrezatim” diellor në poezinë shqipe, duke shpallur si diell të vetin njeriun. Lirikat e tij janë çaste shpirtërore që iu kushtohen vajzave, shokëve, shpirtërave…

Në librin tim poetik “Këndej kaloi koha” (2001), në poezinë “Lulet e mjegullës”,fantazia e shpie dhe gjënë tokësore në diellin e përfytyruar si një det:

“Shtëpia ime në një cep të diellit
Vozit si lundër”.

Metafora e diellit në letërsi nuk është vjetëruar e mplakur aspak nga motet. Ka dhjetëra tituj veprash letrare me fjalën diell.

“Nuk ka diell pa hije, hija e diellit është nata”, shkruante Alber Kamy. Kurse Naimi ynë ka lënë shprehjen profetike “Dielli lind andej nga perëndon”. Dielli nuk mund të mos ishte dhe një metaforë popullore e ironisë, “sheh ëndrra në diell”, është një fjalë e urtë, për dikë jashtë realitetit, që nuk bën asgjë por vetëm pret.

Dielli do të vazhdojë të jetë i vetmi i gjithëpushtetshëm dhe mister universal, pasi atij asnjëherë nuk do të mund t’i afrohet asnjë trup i huaj, natyror apo motorik, si anije kozmike etj. Ai nuk do të mund të lakmohet e të pushtohet nga lakmiqarët dhe “grabitqarët” e ardhshëm planetarë, që do të sulën një ditë të ngrënë kullat e biznesit dhe të krenarisë së tyre në planetin e kuq Mars etj. Dielli nuk do të ketë kurrësesi fatin e tokës, të zhbihet nga njeriu, por do të vazhdojë t’i dhurojë asaj ngrohtësi dhe dritë, natyrore dhe artificiale. Njerëzit do të vazhdojnë të thonë “aty ku hyn dielli nuk hyn mjeku”. Poezia do të vazhdojë ta lus diellin si një perëndi që kurrë nuk ka për t’u vënë në dyshim apo diskutim, pasi dielli të sheh dhe e sheh. Dielli është drita, ajri, kuptimi i ekzistencës. Njeriu kërkon të mos ia zënë diellin, edhe pse diellit të fortë të verës i shmanget, duke u futur në hije. Por dhe pse është Diell, atij herë pas here i bën eklips Hëna, si për t’i treguar se nuk është absolut, errësohet në pikë të mesditës dhe duhen vënë xhama të zinj për ta parë! Dy gjëra i bien e njeriut në kokë dhe e “trullosin”, të dyja fillojnë me D, dielli dhe dashuria. Dielli që i ra në kokë Mërsoit të Kamysë e bëri të vrasë në plazh kot së koto një arab, ashtu siç dashuria e shndërruar në pamundësi apo xhelozi shpesh ka bërë krime.

Njeriu që shuhet një ditë dhe nga gjerat e natyrës humbet vetëm Diellin – dritën, pasi në mos pastë tokën atje thellë, do të ketë nëntokën, në mos pastë pemët, do të ketë rrënjët e tyre, në mos pastë shirat, do të ketë ujërat e nënsheshme.

Ringjallja e gjethit si metaforë

Ka hyrë prilli. Mali po vishet me gjethin e ri. Nuk mund të ketë një pamje më hyjnore në tokë. Kjo është metafora e blertë e ringjalljes së drurit, barit, natyrës, ujit… Njeriut. Shpirti i romantikëve këndellej mes drandofilleve, kurse njerëzit modernë iu dorëzuan urbanes. Natyra tani ishte e kultivuar dhe me “racion”, në parqe, lulishte, vazo lulesh, ku ringjallja e gjethit të ri nuk mund të jetë kurrësesi e madhështishme si në një pyll. Këtë arti e sjell në trajta të madhërishme, si poezia e Bajronit e Pushkinit, simfonitë e Bethovenit, piktura e Van Gogut etj. Poetët shqiptarë ishin po aq dhe europianë, bardi i madh i Arbëreshëve De Rada e kishte vargun dhe emrin si francezët, Naimit i mjaftonte vetëm emri për t’u njohur si poet, Fishtës vetëm mbiemri, emri i Migjenit ishte një akronim i rrallë.

Do të vinin pastaj dhe dy poetë të shquar, Martin Camaj dhe Frederik Rreshpja, që ishin veçse një hap afër teje, por “nëntë male” larg vetes, njëri në liri në botën e lirë, por pa lirinë e Atdheut, tjetri në ngujimin e diktaturës, pa lirinë e Atdheut dhe as të botës, ama të vetevetes po. Gjer te poetët miq të afërt të një gjysmë shekulli të autorit të kësaj eseje, me të cilët na lidhën auditoret universitare, pasuniversitare apo stacione të tjera të jetës: Ndoc Gjetja, më i fismi poet “bir i njeriut” ndër vise veriore, që e bekoi poezinë shqipe si një shenjtor; Rudolf Marku, ndër të paktët poetë prijetarë të poezisë moderne shqipe nga vitet ’70 e më sot; Preç Zogaj, poet i modernitetit dhe emancipimit të poezisë shqipe që prej viteve ‘80; Ilirian Zhupa, bardi i viseve të Jugut, i bekuar me muzën e “të gjallëve dhe të vdekurve”, që hyri si një princ në antologjinë e poezisë moderne shqipe. Është aty po ashtu një poet i lindur i lirikës mesdhetare, Grigor Jovani, tashmë i ndjerë.

Ndër shumë poetë të shquar, fati ka dashur të njiheshim dhe me “vëllaun” Din Mehmeti nga Gjakova, siç i pëlqente atij të më quante e Dhori Qiriazin nga Kolonja, ku ky i fundit do të ishte dhe një kumbar i poezisë sate, duke shkruar disa radhë inkurajuese në gëzetë e, njëzet vite më parë, duke na nderuar me praninë e tij në një promovim libri në Tiranë. Jemi njohur herët me Moikom Zeqon e Sadik Bejkon e vonë me Sulejman Maton, poetë të rendit të parë të poezisë shqipe dhe miq të çmuar. Ali Podrimja, me të cilin patëm fatin të takoheshim disa herë, u shua te një lumë në Paris, por ai më parë ai ishte “shuar” te një tjetër lumë, “Lum Lumi” i tij poetik, ku dhe ishte ringjallur si një poet i sublimes.

(Ri)ardhja e Beatris si dashuri

Poezia shkruhet gjithnjë nga e para.

Nuk mendoj se mënyra si me shkrue poezi mësohet nëpër traktate, manuale poetike apo klube letrare, fundja nga cila shkollë mësuan ata që më pas u bënë vetë “shkollë” për të tjerët. Poetit i duhet një udhë, një flamur, një lis, një krua, një det, që t’i vijë muza? Jo, atij i mjafton shpirti i tij. Të mos ishte shpirti, nuk do të ishin fjalët mbi letër, notat mbi pentagram, ngjyrat mbi telajo. Jorge Luis Borges shkruan:

“Disa herë mbrëmjeve na shfaqet një fytyrë
Që na sheh nga thellësia e një pasqyre;
Arti duhet të jetë si kjo pasqyrë
Që na shfaq tonën fytyrë”.

Poezia si shpirtësi e artit është njeriu, fatlumturia dhe brenga e tij.

Poezia është aq e re, sa ç’është e lashtë. Ajo kurrrë nuk vjetërohet, ashtu si statujat e antikitetit, që ruajnë një freski dy-tri mijëvjeçare. Fytyra e Monalizës është si të jetë pikturuar dje. Njerëzit nuk kalojnë para saj nga kurreshtja e një “gjysheje”, porse ende nuk ia kanë zbuluar enigmën dashurore që fsheh. Arti është i pavjetrueshëm, i pazbërthyeshëm dhe i patjetërsueshëm. Gjuha në vetvete, por sidomos ajo e metaforës po ashtu. Safo është “dashnorja” e parë e poezisë dhe e tillë ka mbetur dhe sot, lirike, erotike, ndjellëse. Asnjë poeteshë pas saj nuk ka qenë ndryshe, veçse (si) ajo. Safo erdhi për të thënë se poezia është dashuri, bota është dashuri. Jashtë kësaj ndjenje dhe ndjesie bota është shurdhe, memece, pa gjuhë, pa shqisa, pa tinguj. Beatriçja është muza e Dantes. Në gjithë atë ferr njerëzor, ka një dritë fëmërore që e bën poetin të besojë në njeriun:

“O vashë në virtyte e cilësi mbulue,
që njerëzimit dritë ma shumë i dhe
se qielli që shkon rrathët tue ngushtue”.
(“Ferri”, kënga e dytë, vargjet 73-75).

Nuk dimë si do të kishte qenë qasja e poetëve të tetëqind vjetëve pa hirin poetik dashuror të Komedisë Hyjnore, ku dhe dashuria s’mund të jetë ndryshe, veçse hyjnore. Kështu Beatriçja ka ardhur e riardhur pafundësisht si frymë, si mishërim artistik, me Penelopën, Helenën, Maria Magdalenën, Zhulietën, Ema Bovarinë, Ana Kareninën etj., për të ardhur në kohën moderne te Katerina Blumi e Hajnrih Bël, Mariana e “Nata me henë” të Ismail Kadaresë etj.

Beatris do të vazhdojë të vijë si një muzë, pasi nuk mund të ketë poezi pa dashurinë dhe dashuri pa poezinë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Dedaj: Fjalë të huaja “shqipe”