reklamë

“Ballëprise”, poezi nga Flutur Mustafa Pllana

Mbrapa butësisë teme ka fjalë që digjen kadalë
Të cilat më bajnë me kafshu gjuhën fort para se me i thanë.
Por i mendoj, dhe aty janë, i ndjej!
Se di të ndjej, fort, pa kërkimfalje.
Në zanin tem nuk asht’ brishtësia kryefjalë,
Edhe pse i prinë fuqisë teme n’beteja.
Por në beteja të hueja më asht dashtë me i kallzu dhambtë,
Kam refuzu, për të huejt e zemrës, me u fliju.
Kam frikë, se po u bana e fortë, nuk kam me kenë unë.
Se unë kjaj, e bërtas, çirrem po asnjiherë s’pranoj të hy në ujë.
S’pranoj botën teme me e ngushtu, për hatër.
Por në thelb, me ndje, nuk asht’ dobësi.
Kam frikë se n’baftë me ra nata,
nuk kam me kenë rahat në lëkurën teme,
Në atë që puthet, shkrihet e përcëllohet, përhinet…
Kam frikë se hiret e mia, kanë me tradhëtu, para zemrës!
Kurrsesi mendja, e cila vjen te ti, e rrebelume, pa kufinj!
Dhe s’kam frikë me e pranu se kam me harru me dashtë vedin,
Nji ditë, tuj dashtë, të tanë me i dashtë.
Unë jam ballëprise!
Si ditën me diell, edhe natën me hanë!
Se ma së pari, jam gru, mandej jam nanë!

ObserverKult


Lexo edhe:

Flutur Mustafa: Qysh e paloni dashninë?