reklamë

Alis rrëfehet për këngën “Nan” dhe ankthin e Eurovizionit

Në një rrëfim sa profesional aq edhe njerëzor, përfaqësuesi i këtij viti i Shqipërisë në Eurovizion, Alis, ishte i ftuar në emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana.

Mes emocionesh të forta dhe detajeve të pathëna më parë, Alis ndau me dëgjuesit magjinë e një periudhe që ai e cilëson si më të bukurën e jetës së tij, duke na zbuluar prapaskenat e takimeve me fansat nëpër Evropë dhe përgatitjet për skenën e madhe në Austri.

​​I gjendur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, Alis pranon se ritmi është i ethshëm, por çdo sekondë vlen. “Është një periudhë shumë e ngarkuar, por sinqerisht është ngarkesa më e bukur që mund të ketë një artist”, u shpreh ai. Duke shijuar çdo dinamikë që përditshmëria e zakonshme nuk t’i fal, këngëtari zbuloi se shpesh i thotë vetes: “Shpresoj që kjo gjë të mos mbarojë. Shijoje!”

​​Dalja e tij e parë si i ftuar në finalen bullgare ishte momenti kur Alis kuptoi përmasat e mbështetjes jashtë kufijve. “Vinin pafund mesazhe ku më shkruanin që shpresojmë të fitosh. Ishte një lloj përqafimi nga një vend tjetër”, kujton ai. Por, ishte Suedia ajo që e “shokoi” për mirë. “Nuk e prisja që atje do e këndonin këngën time fjalë për fjalë në shqip”.

​Një nga momentet më drithëruese të bisedës ishte dëshmia e dy motrave që kishin udhëtuar nga Polonia vetëm për ta takuar në Suedi, në një nga stacionet e turneut promovues. Ato i rrëfyen Alisit se kënga e tij ishte bërë ura lidhëse me mamanë e tyre të ndjerë. ​“Më thanë se kjo këngë i kishte bërë të ndiheshin më afër me nënën e tyre, sikur i ka kthyer në kohë ose sikur e ka kthyer atë pranë tyre. Janë momente kur mbes pa fjalë. Mbushem dhe kjo nuk ka çmim”, u shpreh artisti me zërin që i dridhej.

​​Me publikimin e videoklipit zyrtar të këngës “Nan”, Alis sqaroi se qëllimi ishte trajtimi i një teme të fortë me shumë finesë, pa e “bërtitur” dhimbjen. Megjithatë, vëmendjen kryesore e mori pjesëmarrja e nënës së tij në klip. “Nëna për fëmijën bën çdo gjë. Ajo u emocionua kur i thashë që dua të jesh në videoklip. Më pyeti se sa veta do të jenë aty”, tha Alis, duke treguar me të qeshur frikën e saj të ëmbël para xhirimeve: “Të tanë do më shohin mu? Nuk bëhem, kam zor”. Megjithatë, ajo është sot pjesa e tij e preferuar në video.

Andri Xhahu nuk mund të linte pa ngacmuar artistin për mundësinë që nëna e tij ta shoqërojë edhe në skenën e madhe të Eurovizionit. Alis, me mjeshtëri, zgjodhi të mos përgjigjej drejtpërdrejt, duke e kaluar bisedën me pyetjen: “A je lodhur?”. Megjithatë, ai la të kuptohet se surprizat nuk do të mungojnë: “Ndoshta nuk do të jem vetëm në skenë.”

Gjatë bisedës në studio, Alis nuk ngurroi t’u përgjigjej edhe pyetjeve të shumta që kishin mbërritur nga fansat e tij, duke zbuluar kështu detaje mbi performancën që po përgatit dhe raportet e ngrohta që ka krijuar me artistët e tjerë konkurrentë.

​​Përtej garës, Eurovizioni i ka dhuruar Alisit miqësi të vyera, veçanërisht me Aidanin dhe Satoshin. Me Aidan, të cilin e quan “binjakun” e tij, lidhja nisi që në Bullgari dhe u “vulos” në Tiranë me raki shqiptare. “Përveç se e pëlqeu, nisi të flasë shqip!”, tregoi ai duke qeshur, ndërsa vlerësoi edhe gjestin e përfaqësueses së Qipros, Antigoni, e cila ishte e para që e uroi pas fitores në Festivalin e Këngës.

​Në fund, Alis premtoi një performancë të kuruar deri në detaje nga një ekip ndërkombëtar, duke mbajtur pezull kureshtjen e të gjithë shqiptarëve. “Do të jetë një performancë e bukur, por nuk dua të jap detaje sepse kur i them gjërat, nuk më bëhen!”, tha ai. 

ObserverKult


Lexo edhe:

Konkursi “Biber” i hapur deri në maj, ftohen autorët të aplikojnë