reklamë

Gravura e vitit 1886 tregon mullirin e hershëm të Prishtinës (video)

Një gravurë e vitit 1886, nga arkitekti dhe piktori çek Vladislav Titelbach, e publikuar në revistën gjermane Das Buch für Alle, tregon një mulli uji në Prishtinë gjatë periudhës osmane. Gravura dokumenton ndërtimin dhe mekanizmin e mullirit, si dhe jetën përreth tij, duke u konsideruar një nga dëshmitë më të hershme vizuale të arkitekturës tradicionale në Kosovë.

Një gravurë e vitit 1886, e realizuar nga arkitekti dhe piktori çek Vladislav Titelbach dhe e botuar në revistën gjermane Das Buch für Alle (das buuh fyër ale), sjell para publikut një nga paraqitjet më të hershme arkitektonike të Prishtinës.

Ilustrimi paraqet një mulli uji në Kosovë gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, duke dokumentuar me saktësi mekanizmin teknik, jetën shoqërore dhe peizazhin e kohës. Kjo skicë konsiderohet një burim me vlerë të veçantë për historinë e arkitekturës dhe etnografisë në vend.

Një imazh i rrallë nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë hedh dritë mbi jetën dhe arkitekturën tradicionale në Prishtinë. Ilustrimi paraqet një mulli uji mbi rrjedhën e një përroi, në një peizazh të pyllëzuar dhe shkëmbor, karakteristik për zonën përreth Prishtinës.

Në kohën kur është realizuar gravura, Kosova ndodhej nën administrimin e Perandorisë Osmane, në kuadër të Vilajetit të Kosovës.

“Si arkeolog na bën shumë kënaqësi të dalim në ekspedita të ndryshme në Evropë. Gjatë vizitave dhe punës tonë në vende të ndryshme, vazhdimisht punojmë pranë antikuareve dhe gjithmonë gjejmë diçka për vendin tonë. Njëra prej tyre është për Prishtinën, kështu që u gëzuam shumë, pasi është një nga paraqitjet e para arkitektonike të një objekti në Prishtinë, kjo e mullirit, e realizuar nga një çek. Nuk është e lehtë të gjejmë vendndodhjen e saktë të mullirit, pasi Prishtina ka qenë më e vogël dhe ka ndryshuar gjatë kohës”, theksoi Kaltrina Igrishta, doktorante në arkeologji.

Titelbach, i cili kishte studiuar arkitekturë në Pragë dhe kishte zhvilluar veprimtarinë e tij në hapësirën ballkanike, njihej për dokumentimin e jetës tradicionale dhe arkitekturës popullore. Në këtë gravurë ai nuk tregon vetëm ndërtimin e mullirit, por edhe mekanizmin e tij të brendshëm – turbinën, gurët e bluarjes, sistemin e furnizimit me ujë dhe mënyrën primitive, por funksionale, të funksionimit.

Përveç aspektit teknik, ilustrimi përfshin edhe elemente të jetës së përditshme: fshatarë që presin radhën për bluarje, biseda pranë hyrjes së mullirit, si dhe besëtytni popullore lidhur me prishjen e mekanizmit. Sipas autorit, kur mulliri ndalej, faji i atribuhej forcave të mbinatyrshme – një pasqyrim i botëkuptimeve të kohës.

“Ilustrimi i mullirit është shumë i hollësishëm për mekanizmin e tij, gjë që e bën pjesën teknike shumë interesante. Gravura tregon elemente etnografike, si njerëz që bëjnë miell, një fëmijë dhe një grua me kostum tradicional, duke ofruar një pasqyrë të jetës së zonës. Përveç kësaj, është interesant edhe për studiuesit e arkitekturës”, tha Lekë Shala, doktorant në arkeologji.

Kjo gravurë mbetet një nga paraqitjet më të hershme të detajuara arkitektonike të një objekti në territorin e sotëm të Kosovës. Studiuesit e konsiderojnë atë një burim të rëndësishëm krahasues për tipologjinë e mullinjve tradicionalë në rajon dhe një dëshmi të çmuar të trashëgimisë ndërtimore të periudhës osmane./rtklive

ObserverKult


Lexo edhe:

Alda Bardhyli: Kur historitë na lidhin