
Nga Saime Isufi
Sot dua të ndaj disa mendime për librin më të ri të autorit Ismail Syla, “Manifest në brinjë” (lirikë burgu)
Me autorin më lidh një rrugëtim i hershëm, koha e veprimtarisë së fshehtë për çështjen e Kosovëns Kjo e bën leximin e këtij libri edhe më të veçantë, sepse vargjet nuk i lexova vetëm si letërsi, por edhe si dëshmi e një kohe të jetuar.
Librin ma dhuroi Ismaili gjatë promovimit në Zvicër të librit të tij “Ëndërr në zarf”.
Ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë vepër është thjeshtësia e gjuhës dhe thellësia e përjetimit. Duke ditur se autori ka qenë i burgosur në fund të vitit 1981, ndërsa libri botohet në vitin 2025, këto poezi marrin një dimension të veçantë: janë kujtime të përpunuara në kohë, të qeta në shprehje, por të fuqishme në ndjesi.
Në ciklin “Objektet e ditës së errët”, sendet më të zakonshme: muret, dera, dryni, dritarja etj., shndërrohen në simbole të kufizimit, ndërsa vargu “nuk di ta shqiptoj fjalën i lirë”, shpreh një gjendje ku mungesa e lirisë depërton deri në vetë gjuhën.
Në poezinë “Këputja e ëndrrës”, vargu “ëndrra ime mësoi të qëndrojë këmbëzbathur” është një nga figurat më të bukura të këtij libri: edhe pa shpresë, ëndrra nuk zhduket, por përshtatet.
Në “Gur në dritare”, guri krahasohet me një zog që ka harruar si fluturohet, një metaforë e fuqishme për humbjen e ndjenjës së lirisë.
Ndërsa në “Ushqim imagjinar”, thjeshtësia e vargjeve“bukë, djathë, vezë, verë” dhe mbyllja me “heshtjen mbi pjatën bosh” e kthen mungesën në përjetim të thellë njerëzor.
Një nga poezitë më prekëse është “Zëri i nënës”, ku figura e saj vjen çdo natë në ëndërr, duke e mbajtur gjallë lidhjen shpirtërore përtej mungesës fizike.
Ndërsa në “Fjalë e ndaluar”, fjala “liri” nuk përsëritet, por ndihet nga të gjithë, një përmbledhje e fuqishme e gjithë atmosferës së librit.
Këto poezi nuk janë të zhurmshme. Ato janë të qeta, të përmbajtura, por mbeten gjatë në mendje. Janë dëshmi, por edhe art i pjekur.
“Manifest në brinjë” është një libër që nuk kërkon të impresionojë, por arrin të prekë thellë.
Respekt për autorin dhe për këtë vepër që ruan kujtesën dhe dinjitetin e një kohe që nuk duhet harruar.
ObserverKult
Lexo edhe:






