reklamë

Miguel de Unamuno: Aty ku ideokracia sundon, kurrë nuk do të ketë liri të vërtetë!

unamuno

Prej të gjitha tiranive, miku im Maetzu, më e urryera për mua është ajo e ideve, nuk ka kraci që fshin më shumë se sa ideokracia, që sjell me vete pasojat e detyrueshme, ideofobinë e persekutimin, në emër të disa ideve, si të thuash, po aq të respektuara ose po aq të parespektuara si ato. I urrej të gjitha etiketimet, por nëse ndonjëra do më vinte si më e durueshme është ideoclasta– prishës – idesh. Si dua t’i prish ato? Si çizmet, duke i bërë të miat dhe duke i përdorur?

Të ndjekurit e misionit të atyre ideve që quhen armiqësore ose tretëse më krijon të njejtin efekt që do të më krijonte ai që, në pritje të shpërthimit të një bojleri me avull, urdhërohet të thyejë matësin e tensionit në vend të hapjes së valvulës së shkarkimit.

Hegel duke pohuar me realizëm të thellë se gjithçka është ide, i reduktoi në përmasat e tyre të vërteta të ashtuquajturat ide antonomazike, ashtu siç është të kuptuarit se gjithçka që na ndodh është e mrekullueshme, pra, të ashtuquajturat mrekulli na shfaqen në dritën e tyre më të qartë.

Ideja është formë, madhësi, specie… Por formë e kujt? Këtu është misteri: realiteti formë e kujt është, materia figurë e kujt është, përmbajtja e saj e gjallë. Rreth këtij misteri u end i gjithë debati intelektual i epokës së mesme, rreth tij vazhdon të endet. Beteja ndërmjet individualistëve dhe socialistëve është, në thelb logjik, e njejta gjë si ajo ndërmjet nominalistëve dhe realistëve. E gjithë kjo e thënë në kuptimin logjik, por lind pyetja, po në atë jetësor? Sepse është mënyra e veçantë e jetës së secilit e varur nga këto ose ato doktrina që ka në mendje.

Thuhet se idetë qeverisin botën? Unë më shumë besoj në idenë më shtytëse të progresit sesa në idenë – njeri, sepse gjithashtu është ide, kështu është, dukja dhe forma e secilit njeri është  ide e gjallë, e mishëruar, dukje që gëzon, jeton dhe vuan, dhe që, në fund, zhduket me vdekjen. Unë si njeri jam më shumë ide se sa mendimet që qëndrojnë në trurin tim, dhe nëse arrij t’u jap tonalitetin tim vetjak, ato do dilnin duke fituar nga kalimi nëpër shpirtin tim. Janë para që i prodhoj dhe që, duke i prodhuar, u jap besueshmërinë dhe vlerën time, pak ose shumë, pozitive ose negative.   

Idetë ashtu si paratë, nuk janë në fakt, në fund të fundit, më shumë se përfaqësim i pasurisë dhe instrument këmbimi, derisa, pasi të na kenë dhënë emëruesin logjik, ndryshojmë direkt gjendjet tona të vetëdijes. As trupi nuk han para, as shpirti nuk ushqehet me dukje të thjeshta. Dhe kur në vend të ideve në ar, prej monedhash të vërteta, për të cilat kushton nxjerrja nga miniera dhe me këtë kosto përcaktohet vlera e tyre përfaqësuese, kur në vend të njohjes së fakteve konkrete dhe të gjalla, qarkullon ideja – letër – sipas metaforës së mençur shopenhauriane –, dukja e dukjeve, monedha nominale, koncepte abstrakte dhe pa rendiment, që supozohet t’u përgjigjen fakteve të numërueshme e të dëgjueshme, atëherë firma merr një rëndësi të madhe, sepse besimi që  gëzon një firmë e tillë në treg, është ajo që garanton vlerën e idesë – letër ose të idesë së letrës. Pak na intereson se kush na ka tërhequr vëmendjen mbi faktin, ashtu siç nuk na intereson punëtori që ka nxjerrë nga miniera masën e arit që ne vlerësojmë, por sa i përket autorit si një koncept abstrakt është i përbërë prej entitetit, siç është firma e Bankës për paratë, sepse e pranojmë sipas shumës që autori gëzon që të ruajë në ‘arkë’ njohuri konkrete dhe prej andej të ketë me se t’u përgjigjet qëllimeve të koncepteve. E pastaj vijnë të varfrat fjalët ideale, ideja – letër, që miratohen nga disa te disa të tjerë, e ku shkëlqimit të tyre secili i zgjuar i vë firmën e vet. Dhe këtu lind pyetja: i jep i zgjuari besim fjalës apo fjala i jep atij?  

T’i jetosh të gjitha idetë në mënyrë që të pasurohesh me to, unë si një ide, është ajo që unë dëshiroj. Pastaj ua nxjerr lëngun, i hedh në qiellzën e gojës, i shtyp, dhe i nxjerr jashtë. Dua të jem Zot i tyre, jo skllavi i tyre. Sepse skllevër janë njerëzit e konvencioneve të ngulitura, pa idenë e ngjyrës as të shkëlqimit që shndërron në aura të kundërtat, skllevër janë të gjithë sektarët, të gjithë ideokratët.

E nevojshme ose, më mirë, e pashmangshme është të kesh ide, po, siç është të kesh sy dhe duar, por për ta arritur këtë gjë, duhet që të mos jesh i varur prej tyre. Nuk është i pasur ai që është i varur prej parasë, por ai që e zotëron atë.

Ai që i ngroh idetë në vatrën e zemrës së tij, është ai i cili i bën me të vërtetë vetjake, aty, në atë zjarr, i djeg dhe i konsumon si lëndë djegëse.  Janë automjet, asgjë më shumë se automjet i shpirtit, janë atome që vetëm për shkak të lëvizjes dhe ritmit që përçojnë shërbejnë si atome të padepërtueshme, si atomet hipotetike të materies që për shkak të lëvizjes së tyre na japin nxehtësi. Me të njejtët elementë kimikë behët helmi dhe ilaçi. Dhe helmi vet, ndodhet tek shkaktari apo tek pacienti? Ajo që dikë e vret, dikë tjetër e gjëllaron. E keqja ndodhet tek gjyqtari apo tek i burgosuri? Vetëm toleranca mund të shuajë të keqen njerëzore në dashuri, dhe toleranca buron fuqishëm vetëm mbi rënien e ideokracisë.

Ndër të gjitha të drejtat intime që na duhet të zotërojmë, jo prej ligjeve, por më shumë prej zakoneve, nuk është më pak e çmuar e patjetërsueshmja, e drejta për t’u vetëkundërshtuar, të jem çdo ditë i ri, pa lejuar që të jem gjithmonë i njejti, të afirmoj aspektet e mia të ndryshme duke punuar që jeta ime t’i integrojë. Më ngjajnë më të ngjeshur, më të njejtë dhe koherentë në kompleksitetin e tyre shkrimtarët paradoksalë dhe kontradiktorë sesa ata që e kalojnë jetën e tyre duke qënë apostuj të palëvizshëm të një doktrine të vetme, skllevër të një ideje. Pasoja e këtyre festohet, sikur të mos kishte vend për qëndrueshmëri në shkathtësi, dhe kjo të mos ishte shfaqja e një virtyti pjellor të shpirtit.

Le të lëmë që ideokratët t’u ngrenë kulte këtyre stilistëve, të shkretët! Të ngritur në kolumnën e tyre doktrinore. Pse duhet të jesh gur subjekti në tokë, dhe jo re që lahet në ajër dhe dritë?

Liri! Liri! Dhe aty ku ideokracia sundon, kurrë nuk do të ketë liri të vërtetë, por liri para ligjit, që është ideja e kurorëzuar, e njejta për të gjithë, fakultativiteti logjik i të mundurit që të bësh apo të mos bësh diçka.

____

*Shkëputur nga libri “Ideokracia” i Miguel de Unamunos, përkthyer nga Manjola Brahaj Halili, Littera, Prishtinë 2025

ObserverKult