
Teatri “Migjeni” i Shkodrës njoftoi se së shpejti do të ketë revistën e tij zyrtare.
Revista është pagëzuar me emrin “Sipari” dhe pritet të përbëjë një hap të rëndësishëm jo vetëm për “Migjenin” por edhe për jetën kulturore të qytetit të Shkodrës.
Projekti synon të sjellë më pranë publikut aktivitetet por edhe të njohë publikun me historinë dhe pasurinë artistike të institucionit.
“Falë punës së palodhur të Gerti Palali, Astrit Fani dhe Suad Arilla, në fillim të prillit do të vijë botimi i parë i kësaj reviste kulturore, që mban emrin “Sipari”. Jemi shumë të lumtur për këtë hap të rëndësishëm dhe historik, i cili sjell teatrin dhe arkivin e tij më pranë publikut dhe lexuesve”, shkruhet në faqen online të Teatrit “Migjeni”.
Teatri “Migjeni” është një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në Shkodër dhe ndër teatrot më të vjetra në Shqipëri. I vendosur në qendër të qytetit, ai është ndërtuar në vitin 1958 dhe mban emrin e poetit të madh shkodran Migjeni (1908–1938).
Shkodra ka një traditë të gjatë teatrore, me shfaqje që datojnë që nga viti 1879. Edhe gjatë periudhës socialiste Teatri “Migjeni” ishte qendër e rëndësishme të jetës kulturore, duke sjellë në skenë vepra me tema shoqërore e politike, përfshirë edhe autorë si Bertolt Brecht.
Sot, teatri vazhdon të jetë skena kryesore e artit dramatik në veri të vendit, duke mirëpritur shfaqje kombëtare, ndërkombëtare dhe festivale artistike, që e mbajnë gjallë traditën kulturore të Shkodrës.
ObserverKult






