
Nga Octavio Paz
“Të mësosh të flasësh, domethënë të mësosh të përkthesh njëherësh; sepse kur kolopuçi i mitur e pyet të ëmën për kuptimin e fjalëve të ndryshme, çfarë i kërkon asaj mirëfilli, është t’ia përkthejë në gjuhën e tij fëminore, kuptimin e një fjalë gjer atëherë të panjohur për të.
Historia e popujve njerëzorë, veçse përsërit më tutje këto përvoja tonat fëminore: ngase edhe fisi më i izoluar, ka për t’u përballur, herët a vonë, me gjuhën e një populli të huaj.
Mahnitja, mëria, lemeria jonë, ose edhe mëdyshjet e hareshme që ndiejmë kundrejt tingujve të një gjuhe që nuk e njohim, shpejt shndërrohen në dyshim lidhur me gjuhën që e flasim si tonën amtare.
Pastaj gjuha tkurret në tiparet e saj universale, duke na u shpërfaqur si shumësi gjuhësh syresh, të gjitha të huaja e të pakuptimta midis tyre…
Shumësi gjuhësore e shoqërore: e megjithatë, çdo gjuhë mishëron një këndvështrim të veçantë ndaj botës.
Dielli, të cilit i këndohet në poemën azteke është i ndryshëm nga dielli i egjiptasve, ndonëse ylli qiellor është i njëjti…
Janë veçori që duhej t’i kishin shkurajuar përkthyesit. E nuk ka ndodhur gjithsesi: përkundrazi, për arsye kundërthënëse e baraspeshuese, më tepër përkthejmë përditë.
Arsyeja e këtij paradoksi është si vijon: nga njëra anë, përkthimi i zhbën dallimet midis gjuhëve përkatëse; nga tjetra sidoqoftë i nxjerr në pah edhe më dukshëm: falë përkthimit kuptojmë që fqinjët tanë flasin e mendojnë ndryshe nga ne. Skajshmërisht, bota na shfaqet si ndërthurje të ndryshmesh; e gjithaq, si mbivendosje tekstesh, secili pak më i ndryshëm se paraardhësi; përkthim përkthimi përkthimesh të mëparshme.
Çdo tekst është unik e, njëkohësisht, është përkthim i një teksti tjetër. Asnjë tekst nuk është plotësisht burimor, ngaqë vetë gjuha, thelbësisht, është tashmë një përkthim: fillimisht, e botës së pafolur e, më tej, meqë çdo shenjë e çdo frazë është përkthim shenje e frazash të mëhershme.
Megjithatë mund të thuhet që çdo tekst është burimor, meqenëse çdo përkthim është i ndryshëm në thelb.
Çdo përkthim është, deri diku, një sajesë, duke përbërë rrjedhimisht një tekst unik”.
Përzgjodhi e përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri
ObserverKult
Lexo edhe:






