reklamë

Gabriel Garcia Marquez: Hajduti i së shtunës

Hugoja, një hajdut që vjedh vetëm në fundjavë, hyn në një shtëpi të shtunën natën. Ana, pronarja, një grua e bukur tridhjetë e ca vjeçe dhe e njohur si një e pagjumë, e zbulon atë sakaq. E kërcënuar nga një pistoletë, gruaja ia jep të gjitha bizhuteritë dhe sendet me vlerë dhe i lutet hajdutit të mos i afrohet Paulinës, vajzës së saj trevjeçare. Megjithatë, e vogla e sheh dhe hajduti e bën për vete me disa truke magjike. Hugoja mendon: «Pse të largohem kaq shpejt, kur këtu qenka kaq mirë?» Ai mund të qëndronte gjithë fundjavën dhe ta shijonte plotësisht kënaqësinë, pasi burri – ai e di këtë sepse i ka përgjuar – do të kthehej nga udhëtimi i tij i punës të dielën në mbrëmje. Kësisoj, hajduti nuk mendon shumë për këtë: vesh pantallonat e të zotit të shtëpisë dhe i kërkon Anës që të gatuajë për të, të marrë verën nga bodrumi dhe t’i gjejë apo t’i luajë edhe muzikë, sepse nuk jetuakësh dot pa muzikë.

Ana e shqetësuar për Paulinën e vogël, teksa përgatit darkën mendon diçka për ta nxjerrë tipin nga shtëpia. Por nuk mund të bëjë dot asgjë, sepse hajduti Hugo preu kabllot e telefonit, ndërkohë që shtëpia ndodhej shumë ë mënjanuar dhe natën dhe askush nuk mund të vinte. Atëherë, Ana vendos dhe zbraz një pilulë gjumi në gotën e verës së hajdutit Hugo. Gjatë darkës, hajduti, i cili punon si roje nate bankare gjatë javës, zbulon se Ana është drejtuese e programit të tij të preferuar në radio, programit muzikor popullor që ai dëgjon për qejf, çdo natë. Hugoja është admiruesi i madh i atij programi dhe, ndërsa dëgjon Benin e madh duke kënduar në një kasetë, nis të bisedojë me të zonjën e shtëpisë për muzikën dhe muzikantët. Ana pendohet që hajdutin do ta zërë gjumi, sepse vërtet qenkësh i sjellshëm, sillej mirë dhe nuk paskësh ndërmend ta lëndojë apo ta dhunojë, por është tepër vonë sepse pilula e gjumit tashmë ishte hedhur gotën me verë dhe hajduti, shumë i lumtur, e pi të gjithën. Por, ç’ka ndodhur? Një gabim: Ana, pa dashje, ka marrë gotën ku ka hedhur pilulën e gjumit… Dhe është ajo që e zë gjumi, menjëherë.

Të nesërmen në mëngjes Ana zgjohet e veshur plotësisht dhe e mbuluar shumë mirë me një batanije, në dhomën e saj të gjumit. Në kopsht, hajduti Hugo, pasi ka mbaruar gatimin e mëngjesit po luan me Paulinën e vogël. Ana habitet se sa mirë kalojnë. Plus, asaj i pëlqen mënyra se si paska gatuar hajduti, i cili, në fund të fundit, qenkësh mjaft i këndshëm. Kësisoj, Ana fillon të ndjejë një lumturi të çuditshme.

Në ato çaste vjen një mikesha e saj dhe e fton Anën për drekë në shtëpinë e saj. Hugoja nervozohet, por Ana e gënjen mikeshën duke i thënë se paskësh vajzën të sëmurë dhe e përcjell, mikeshën. Kështu që në shtëpi, për ta shijuar atë të diele, mbeten vetëm ata të tre: Ana, hajduti Hugo dhe e vogla Paulinë. Sa kënaqet hajduti! Hugo! Ai riparon xhamat dhe telefonin që i ka thyer natën e kaluar, gjatë sulmit. Ana zbulon se ai vallëzon shumë mirë, sidomos një valle që ajo e ka shumë qejf, valle të cilën nuk ka mundur ta kërcejë kurrë, me askënd. Ai i sugjeron që të kërcejnë pak tani dhe pastaj të kërcejnë deri vonë pasdite. Paulina e vogël i shikon, duartroket dhe më në fund e zë gjumi. Por edhe ata të dy, të rraskapitur, përfundojnë të shtrirë në një divan në sallon.

Ndërkohë shenjtori i gjithë këtyre orëve kënaqësie paska shkuar në qiell, sepse është koha që burri mund të kthehet. Edhe pse Ana nuk pranon, hajduti Hugo i kthen pothuajse gjithçka që kishte vjedhur dhe i jep disa këshilla se si hajdutët të mos hynin në shtëpinë e saj dhe, me njëfarë trishtimi, i thotë lamtumirë. Ana e shikon, ndërsa hajduti largohet. Kur Hugoja është të humbas, diku përtej, ajo i thërret. Kur ai afrohet, ajo, duke e parë drejt e në sy, i thotë se fundjavën e ardhshme burri i saj do të shkojë përsëri në një udhëtim. Hajduti i së shtunës largohet i gëzuar, duke kërcyer rrugëve të lagjes, ndërkohë që bie nata.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

Kur Márquez fliste për romanin “Njëqind vjet vetmi”: Tërë frikë pyeta se çfarë dreqin do të vinte më pas…