
-Përsiatje për një promovim të pambajtur për poeten Natasha A. Spahiu –
Nga Sami Milloshi
Më datë 21 mars, Natasha Spahiu më shkroi në inbox këtë mesazh: “Përshëndetje! Uroj të jeni mirë. Në datë 09.04.26, në Tiranë, do të bëj një promovim të thjeshtë për 4 librat e mi. Ideja ime është që dikush do të lexojë nga një fragment prej shkrimeve të A. Tufës, P. Ristos dhe S. Milloshit në këtë takim. Kështu ju kam të pranishëm, të nderuar miq, megjithëse nuk jeni në Shqipëri në atë kohë.
Jeni dakord?”
I ktheva përgjigje se do të isha i nderuar që dikush të lexonte diçka nga artikulli im per librin e saj studimor ” Aftësia vetëtransformuese e tekstit autentik”. Bisedova me mikun tim, poetin Preng Maca që ai ta merrte përsipër këtë nder. Ai e mori përsipër me dëshirë.
Por, Natasha na la, iku në Qiell dhe nuk u bë realitet dëshira e saj për t’i promovuar katër libra të saj në librarinë ” Moikom Zeqo” pranë pazarit të ri.
U pikëllova fort për nje mikeshë të mirë që iku kaq papritur. Ajo ishte një poeteshë fine, dhe sidomos një studiuse skrupuloze që la pas një vepër unike, të panjohur nga kritika shqiptare deri më sot për thellësinë e mendimit dhe për qasjen perëndimore në analizën e saj.
Me të shoqin, Vehip Lushajn, ushtarak karriere jam njohur herët në Mat edhe në Dibër dhe ruaj po ashtu respektin më të madh njesoj si për Natashën. Ata ishin një çift i shkëlqyer që u kishte hije gjithçka e mbi te gjitha, fjala e mirësia.
Pikërisht sot, kur Natasha mund t’i gëzohej fjalëve të Agron Tufës, (Zvicër) të Petraq Ristos (New York) të mijat (Boston), ajo ka heshtur. Por, nuk është heshtje, ajo ka lënë pas fjalën e saj. Fjalën e saj si poete, fjalën e saj si studiuese, fjalën e saj si grua e guximshme, fjalën e saj si nënë dhe si gjyshe shembullore.
Të ndritë shpirti Natasha Spahiu. I ke bërë vend vetes në kujtesën e shumëkujt në Shqipëri. Në kujtesën time po se po!
Dhe, për ta mbyllur besoj se ai takim promovues për katër librat e Natashës, të afërmit e saj dhe ne miqtë e saj do të bëjmë çmos që të mbahet një ditë…
Natasha do të jetë aty mes nesh…
ObserverKult
Lexo edhe:






