
Nga: Arjola Kondakçiu
Vazhdimi i nismës sime për “Zgjerimin e bibliotekave në shkolla”, nëpërmjet bisedave letraro-miqësore me nxënës e mësues, dhe dhurimin e librave duke nxitur dëshirën tek lexuesit e rinj, ndryshe nga pjesa jugore dhe Shqipëria e mesme tek të cilat jam përpjekur të vizitoj disa shkolla, kësaj radhe e pati shtrirjen në pjesën veriore, dhe pikërisht në shkollën 9-të vjeçare “Konferenca e Bujanit”, në qytetin e Bajram Currit të rrethit Tropojë.
Rruga e largët teksa udhëtoja nga Durrësi më ndihmoi në meditimin tim reflektues, që të përgatisja në mendje një skemë fjalësh të përshtatshme me moshën dhe nivelin e nxënësve, kështu që e përula veten duke u rikthyer pas në kohën e fëmijërisë, dhe specifikova ata elementë të asaj periudhe nga të cilët kisha marrë shkëndijëza frymëzimi si: bërja e skulpturave të vogla me baltë, kapja e xixëllonjave natën, përshkrimin e kukullës sime të parë, krijimin e muzikës me pipëza kallamash të njomë, etj.
Vetëm se ngaqë jam përpjekur të jap me shpirt nga vetja për të tjerët, një gjë se kisha menduar: ‘që do suprizohesha nga ata nxënës’!
Pas mikpritjes së drejtoreshës Hedie Logu, të cilën në tre kate që m’u desh të ngjisja gjatë pushimit të madh, nxënës të ndryshëm në njërën dorë mbanin bukën ndërsa me tjetrën e përqafonin plot çiltërsi fëminore pothuajse në çdo dy-tre shkallë, kënaqësia m’u shtua kur pashë muret me piktura plot ngjyra të nxënësve.
Kjo është e dukshme gati në të gjitha shkollat, por cilësia e ndërthurjes së ngjyrave dhe organizimi i detajeve që përçonin mesazhe, të krijonte përshtypjen sikur ishe në një shkollë pikture, dhe kjo falë bashkëpunimit të nxënësve të talentuar me mësueset e talentuara edhe në pikturë, përtej lëndës bazë me të cilën jepnin mësim.
Sigurisht që pas këtij afeksioni ku piktura ka qenë edhe prirja ime e parë dhe e lëvruar me pasion ndër vite, lirshmëria e bisedës letrare me këta fëmijë do ishte më e ngrohtë edhe më e thellë, pasi nuk u shpëtoje dot shikimit të tyre kurioz dhe pyetjeve të mprehta, falë së cilave arrita të zhbiroj edhe disa nxënëse krijuese, që me takt i inkurajova të kuptonin vlerën që ka ”dhurata e të shkruarit”, dhe rëndësinë e vazhdimësisë në këtë drejtim.
Supriza më unike e atij takimi letrar ishte momenti kur mësova që nxënësit e klasës së 8-të, nën kujdesin dhe përkushtimin e mësueses së gjuhës shqipe H. Logu sapo kishin nxjerrë nga botimi materialin “Libri i Mençurisë për Tropojën”, një përmbledhje hulumtuese ndaj trashëgimisë kulturore rreth: veshjeve, traditave, zakoneve, kërcimeve e këngëve, fjalëve të urta e shprehjeve frazeologjike etj., për të patur një prezantim dinjitoz te Festivali i Mençurisë, që do të organizohet së shpejti në Lezhë.
Edhe pse kopjet e librit ishin të limituara, u treguan shumë bujarë duke e shprehur mirënjohjen për librat që i dhurova bibliotekës së shkollës, me një kopje nga libri i tyre, dhe ashtu siç i karakterizonte shpirti artistik, edhe duke më dhuruar disa lule të punuara me materiale të riciklueshme nga duart e tyre të arta.
S’kishte mbyllje më të bukur të këtij aktiviteti, që tani në fund me të drejtë do ta konsideroja artistiko-letrar, ndaj natyrshëm më buroi dëshira t’i ndaja edhe me lexuesit këto përshtypje, pasi nuk ka marrë fund shpresa që mes nesh kemi akoma fëmijë të talentuar, të cilët kanë nevojë për përkrahjen dhe motivimin tonë, që të bëhen zëri i vazhdimësisë së kulturës e letërsisë në të ardhmen!
ObserverKult

Lexo edhe:






