
Nga Glauk Konjufca
Para pak minutash kombi shqiptar kudo që jeton me pikëllim të thellë e mori lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosjes. Na la edhe kolosi ynë i fundit intelektual.
Për më shumë se gjysmë shekulli Rexhep Qosja ishte zëri i artikuluar me konsistencë i ndërgjegjes sonë kombëtare. Shkencëtar, shkrimtar, akademik, profesor, veprimtar dhe kritik – kontributi i tij për studimin e letërsisë shqipe si dhe pasurimi i saj me vepra letrare si autor do të jetojnë gjithmonë.
Ai kurrë nuk u mjaftua vetëm me punën shkencore të kabinetit. Gjatë viteve ’80, në atë kohë kur ne ishim “popull i ndaluar”, profesor Qosja u shqua me guximin e tij të palëkundur për demaskimin e hapur të shtypjes së Serbisë mbi popullin shqiptar.
Kur erdhi koha e domosdoshmërisë së luftës së armatosur kundër okupimit Rexhep Qosja e kishte të qartë: vetëm mbështetja e UÇK-së na rreshton në anën e duhur të historisë.
Progresiv me bindje, egalitar në qëndrime, gjithnjë kombëtar në veprime dhe humanist në vlera – Rexhep Qosja ka zënë vend si një nga figurat më të rëndësishme të kombit tonë. I tillë do të kujtohet gjithnjë për veprën dhe veprimtarinë e tij e cila prej sot do te studiohet me përqendrim edhe më të madh.
Ngushëllime familjes, miqve e bashkëpunëtorëve! Ngushëllime kombit shqiptar!
U prehtë në paqe!
ObserverKult






