reklamë

Tedi Papavrami: Pavarësisht gjithçkaje, sigurisht unë nuk e kam humbur kurrë lidhjen me Shqipërinë

Violinisti Tedi Papavrami, i cili u nderua me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, u shpreh se pavarësisht gjithçkaje nuk e ka humbur kurrë lidhjen me Shqipërinë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e Kryeministrisë, Papavrami u shpreh i emocionuar dhe i prekur për vlerësimin që mori në Tiranë.

“Është një ndjesi e çuditshme e kohës që kalon dhe e rrugëve të paparashikueshme të jetës. Në këtë sallë ndodhen shumë fytyra të njohura, që nga fëmijëria ime më e hershme, shokët e lagjes me të cilët luaja që kur isha 3-4 vjeç, familjarë, profesorë, miq të familjes, edhe ti, Edi, që je një pjesë e kujtimeve të hershme si një figurë mbrojtëse për mua”, tha Papavrami, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, i cili në emër të Presidentit të Republikës i dorëzoi “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.

Në fjalën e tij Papavrami kujtoi se historia e tij në këtë vend ka qenë, sipas epokave, mjaft kontradiktore.

“Këtu kam njohur shumë herët dashamirësinë edhe admirimin e publikut. Edhe më pas, me një kontrast shumë të shpejtë, dhunën e refuzimit kur largimi ynë, mua dhe familjes na ktheu në armiq në sytë e regjimit, me pasoja të padurueshme për familjen time, disa prej të cilëve ndodhen këtu sot”, shtoi ai.

Prandaj, ai vlerësoi se ky moment është diçka shumë e veçantë.

“Pavarësisht gjithçkaje, sigurisht unë nuk e kam humbur kurrë lidhjen me Shqipërinë. Edhe përkthimi, rikthimi në gjuhën time nëpërmjet përkthimit të Ismail Kadaresë së madh, qe një etapë shumë e papritur, shumë e bukur për të cilën unë gjithmonë do t’i mbetem mirënjohës Ismailit që më bëri këtë besim, edhe që ishte një etapë që nga viti 2000 që më riktheu rrënjësisht, domethënë atë që shqipja ka mbase më të bukur që është gjuha e saj, që më prek gjithmonë në mënyrë shumë të thellë dhe që jam munduar të mos e harroj. Gjithë kjo ka mbetur brenda meje në jetën time dhe në muzikën time”, përfundoi Papavrami/tema

ObserverKult


Lexo edhe:

Mori një bursë në Francë, por nuk u kthye më në Shqipëri/ Historia e Tedi Papavramit!