reklamë

Nizar Kabani: Mbi sytë e tu bota kurdis orën

1
Para se të bëhesh e dashura ime
kishte më shumë se një kalendar për llogaritjen e kohës
indianët kishin kalendarin e tyre,
kinezët kishin kalendarin e tyre,
persët kishin kalendarin e tyre,
dhe egjiptianët të tyrin.
2
Pasi u bëre e dashura ime
njerëzit filluan të thonë:
Viti një mijë para syve të saj.
Falë dashurisë për ty,
kam arritur në pikën e avullimit.
Uji i detit është bërë më i madh se vetë deti
loti i syrit më i madh se syri
dhe hapësira e plagës së thikës
më e madhe sesa hapësira e mishit.
3
Njësohem me ty gjithmonë e më shumë
dy buzët e mia s’mjaftojnë për t’i mbuluar të tuat
krahët e mi s’mjaftojnë për ta rrethuar belin tënd
numri i fjalëve që i dija
është rralluar më shumë
sesa numri i nishaneve që qëndisin kurmin tënd.
4
Nuk mundem më,
ka vite që
më nxjerrin në gazeta si të humbur
në fakt, jam i humbur..
deri në një njoftim të dytë..
5
Gjuha e ka të pamundur të të përshkruajë..
fjalët janë bërë si kuaj druri
e s’të arrijnë dot..
Sa herë më akuzojnë se të dua…
ndihem superior.
Mbaj një konferencë për shtyp,
shpërndaj foton tënde në shtypin e përditshëm,
dhe shfaqem në televizion
duke vënë në xhepin e xhaketës
trëndafilin e skandalit..
6
I dëgjoja ashikët
të flasin për mallin e tyre
dhe qeshja…
Duke pirë kafen vetëm..
kuptova si hyn kama e mallit në bel
e s’del kurrë që aty…
7
Problemi im me kritikën
është se sa herë shkruaj një poemë në të zezë
më thonë se e kam marrë nga sytë e tu…
sa herë e mohoj lidhjen me ty
dëgjojnë zhurmën e byzylykëve të tu
në frekuencën e zërit tim
dhe dallojnë këmishën tënde të gjumit.
8
S’dua të fiksohem pas teje…
sepse mjeku më ka këshilluar
të mos i bashkoj buzët e mia me të tuat
më shumë se pesë minuta
dhe të mos qëndroj ulur nën diellin e gjinjve të tu
më shumë se një minutë
që mos digjem.
9
Nëse njeh ndonjë burrë..
që të do më shumë se unë
më trego kush është
që ta përgëzoj
dhe mandej
ta heq qafe…


Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe:

Buqetë poezish përkthyer në shqip nga Elmaz Fida