reklamë

Doli numri i parë për këtë vit i revistës “Jeta e Re”

Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Në këtë numër të revistës, në shenjë kujtimi e nderimi me rastin e vdekjes, “Jeta e re” i ka dhënë një hapësirë prej njëqind faqesh shkrimtarit dhe sudiuesit të mirënjohur Rexhep Qosja. Revista hapet tekstin për profilin krijues të Rexhep Qosjes me titullin “Rexhep Qosja- fenomen i kulturës shqiptare” të Hysen Matoshit, për të vazhduar me kapitullin “Deklarata”, shkëputur nga romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, me studimin “Horizontet e perceptimit” (për opusin poetik të Rrahman Dedajt), me studimin “Poetika e Rexhep Qosjes” të autores Feride Papleka dhe përfundon me vështrimin “Rexhep Qosja-shkrimtar postmodern” të Adil Ollurit.

Ndërkaq, në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Gjyshi” i Eqrem Bashës, “Grisja pikturave” i Binak Kelmendit, “Dishepujt e Da Vinçit” i Ag Apollonit, prozat poetike “Në bibliotekën e fjalës”, “Sintaksa e mashtrimit”, “Gota”, “Fotografi bardhezi”,”Përtej xhamit” dhe”Lamtumirë pritje”të Jonuz Fetahajt, pastaj tregimet e shkurta “Njeriu i tridhjetegjashtë i urtisë,”, “Botëvrasja”, “Buzuku në malin e Kelshejtit”, “Traktet për shpirtin e pamposhtur sipas Ndre Bogdanit”, “Sizifi pa gurin e tij”, “Re pa atdhe” dhe “Pelegrini i rrëfimit të humbur” të Prend Buzhalës, “Kambana” e Dhurata Hotit dhe “Dy hapa larg mëkatit” i Genc Markajt. Nga letrërsia e huaj botohen tregimet “Njeriu më i cekët” i Wood Allen-it dhe “Didona” i Valeria Parella-s.

Në rubrikëm e poezisë me nga një cikël poezish vijnë Sali Bashota, Ndue Ukaj, Nuri Plaku, Minika Ranick-i dhe Alain Lance.

Në rubrikën Dossier këtë herë prezantohet Hosefina Pla, poete, prozatore dhe eseiste  e njohur praguaiane. Rubrika nis me tekstin “Poetika e Hosefina Plasë: Erosi dhe Eratoja” të Angeles Mateo Delpino-s dhe vazhdon me nje cikël të gjerë poezish dhe tregimin “Dora në tokë” të autores.

Rubrika e kritikës fillon me studimin me interes “Modernizmi i painkuadruar” të autores kroate Bojana Videkaniq, profesoreshë e Universitetit të Weterllo-s“. Teksti i sipërm është shkëputur nga libri Nenalignen ( Socialist Postcolonial Aesthetics in Jugoslavia, 1945-1985). Në vazhdim kemi tekstet “Metapoetika e realitetit të shpërbërë” të Sevdail Zejnullahut, “Mes absurdit tragjik dhe atij grotesk” të Ganit Sadikut dhe “Romani Shkaba i Ismail Kadaresë midis mitit dhe realitetit” të Lorenta Ibrajt.

Në këtë numër të revistës me përkthime kontribuan: Alket Çani, Ilir Breca, Alfred Beka, Valon Veliqi  dhe Arben Idrizi.

ObserverKult


Lexo edhe:

Doli numri i ri i revistës “Jeta e Re”