
Ditë më parë u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare piktori dhe skenografi i njohur shqiptar, Shyqyri Sako, një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare dhe konsideruar si piktori i parë profesionist i filmit në vend.
I lindur më 5 mars 1937 në Kolonjë të Korçës, Sako përfundoi studimet për pikturë filmi në vitin 1962, duke hapur një kapitull të ri në historinë e artit skenografik shqiptar. Për më shumë se pesë dekada ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e rreth 40 filmave artistikë shqiptarë, ku u dallua për krijimin e interiereve, eksteriereve, kostumeve dhe afisheve origjinale të filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”.
Emri i tij lidhet me disa prej produksioneve më të njohura të kinemasë shqiptare, mes tyre Lulëkuqe mbi mure, Karnavalet, Mëngjese të reja dhe Plumbi prej plasteline, ku puna e tij artistike la gjurmë të rëndësishme në identitetin vizual të filmave.
Për kontributin e dhënë në artin dhe kulturën shqiptare, Shyqyri Sako është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”, si edhe është dekoruar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri”, ndër vlerësimet më të larta shtetërore në fushën e kulturës.
Krahas angazhimit në kinematografi, ai kontribuoi edhe në edukimin e brezave të rinj si pedagog në Universitetin e Arteve, ndërsa gjatë jetës së tij artistike hapi mbi 22 ekspozita personale brenda dhe jashtë Shqipërisë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Cikël poetik nga Anton Marku: Dashuria është ëndërr e madhe për t’u parë vetëm…






