reklamë

Jeta si art i pavetëdijshëm…

“Arti nuk është zbukurim i ekzistencës; ai është mënyra përmes së cilës jeta bëhet e vetëdijshme për vetveten.” Arti, ndoshta, nuk filloi kur njeriu krijoi diçka të bukur. Ai filloi kur njeriu kuptoi se ekzistonte. Që nga ai moment, gjithçka u bë një formë shprehjeje: lëvizja, zëri, ritmi, gjurmët mbi një mur, madje edhe mënyra se si dikush rrinte pranë zjarrit duke vështruar errësirën.

Prandaj, arti nuk është një shtesë e jetës. Nuk është luks kulturor. Nuk është zbukurim i ekzistencës. Ai është mënyra përmes së cilës jeta bëhet e vetëdijshme për veten tone.

Njeriu primitiv nuk vizatonte mbi muret e shpellave duke kërkuar famë apo identitet artistik. Ai nuk e ndante jetën nga arti. Për të, shenja mbi mur, tingulli i ritualit, lëvizja rreth zjarrit dhe frika e natës ishin pjesë të së njëjtës përvojë ekzistenciale. Që në fillim, arti ishte një mënyrë për t’u orientuar brenda botës — një mënyrë për të mos humbur përballë misterit.. Dhe ndoshta, ende është?

Sot jetojmë mes teknologjisë, qyteteve, informacionit dhe shpejtësisë. Por brenda nesh ende jeton i njëjta qenie që dikur rrinte pranë zjarrit, duke parë qiellin me frikë dhe kureshtje. Vetëm se tani, njeriu është bërë më kompleks në mënyrën se si largohet nga vetvetja.

Dikur besoja se vetëdija e ndryshon njeriun. Mendoja se dija, filozofia, arti apo akademia e bënin qenien njerëzore më “njerëzore”. Mendoja se sa më shumë një person ta kuptonte jetën, aq më pak nevojë do të kishte për arrogancë, dominim apo maska. Ky ishte idealizmi im — besimi se zhvillimi intelektual dhe ai shpirtëror ecin dorë për dore.

Por jeta më mësoi të kundërtën: një njeri mund të zhvillohet intelektualisht, ndërsa shpirtërisht të mbetet primitiv. Dikush mund të lexojë filozofi dhe përsëri të mos e njohë vetveten. Mund të flasë për etikë dhe të jetë i pamëshirshëm. Mund të flasë për dashurinë dhe të manipulojë. Mund të krijojë art dhe të adhurojë vetëm egon e vet. Ky ishte një nga përplasjet e mia më të ashpra me realitetin. Sepse problemi i njeriut nuk është mungesa e inteligjencës; problemi është mungesa e vetëdijes për veten.

Shumica e njerëzve nuk e dinë plotësisht pse bëjnë atë që bëjnë. Ata mendojnë se jetojnë lirshëm, por shpesh drejtohen nga impulse të padukshme:

frika

nevoja për miratim

instinkti për dominim

vetmia

xhelozia

dëshira për t’u ndjerë më të rëndësishëm se të tjerët

Kjo është ajo që e bën qenien njerëzore kaq kontradiktore. Ne kërkojmë sinqeritet, por jetojmë përmes roleve. Kërkojmë dashuri, por kemi frikë nga intimiteti. Kërkojmë kuptim, por shpesh ndërtojmë jetë që na largojnë nga vetvetja.

Edhe mirësia shpesh keqkuptohet. Në jetën shoqërore ndodh një paradoks i çuditshëm: njerëzit që japin ngrohtësi merren si të mirëqenë, ndërsa ata që krijojnë distancë fitojnë “gravitet”. Mungesa interpretohet si vlerë. Ftohtësia si forcë. Disponueshmëria si dobësi.

Kjo tregon se njeriu nuk udhëhiqet vetëm nga logjika morale. Brenda tij ekzistojnë impulse më të errëta dhe më të vjetra se edukimi i tij. Dhe pikërisht këtu qenia njerëzore bëhet abstrakte. Mijëra vite filozofie, psikologjie, feje, teatri, muzike dhe poezie janë përpjekur të na shpjegojnë, por askush nuk e ka zgjidhur misterin. Ata vetëm e kanë ndriçuar nga kënde të ndryshme.

Sepse njeriu nuk është formulë. Ai është një kontradiktë që merr frymë. Një qenie që mund të ndërtojë qytetërime dhe njëkohësisht të shkatërrojë vetveten. Që mund të krijojë muzikë sublime dhe të kryejë brutalitet në të njëjtën frymë. Që mund të ndjejë dashuri të thellë dhe ego primitive në të njëjtën zemër.

Sa më shumë ta vëzhgosh njeriun, aq më shumë kupton se ai nuk është plotësisht transparent, madje as për vetveten. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye arti është i pandashëm nga ekzistenca njerëzore. Sepse arti nuk është thjesht objekt; nuk është vetëm një pikturë, një poezi apo një skenë. Arti është një mënyrë përjetimi.

Ecja ka ritëm.

Të folurit ka muzikë.

Heshtja ka dramaturgji.

Edhe mënyra se si një person lodhet, pret, dashuron apo shikon nga dritarja në mbrëmje ka diçka thellësisht artistike brenda saj. Njeriu është aq i zhytur në art, saqë nuk e vëren më — si një sy që nuk mund ta shohë vetveten pa pasqyrë.

Problemi i kohëve moderne është se arti shpesh është reduktuar në industri, imazh apo konsum kulturor. Por arti i vërtetë nuk fillon aty. Arti i vërtetë fillon kur njeriu ndalon së qeni thjesht një funksion shoqëror. Kur, për disa çaste, del jashtë rolit të tij. Kur sheh diçka që nuk mund ta shpjegojë plotësisht, por e ndjen si të vërtetë. Një tingull. Një figurë. Një fjali. Një heshtje. Aty, arti bëhet përvojë, jo objekt.

Pseudo-arti shpesh ushqen narcizmin dhe nevojën për imazh. Ai prodhon konsum emocional të shpejtë, por jo transformim të brendshëm. Arti i vërtetë bën të kundërtën. Ai na çarmatos. Ul zhurmën e egos. Na kujton kufijtë dhe brishtësinë tonë. Nuk është rastësi që në momentet më të thella të jetës, njeriu i drejtohet instinktivisht artit. Jo për informacion, por për prani. Për një ndjenjë kuptimi. Sepse ka gjëra që mendimi racional nuk mund t’i prekë i vetëm. Shkenca analizon. Filozofia strukturon. Psikologjia interpreton. Por arti ndonjëherë arrin të ndiejë diçka para se mendja ta kuptojë.

Një pjesë muzikore mund të të japë ndjenjë kuptimi pa ofruar asnjë shpjegim. Një imazh mund të të prekë më shumë se një teori. Një poezi mund të prekë diçka që mendja nuk di ta emërtojë. Ndoshta njeriu nuk jeton vetëm përmes vetëdijes logjike. Ndoshta ekziston një pjesë më e thellë e qenies sonë që kërkon kuptim përmes intuitës, ritmit, simbolit dhe përvojës estetike. Kjo është arsyeja pse arti dhe njeriu janë të pandashëm.

Vetë jeta është një art i pavetëdijshëm. Njeriu krijon kuptim edhe kur nuk e kupton plotësisht atë që po bën. Ai krijon rituale, histori, gjuhë dhe mënyra për të dashur, për të kujtuar dhe për të mos u zhdukur.

Dhe ndoshta arti është pikërisht ajo pasqyrë. Jo për ta bërë njeriun më të bukur, por për ta penguar të harrojë se çfarë është. Ndoshta arti është mënyra përmes së cilës njeriu kalon përtej kufirit të vetëdijes në kërkim të kuptimit.

Nga Resul Jusufi

Piktor,Kurator,Regjisor

Graz/Austri

ObserverKult