reklamë

Agron Gërguri: Takim me Shekspirin

Shënime nga Londra

Nga: Agron Gërguri

​Shekspiri. Ka aq vite dhe njerëzit nga gjithë bota ende vizitojnë Stratford upon Avon, vendlindjen e tij, shtëpinë ku ka lindur, rrugët nga ka ecur, kishën ku është varrosur, duke hedhur herë pas herë dyshime mbi ekzistencën e tij unike apo të krijuar. Nuk është aq me rëndësi se sa kanë investuar tek ai Marlowe, Jonsoni apo edhe të tjerë njerëz e punë të jashtëzakonshme në teatër dhe dramaturgji, e që janë përmbledhur në emrin e Shekspirit,  ai mbetet identitet i Anglisë dhe bashkëshoqërues i mësimeve letraro-artistike të Servantesit e Gëtes, që i dha botës përmbajtjen e ndjesisë njerëzore: dilemën, dyshimin dhe shprehjen kulminante të artistit që është intuita.

​Është hera e tretë që vizitoj Stratford upon Avon dhe secilën herë shoh diçka që nuk e kam parë herët e tjera. Nëse herën e parë më ka mrekulluar shtëpia e lindjes dhe përmbajtja e saj (punishtja e dorezave ku babai i Shekspirit, Xhoni, ushtronte zanatin e tij, dhoma me oxhak të madh prej guri, rrethuar me karrige druri, dhoma e pritjes me një krevat të lëvizshëm, dhoma ku besohet se ka lindur Shekspiri në vitin 1564 dhe djepi ku është përkundur). Muret janë të lyera me ngjyra të ndryshme të theksuara. Dhe kopshti ku përveç dizejnimit të bukur të luleve dhe drunjëve gjendet edhe busti i Tagorës, i cili në 300-vjetorin e vdekjes së poetit shkroi poezinë “Shekspiri”, ku e lartëson atë si “një diell që ndriçon mendjen e krejt botës”.

​Herën e dytë më bëri përshtypje varri i tij brenda kishës së Shën Trinisë: “I bekuar qoftë ai që kursen këta gurë, dhe i mallkuar ai që lëviz kockat e mia”. Ky mbishkrim parandaloi që eshtrat e tij të zhvendoseshin më vonë.

​Herën e tretë nënvizova në kujtesë fletët e dorëshkrimit dhe listën e borxheve që ka lënë, e në anën tjetër, se si të gjithëve na ka pasuruar me veprën e tij unikale – një pikëtakim i zhvillimit të teatrit dhe dramaturgjisë me antikitetin, me në qendër njeriun dhe ndryshueshmërinë e natyrës së tij.

​Në rrugët e Stratford upon Avon, bashkë me vëllezërit Tosin, Dugin dhe djalin e axhës Bylin, takuam shumë njerëz të etnive e shteteve nga mbarë bota, të cilët, plot kureshtje ashtu si ne, thithnin çdo detaj që kishte të bënte me vendin dhe banorin më të njohur të tij, Shekspirin. Domosdo të binte në sy, përveç objekteve autentike, edhe skulptura e Tij në mes të rrugës, maskota me figurën e tij në të bardha që performonte para shtëpisë së lindjes, biblioteka, lumi i lundrueshëm Avon, si dhe shtëpitë e kafiteritë në moshë qindravjeçare.

​Duke ecur atyre rrugëve dhe duke prekur ato gjëra që kanë mbetur e janë ruajtur me aq përkushtim e që si përvojë janë derdhur në veprat e Shekspirit ndjen se personazhet e tij ende jetojnë: Hamleti, Otello, Mbreti Lir, Makbethi, Jago, Ofelia, Desdemona, Riçardi i Tretë, dhe mbi të gjithë Romeo e Zhulieta, që nuk pushojnë së kërkuari kuptimet e jetës bashkë me ne që i lexojmë e i shikojmë.

​Duke krahasuar jetën dikur dhe tash, në një komunikim metafizik me Shekspirin, konstatoj se gjëja që më së shumti na mungon është dashuria. Kjo ndjenjë që e lëviz njeriun drejt tjetrit.

“…është një shenjë e palëkundur,
Që sheh stuhitë e kurrë nuk trazohet;
Ajo është yll udhërrëfyes për çdo barkë të humbur…
Dashuria nuk është lodër e Kohës.”

​Insiton Shekspiri me këto vargje, të cilat them se i mungojnë jetës. Në këtë kohë të trazuar, kur njerëzimi po kërkon riformulimin e gjithçkajes, Shekspiri mbetet një konstantë te dashuria.

​Vizita në vendlindjen e Shekspirit e tejkalon kureshtjen për të parë, duke u shndërruar në një ndjesi të pastër.

ObserverKult