reklamë

Isuf Sherifi: Midis krijimit dhe imitimit

Poezia, përvoja njerëzore dhe sfida e inteligjencës artificiale

Nga Isuf Sherifi

Poezia si shprehje e përvojës dhe vetëdijes njerëzore

Poezia përfaqëson një nga format më të thella estetike të shprehjes njerëzore. Ajo lind nga ndjeshmëria, përvoja, kujtesa dhe reflektimi individual, duke u bërë një mjet përmes të cilit krijuesi, në këtë rast poeti, artikulon marrëdhënien e tij me vetveten dhe
me botën.

Tradita estetike gjermane e ka vendosur prej kohësh përvojën njerëzore në qendër të krijimit poetik. Johann Wolfgang von Goethe e shihte poezinë si një shndërrim artistik të jetës dhe të përvojës së brendshme, ndërsa Friedrich Schiller e konsideronte atë shprehje të lirisë shpirtërore dhe të aftësisë krijuese të njeriut për të tejkaluar kufijtë e realitetit të përditshëm. Në të dyja rastet, poezia kuptohet si një akt krijimi që buron nga vetëdija, ndjenja dhe përjetimi.

Këtë ide e formulon në mënyrë të qartë edhe Rainer Maria Rilke, në një kohë shumë të largët nga epoka e inteligjencës artificiale, në veprën e tij Letër një poeti të ri, drejtuar Franz Xaver Kappusit: «Për hir të një vargu të vetëm duhet të kesh parë shumë qytete, njerëz dhe gjëra». Ky pohim vë në dukje se poezia nuk lind thjesht nga zotërimi i gjuhës, por nga grumbullimi i përvojave që formësojnë botën e brendshme të autorit. Në këtë kuptim, akti poetik mbështetet mbi një përjetim autentik, i cili i paraprin dhe i jep kuptim fjalës së shkruar.
Në anën tjetër, sistemet e inteligjencës artificiale funksionojnë mbi baza algoritmike dhe probabilitare. Ato analizojnë sasi të mëdha të dhënash, identifikojnë modele gjuhësore dhe gjenerojnë tekste që mund të imitojnë forma të ndryshme të shkrimit krijues. Megjithatë, ky proces nuk buron nga përvoja e jetuar, vetëdija apo ndjenja, por nga përpunimi statistikor i informacionit.

Krijimi autentik përballë simulimit algoritmik

Pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor ndërmjet krijimit dhe simulimit. Ndërsa poezia njerëzore është rezultat i një përjetimi të brendshëm që merr formë artistike, teksti i prodhuar nga inteligjenca artificiale mbetet një konstrukt gjuhësor i aftë të riprodhojë modele estetike, por jo domosdoshmërisht përvojën ekzistenciale që i gjeneron ato.
Vlera e veprës artistike vazhdon të lidhet me origjinalitetin e vizionit, autenticitetin e përjetimit dhe aftësinë e autorit për të transformuar përvojën njerëzore në art.

Prandaj, sfida kryesore e krijuesit bashkëkohor, sot dhe në të ardhmen, nuk është dhe nuk duhet të jetë konkurrenca me algoritmin, por ruajtja e asaj që algoritmi nuk mund ta zotërojë: vetëdijen, ndjeshmërinë dhe përvojën e jetuar. Sepse, siç shprehej Jusuf Gërvalla: “vjershërimi është mundim që të shpie buzë varrit”.
Të krijosh dhe prodhosh, do të thotë të shprehësh përvojën njerëzore. Ndjenjën.
Të simulosh do të thotë të riprodhosh format e saj. Huazimin.
Sikur Rilke të ishte ende në mesin tonë, ndoshta do të na ftonte të zgjedhim: – Krijimin që lind nga brenda, nga përvoja dhe frymëzimi, që të mundon gjatë rrugës, por në fund të shpërblen me kuptim; ose – krijimin që vjen nga jashtë, si produkt i algoritmit, që nuk të lodh fare, por që, duke të kursyer përpjekjen, rrezikon të të largojë përgjithmonë nga burimi i vërtetë i artit.

Shënim: Ky tekst është përgatitur për t’u lexuar me rastin e Tryezës Letrare me temën «Mes poezisë dhe algoritmeve», organizuar
nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih. Për shkak të
angazhimeve të tjera kulturore, autori nuk pati mundësi të marrë pjesë në këtë veprimtari.

St. Gallen, maj, 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Isuf Sherifi: Gotë dhe trëndafil