
Instituti Albanologjik, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe Universitetin Shtetëror të Tetovës, kanë organizuar konferencën shkencore me titull “Përjetësimi i heronjve dhe dëshmorëve kombëtarë për çështjen e Kosovës”, me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në hapje të konferencës, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, theksoi se periudha 1980–1999 përfaqëson një etapë të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, të karakterizuar nga rezistenca dhe sakrifica për liri.
“Periudha 1980-1999 përfaqëson një kapitull të veçantë të historisë sonë moderne. Ajo ishte një kohë e rezistencës së vazhdueshme. Por edhe e sakrificës sublime të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit”, tha Çeku.
Ai shtoi se kujtesa kolektive duhet të mbahet gjallë jo vetëm përmes përkujtimit, por edhe përmes kërkimit shkencor dhe arsimit:
“Kujtesa kolektive nuk mbahet gjallë vetëm me monumente, por edhe me dije, universitetet, institutet shkencore, shkollat, arkivat, bibliotekat dhe muzetë kanë një rol të pazëvendësueshëm”, u shpreh ai.
Drejtoresha e Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala-Peli, prezantoi aktivitetet për shënimin e përvjetorit të çlirimit, duke përfshirë ekspozita dhe konferenca shkencore.
Ajo theksoi se instituti ka organizuar ekspozitën “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë”, ndërsa po zhvillohet edhe konferenca dyditore me studiues nga hapësirat shqiptare.
“Aktivitetet tona do të vazhdojnë edhe më 6 qershor si shenjë respekti dhe përulje ndaj sakrificës së tyre”, tha Shala-Peli, duke përmendur edhe një tryezë shkencore për eksodin e vitit 1999 në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit.
Ndërkohë, sekretari shkencor i institutit, Arbër Hadri, vuri theksin te kuptimi i lirisë dhe sakrifica e dëshmorëve të Kosovës.
“Liria nuk është vetëm mungesë e robërisë, ajo është dinjitet, identitet”, tha ai, duke shtuar se për popullin shqiptar në Kosovë, liria ishte “drita që ndriçonte edhe në kohët më të errëta të shtypjes”.
Hadri gjithashtu përmendi intensifikimin e represionit pas vitit 1981 dhe 1989, duke theksuar se këto rrethana çuan në forcimin e rezistencës dhe organizimit të mëvonshëm të luftës çlirimtare.
Konferenca dhe aktivitetet përcjellëse synojnë dokumentimin dhe përjetësimin e kujtesës historike përmes kërkimit shkencor, ekspozitave dhe programeve edukative, në nder të heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës./rtk
ObserverKult
Lexo edhe:
Posta e Kosovës lanson pullën postare “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”






