
Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës nga UNESCO, duke u përfshirë në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale e konsideroi këtë një lajm të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë natyrore.
Rama tha se futja e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës vjen si rezultat i punës diplomatike, po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.
Ky liqen është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë.
Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë ornitofaunës të Shqipërisë.
Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin./oranews
Për më shumë shikoni videon më poshtë:
ObserverKult
Lexo edhe:
U mbajt Festivali i Pranverës/ Arsi Bako fiton çmimin e parë me këngën “Humb”






