
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të autores Loreta Schillock, shkëputur nga vëllimi i saj poetik shqip -gjermanisht „Am Ufer des Wandels – Në Brigje Ndryshimi“
Gjurmë mendimesh të përditshmërisë
Mes filxhanit të kafesë
dhe dorezës së derës
nis udhën një mendim:
“Hëm, s’ka rëndësi”, i thua vetes.
Por një fjali të shpëton,
kalimthi,
tepër shpejt.
Dhe aty mbetet, pezull në ajër,
si era e tymit, në xhaketën tënde.
Më vonë:
gumëzhim frigoriferi
dhe sërish e njëjta fjali,
jo më tingull, por një zë i gëlltitur
pas dhëmbëve.
Shikimi yt te dera:
shumë i shkurtër?
shumë i gjatë?
“Ah … s’ka gjë.
Jehona mbetet në frymën e tjetrit”,
mendon ti.
Pastaj kthehesh mbrapsht,
me duar në xhepa.
Telefoni yt dridhet.
Një herë.
Pastaj prapë.
E lë dhe dëgjon
sa e zhurmshme është të lësh.
Në mëngjes,
karrigia jote s’ndodhet më te tryeza:
e shtyrë pranë saj,
veç pak centimetra
mbi ditën zotëron distanca.
Në mbrëmje,
mbi divan,
buzëqeshja jote e sforcuar
nuk të shkon.
Natën,
nga dhoma jote
vjen e njëjta fjali.
I burgosur në tik-tak
Pas kohës përgjoj
orët fluturuese,
që vetëtimthi vrapojnë.
E hap kapakun veç pak,
shoh me ngut
vrapin e akrepit të minutës.
Ndalem.
Marr frymë thellë.
E hap plotësisht.
E mbytur nga rrotullimi marramendës,
i akrepit të sekondës,
e lë të bjerë.
Shkel në ritëm,
me zemrën që më rreh me vrull.
Sërish ndalem,
hedh hapin përpara,
e çliruar nga kohëngrënësi im:
tik-tak,
tik-tak,
tik-tak.
TI dhe UNË
Në mua banon një TI,
në ty endet një UNË.
Kur afrohet dimri
më ngushtohet fryma
me TY në MUA.
Netëve të gjata
Veç për një UNË
Dëshirohem shumë.
Ti hesht
Ti hesht, i murosur në vetminë tënde,
se përreth njerëzia
ka kyçur portat
e depërtimit te ty.
Ti hesht në mendime të trazuara,
se mendja të rrotullohet
e rrezikon
t’ju biesh në gjunjë.
Ti hesht në boshësinë e zhurmshme
se aty nuk ka vend për ty.
Ti hesht
e tenton të shuhesh
në të qenurit njeri.

Për librin:

Nga Sami Hajra:
Kur flasim ose shkruajmë për poezinë, na duhet “gjendje”. Gjendje emocionale që kërkon shije e dije. Kjo është njëlloj sikur të flasim për gjumin apo hapat e ecjeve tona. Pra, na duhet “gjendje” e veçantë për t’a përshkruar “probabilitetin” e ankthit, alibisë, shqetësimit, vuajtjeve apo hedonizmit që kemi kaluar. Shqetësime profesionale këto, të cilat Kanti do t’i quante si “kategori të moralit asnjëjës”.
Pasi lexova dorëshkrimin e librit “Në brigje ndryshimi” të autores Loreta Schillock, ajo që më ra në sy ishte titulli i librit dhe përzgjedhja simbolike e tridhjetë e pesë poezive. Tridhjetë e katër poezi me tema të ndryshme si: dashuria, humbja, ikja, absurdi, dhimbja, etj., dhe një poezi “kult” kushtuar gjyshit të saj.
Te poezitë “Gjurmë mendimesh të përditshmërisë”, “I burgosur në tik-tak” dhe te “Mekanika e përditshmërisë”, vërejmë temën e mitit sizifian, ku edhe pse autorja është e detyruar të bëjë të njëjtat rutina e gjëra në përditshmëri, nuk kalon në absurditet, sepse qëllim e ka misionin e “rrokullisjes së gurit” dhe misioni i saj tashmë po dëshmohet me vargun dhe poezinë e saj. Pra, edhe rutina e kotësia shpeshherë e kanë një intencë.
Te poezia “Ti dhe unë”, vërejmë temën e dashurisë.
Te poezia “Nganjëherë”, kemi temën e humbjes.
Te poezia “Ti hesht”, kemi temën e vetmisë.
Te poezia “Ende pas gjurmëve të tua”, kemi temën e ikjes.
Te poezia “Jehona”, vërejmë elemente të temës së absurdit.
Ndërsa te poezia “Historia Edirne e gjyshit tim”, kemi temën e dhimbjes.
Poezinë kushtuar një “Odiseu” që nuk u rikthye kurrë në Itakën e tij, po të isha redaktor libri do të sugjeroja që të ngelej e fundit në libër. Të ngelej e fundit, si një dritare e hapur për librat e radhës, siç e kemi simbolikën e dritares te romani “Procesi” i Franc Kafkës, ku e gjithë filozofia e romanit ngelet te ajo dritare në fund të romanit.
Jo rastësisht, simbolika e numrit 35 lidhet me pjekurinë dhe ndryshimin e ekuilibrit ekzistencial. Pra, një ndërlidhje ndërmjet kreativitetit dhe stabilitetit emocional. Siç e kemi te “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit, ku udhëtimi shpirtëror dhe “krijimi i ferrit” filluan mbas moshës tridhjetë e pesë vjeçare. Pra, shihet si një pikë kthese ku njeriu ka përfituar përvojë (3) dhe stabilitet (5), duke e lënë të hapur rrugën për ndryshim. Kështu që, numri tre në këtë rast na simbolizon krijimin apo krijimtarinë, ndërsa numri pesë na e simbolizon lirinë, aventurën dhe ndryshimet në ekzistencën e poetes. Kjo, mund të interpretohet ndryshe edhe si një thirrje për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, duke u fundamentuar në pjekurinë e fituar personale e intelektuale.
Autorja Loreta Schillock, me këtë përmbledhje poezishë po e dëshmon se është duke krijuar tashmë profilin e saj unik në poezi. Me këto poezi e paska lëkundur shtratin e “trendit” të poezisë shqipe ku të gjithë janë bërë gegë. Kjo frymë poezie dëshmon se “poezia e mirë” mund të shkruhet edhe në gjuhën e unisuar. Pra, jo vetëm, kjo është një formë tjetër e modalitetit të poezisë. Poezi e cila bashkëjeton nën filozofinë dialektike të esencës së saj si qenie kreative-poetike, pa u justifikuar e fshehur nën shprehjet e fjalëve e të abstraksioneve metafizike. Pra, gjuha poetike e metaforike na japin një frymë optimiste, ku vargu bëhet i ndier, pa qenë si gjuhë e detyrimit ngadhnjyes. Poetja shkruan siç i flet shpirti esencial, pa e vrarë mendjen për sforcim fjalësh të gjetura e të kërkuara me shkas dhe përmes këtyre poezive përpiqet t’a shëroj plagën e ekzistencës.
Ritmi dinamik i jetës dhe furtunat rutinë të ndodhive janë tension i ekzistencës së çdo njeriu, andaj strehimin e gjen te vargu, si një instrument metafizik ku tejkalon kotësinë ekzistenciale. Vetëshërohet, duke mbuluar rutinat e jetës me mbulesën e vargut poetik.
Ky libër, na dëshmon se Loreta Schillock është ndër poetet më pragmatike në letërsinë shqipe, ku përmes vargut të lirë (siç i flet shpirti) e injoron dhe shpërfill “sundimin” e enigmave, paqartësive konfuzive dhe mjegullnajave të errëta. Ky libër dhe këto poezi na shpalosin “vetvetën” e autores dhe manifestojnë ndijimin. Ndijimin që si indikator e ka gjendjen esenciale të subjektit autorial.
Për autoren:
LORETA SCHILLOCK ka lindur në Berat. Ka studiuar Anglistikë, Linguistikë dhe Gjermanistikë në Chikago, Heidelberg, Stuttgart dhe Tübingen.
Është përkthyese letrare, shkrimtare, studiuese e gjuhës dhe letërsisë gjermane.
Ka përkthyer në shqip, ndër te tjera, vepra nga Heinrich Heine, Franz Kafka dhe Arthur Schnitzler; në gjermanisht autorë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Mimoza Ahmeti, Rita Petro, Mimoza Hysa, Loreta Vaso, Besim Rexhaj, Kaltrina Pacolli, Gaqo Apostoli etj.
Për përkthimet është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Schillock është autore e vëllimeve poetike Sshtegtim vargjesh“ dhe atij shqip-gjermanisht „Am Ufer des Wandels – Në brigje ndryshimi“
Në vitin 2025 themeloi Shtëpinë Botuese Loreta Schillock Verlag, në Stuttgart.
Aktualisht ligjëron në Universitetin e Shtutgartit dhe është këshilluese pranë Ministrisë së Arsimit për Gjermanishten si gjuhë të dytë.
ObserverKult






