reklamë

Violeta Allmuça: Një parathënie për romanin “Karrigia e dashurisë“

Nga: Violeta Allmuça

Pas disa romaneve të suksesshme autori Fehmi Pireva vjen me romanin më të ri të tij “Karrigia e Dashurisë”. Tematika e kësaj vepre letrare është një kthim në kujtesën njerëzore. Çfarë është njeriu para vetes, para dashurisë, para lirisë, para atdheut? Ngjarja zhvillohet nga fillimi deri në fund në karrigen e dashurisë, një lidhje dialektike, në stinët e vjeshtës, udhëkryqe dhe dimra të ftohtë. Ah sikur të kishim lindur në kohë lirie shkruan rrëfimtari?!

Romani shfaqet si një pasqyrë me fytyrën e vërtetë të dashurisë. Kthimi në të kaluarën shkon drejt së tashmes dhe të nesërmes, aty ku të gjithë nuk ndjeheshin aspak të lirë prej një shekulli. Subjekti i marrë në vitet e qëndresës së popullit shqiptar në Kosovë përbën narracionin e pasur të librit, ku spikat një ngjarje e pazakonshme, kontraste dhe imazhe të kohës.

Nuk është se tema të tilla nuk janë shkruar edhe më herët. Ndryshimi qëndron se bota e dashurisë ndeshet me batica e zbatica brenda një realiteti që kushtëzohet dukshëm nga mungesa e lirisë. Lënda artistike natyrshëm vjen me zërin e autorit, në një gjuhë të thjeshtë duke e kthyer në protagonist të mendimit filozofik e shpirtëror, i cli shkruan dramën e vetvetes së tij.

Personazhet lëvizin nëpër hije e kohë të nëmura. A ishim edhe një popull i nëmur, pyet njeriu? Dy të rinj studentë brenda një hapësire takohen mes dilemës, shpresës dhe qëndresës. Dashuria e tyre pothuajse është një e vërtetë e barabartë me lirinë, dinjitetin e madhështinë e saj.

Mënyra se si ta përcaktosh jetën e përvojën individuale për të shkruar një vepër letrare aristike në realitetin, përmasën e së kaluarës në një botë që e ndiqte e keqja, është metaforikisht, hija. Çfarë do ishin personazhet kryesorë Iliri dhe Vjosa, pa të shkuarën e tyre në rrëfimin artistik të sotëm? Dashuria gjithmonë ngadhënjen kur ngadhënjen liria.

Gjatë rrëfimit estetik autori ndërlidh fitoren e jetës, me frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës. Liria, atdheu, dashuria ishin vetëm një! Kjo është një e vërtetë e pamohueshme për të gjithë ata, të cilët vetëdijen shoqërore e shpalosin edhe si vlerë artistike, që mbetet dëshmi e komunikimit letrar, me qasje bashkëkohore dhe arritje cilësore në nivelin artistik.

Synimi i historisë në romanin “Karrigia e Dashurisë” natyrshëm parashtron e na shtjellon ngjarjen e romanit gjatë gjithë strukturës gjuhësore, përmbajtjes, perceptimit në botën e brendshme të autorit dhe forcën shprehëse artistike.

Do të jetë vetë lexuesi i cili do të vlerësojë rrëfimin e romanit të ri të këtij shkrimtari tashmë të mirënjohur në letërsinë shqipe.

ObserverKult


Lexo edhe:

“Adem Demaçit”, poezi nga Fehmi Pireva