
Vëllimi poetik “Eternale” i Rrahman Paçarizit, (Shtëpia botuese AAB, 2025) është një përmbledhje që lexuesit i prezantohet si një tjetër sprovë letrare e autorit, të njohur më tepër për kontributet e tij në studimet linguistike e albanologjike. Por, me të hyrë në botën poetike të “Eternales” kupton që kjo përmbledhje është një gjakim ontologjik, që nis me kërkimin e ethshëm të vargut absolut dhe përfundon me heshtjen e dritave të fikura të një oborri të zbrazët. Përmes pesë cikleve kryesore të këtij vëllimi poetik, uni lirik ka mëtuar të ngrejë një urë komunikimi, bukur sfiduese, mes të përkohshmes sonë, shpeshherë absurde dhe së përhershmes (eternales) ideale.

Nga Elsa Skënderi
Po si mundemi ne, me perceptim e njohje të kufizuara në kohë e në hapësirë të mbërrijmë te koncepti i eternales. Një shqetësim të këtillë e kanë pasur filozofët që nga antikiteti; prej këtij shqetësimi nuk kanë shpëtuar as artistët e shkrimtarët. Çfarë është eternale te qenia njerëzore, përpos konstruktit ideal, që ajo mëton ta rrokë si idealitet, por pa e pasur asnjëherë realitet? Filozofia do të thoshte se eternale është vetëm pikëpamja metafizike për natyrën e kohës. Racionalistët si eternale konsiderojnë universalet – idenë (Platoni), substancën (Aristoteli), Zotin (Shën Agustini). Përkundër këtyre, Shopenhaueri thoshte se subjektiviteti ynë, në thelb, është eternal.
Në rrafshin letrar, ngjan se pikërisht këtë subjektivitet – shquarsi të vetës së parë, shkrimtari a poeti, priret ta lëvrojë artistikisht, ndërsa i përgjigjet thirrjes së muzës së vet. Si pjesë e së njëjtës paradigmë krijimi, pikërisht kësaj thirrjeje ndaj eternales si shenjë subjektiviteti i është përgjigjur edhe subjekti lirik i Paçarizit.
Dialektika e Dashurisë dhe e amshimit
Në poezinë “Kërkimi”, që çel vëllimin poetik Eternale, poeti shpall procédé-un e tij artistik – kërkimin e vargut si kuintesencë e ekzistencës dhe gjakim, sa për të bukurën, aq edhe për kuptimin.
p’e lypi nji varg, si Helena t’bukur
… nji varg t’pastrehë botën përmbys
q’e kthen nj’atë varg p’e lypi
Në ciklin e parë poetik të vëllimit eternalen e mishëron figura e nënës. Paçarizi ndërton një vazhdë mahnitëse: fjalët e poetit nuk i përkasin më atij, por shndërrohen në jehonë të zërit të saj, tashmë nga amshimi. Këtu, përjetësia zhvishet nga petku i një koncepti abstrakt filozofik dhe merr trajtën e një “rime të pasosur” me qenien që i dha jetë.
Në këtë vazhdë, dhimbja e mungesës transformohet në një dialog metagjuhësor, ku “ndërrimi i fjalëve” mes nënës në amshim dhe djalit në këtë botë bëhet nyjë lidhëse e gjithë vëllimit. Është pikërisht vargu, ai që shërben si filli i Ariadnës, që të çon drejt eternales së dashurisë amësore, duke e mbajtur poetin të lidhur përjetësisht me nënën përmes një gjuhe që e tejkalon vdekjen:
“…e krejt fjalët më rimojnë me të sajat
përvjet / si sivjet / shtatë vjet / tu pritë ulun me t’pa / n’gur t’vorrit / nër hije therrash / trupi t’u ka mpi / m’i ke ndërru fjalët, nanë!”
Liria si poliklinikë dhe ironi sociale
Pavarësisht prirjeve formale për ta lexuar poezinë thjesht si entitet tekstual, të shkëputur nga biografia e autorit, sërish jehona e ngjarjeve të kohës dhe e botëkuptimit kulturor e individual të poetit ndihet fuqishëm në poezitë e vëllimit “Eternale”, duke sugjeruar kuptime e shtresëzime të tjera shtesë për lexuesin. Ato të grishin për lexime të tjera të cilat nuk e varfërojnë përvojën estetike, por e pasurojnë përvojën kuptimndërtuese.
Në ciklin poetik “N’kandin e rrëfimeve për lirinë” poezitë vijnë në trajta përsiatjesh për shenjat dalluese të së shkuarës dhe për lirinë. Gjakimi poetik këtu vjen e bëhet thirrje për shenjat identitare, mes të cilave kryeson kryezoti – Gjergj Kastrioti dhe shfaqet edhe poeti kombëtar – Ali Podrimja (në një poezi ad honorem).
Ajo që të bën përshtypje është se Paçarizi e zhvesh lirinë nga zhguni i lavdisë epike, për ta vendosur në shtratin e një “poliklinike” – si në shtratin e Prokustit. Poezia Ofertë shërbimesh në poliklinikën ‘Liria’ qorton apatinë kolektive. Diagnozat, si “gjunjët e përgjakun nga nënshtrimi” apo “terri i pulave”, na e rikujtojnë edhe një herë se liria nuk është thjesht një akt juridik apo historik, por një gjendje shpirtërore, që kërkon guxim për t’u përjetuar si realitet jetësor.
OFERTË SHËRBIMESH NË POLIKLINIKËN “LIRIA”
Shërojmë: Gjunjët e përgjakun nga nënshtrimi
Skoliozën e spondilozën, nga përkulja
Muskujt e tendosun të syve nga shikimi veç teposhtë
Paaftësinë për ta përshtatur shikimin në dritë
Terrin e pulave, nga pamundësia e shijimit të diellit
Ecjen nëpër rrugë anësore
Shmangien e shesheve nga frika e akumuluar
Mosbesimin te njeriu, nga tradhtia
Këndi i rrëfimeve për lirinë shkon e mbyllet me poezinë “Leksion mbi labirinthin e gjuhës” një poezi antinomish, të të qenit e të të bërit, që i çel shteg një tjetër cikli poetik, të titulluar, “Loja e gjuhës”.
Loja si substancë
Në këtë cikël, por edhe në gjithë vëllimin poetik, vetëdija e Rrahman Paçarizit për gjuhën nuk është thjesht vetëdija poetike, por vetëdije metalinguistike, e gjuhëtarit që i di figurat e shprehjes, e ndjen peshën e frymëzimit, e di natyralitetin e tingullimitimeve dhe e grish gjuhën t’i përgjigjet lojës artistike.
Kulmi estetik i vëllimit arrihet te cikli “Loja e gjuhës”. Këtu, Rr. Paçarizi, gjuhëtari dhe Rr. Paçarizi, poeti shkrihen në një. Poezia “In medias res” (drejt e në thelb të çështjes, te kryesorja) është një himn i onomatopeve e pasthirrmave, një kthim te zhurmat parake të botës, që paqtohen me thirrjen “Hosana!” – një dritë shprese e triumfi pas rropamës kakofonike të ekzistencës.
gjaaa gjaaa hiiiijaa auuuuu vramm grrrr vrramm mërrr e gërrr fiuuuu ahhhhh brruum brruumm ama fēsh-fësh uuuu uuluu aandej- këtandej hosana
Gjuhëtari Roman Jakobson, do të thoshte dikur se ishte gjuhëtar, andaj për të asgjë e gjuhës nuk është e huaj (Linguista sum: nihil linguisticum mihi alienum est). Kësisoj, as materia e poezisë nuk ka pse të jetë e huaj për gjuhëtarin, veçanërisht kur ky i fundit e ka talentin për ta lëvruar artin fin të poezisë. Një projeksion të filozofisë së gjuhës në vëllimin “Eternale” të Paçarizit e hasim edhe te poezia “Iliricum”. Procedimi artistik këtu na nëpërmend mëtimin kratilian të antikitetit për të mbërritur te thelbi origjinar i fjalës përmes zbërthimit të simbolizmit vokalik të fjalës. Fjala e zgjedhur është Ilir – njëherazi thelb identitar.
i ill i bukur, o illi bukur,
sa bukuri, sa bukur rri
Nga motivet e onomatopesë, Paçarrizi shkon e poetizon më tej konversionin, që në poezi transfigurohet si konversion kapërthimi dashuror. Më tej, me një tis ironie të hollë , ai poetizon kundërvënien funksiondalluese të fonemave të shqipes /ç/- /q/
Ç’Q
mos qofsha në shpirtin tand
mos çofsha aq rãnd’
Ndonjëherë, loja e gjuhës në poezi iu ngjan kalambureve, ku kërkohen jo vetëm rimat e jashtme, por edhe të brendshmet, sepse siç e thotë në titullin e një poezie:
PËRPJEKJA ME DALË PREJ LOJE – ZHYTJA E MBYTJA NË LOJË
ma mirë me qenë a pa qenë
ma mirë me qen a pa qen
me qenë a mos me qenë
me qenë qen a mos me qenë qen
si me pasë qenë
si me pasë qen
jetë e (të) qenit
Kështu zhytja e mbytja në lojë shenjon, në të vërtet, përpjekjen për të gjetur kuptimin në një botë, ku gjuha shpesh na tradhton, sepse e ka tradhtuar thelbin e saj origjinar të dikurshëm, ku lidhja mes fjalëve dhe sendeve ishte e motivuar dhe e natyrshme. Subjekti poetik na thotë se jeta është një zhytje e mbytje në lojë, nga e cila nuk mund të dalësh pa u lagur gjer në palcë nga kuptimet e dyfishta. Kjo poezi si-fjalëshpejtë shfrytëzon paskajoren e gegnishtes për dyzimin midis “të qenit” dhe “qenit”, që më tej mund të lexohet edhe si kundërvënie midis njeriut dhe kafshës dhe luhatjes mes njërës gjendje dhe tjetrës.
Meditimet dhe fundi i lojës: Melankolia e digjitalizuar
Vëllimi “Eternale” mbyllet si nën një tis të fortë melankolie, përmes ciklit “Meditimet”, që përmban poezi ku estetizohet bjerrja shpirtërore, morale, kallpja sipërfaqësore, në frymën e estetikës së Bodlerit te “Lulet e së keqes”. Nga erotika donzhuaneske dhe frika prej “ngulfatjes” nga dashuria, poeti gjakon në këtë cikël poetik të përvijojë me vetëdije, edhe kufijtë e së vërtetës në dashuri; pasi tashmë ka marrë përsipër edhe rolin e njeriut të pjekur, të mendimtarit, që atribut ka përsiatjen meditative.
më than ky shi, më lan e than
varg i saj me vete më merr
dhe ankthshëm vetes gjumin ia nxjerr
herë Don Kishot
herë Don Zhuan/
A ËSHTË KJO DASHURI
s’ke lanë emër pa vra
rapashtesë pa zhdukë
tash veç n’emër t’thërras
OVERDOSE
boll më deshët
duajeni edhe veten pak
dashnia juaj po më ngulfat
boll më deshët
m’keni lanë cullak
Nga ngulfatja prej dashurisë, poeti na dërgon te imazhi tronditës i poezisë “Fundi i lojës”. Kamera që vëzhgon oborrin nga largësia e mërgimit është metafora e përsosur e shekullit XXI. “Eternalja” këtu merr një kuptim të hidhur: është përjetësia e zbrazëtisë, ku barin e zbehtë nuk e shkel më askush dhe ku dritat fiken sepse:
s’ka kush as çka vjedh ma”.
Vëllimi “Eternale” mbyllet aty ku gjuha, trupi dhe toka bëhen një. Në poezinë që mban titullin e librit, Rrahman Paçarizi na ofron aktin final të rravgimit njerëzor: një shkrirje agresive dhe sublime midis Erosit dhe Thanatosit. Këtu, përjetësia nuk është më një premtim i largët metafizik, por një akt fizik “zhytjeje” në tjetrin:
“kam me t’ardhë nji ditë me shi e me u zhytë n’ty
n’përjetësi
me ta prishë qetësinë e njish me u ba me ty
n’gji me t’hy me zor e ngadalë në ty me u shkri”
Përjetësia e gjakuar nga poeti mbërrihet vetëm atëherë, kur qeniet pushojnë së qeni individë dhe shndërrohen në peizazh natyror, aty ku “lula e therra me mbi përmbi”. Kjo “eternale” është zotërim dhe dorëzim absolut, një xhelozi që ushqehet me veten deri në asgjësim, duke na lënë në fund me britmën metafizike: “aiiiiiii deeeeejjjj n’përjetësi”.
Me vëllimin poetik “Eternale”, Rrahman Paçarrizi dëshmon se poezia është, me gjasë, e vetmja “lojë” ku humbja dhe fitorja janë njëlloj të mundimshme, teksa gjuha mbetet e vetmja strehë e qenies (siç do të shprehej edhe Heidegger-i), që na mbron nga harresa. Andaj, “Eternale” nuk është thjesht një titull; është një ftesë për t’u unjisuar me të bukurën dhe poetiken, përmes një “vargu të pastrehë, që botën përmbys e kthen”.
ObserverKult
Lexo edhe:






