reklamë

David Damrosch: Ag Apolloni ka kapërcyer kufijtë e të menduarit lokal dhe rajonal, duke u shndërruar në një autor me potencial dhe rëndësi botërore

Nga Freskim Nallbani

Një nga momentet më mbresëlënëse të mbrëmjes në Konsullatën e Kosovës në Nju-Jork ishte dialogu ndërmjet Profesorit David Damrosch dhe shkrimtarit Ag Apolloni.

Për ata që nuk e dinë se kush është David Damrosch:

David Damrosch është një historian letrar, autor dhe studiues i shquar amerikan i letërsisë krahasuese dhe botërore. Ai është Profesor i Letërsisë Krahasuese dhe Kryetar i Departamentit të Letërsisë në Harvard University, si dhe themelues i Institute for World Literature.

Pasi Prof. David Damrosch e pyeti Agun se si e sheh veten, Agu dha një përgjigje që u prit me admirim nga të pranishmit. Me një modesti të rrallë, ai e përshkroi veten si një shkrimtar që e ka nisur rrugëtimin nga Kaçaniku, duke dëshmuar se origjina nuk e kufizon horizontin e një krijuesi.

Pas kësaj, pata nderin t’i drejtohem Profesorit Damrosch me pyetjen: “Tani që Agu na tregoi se si e sheh veten, si e shihni ju Ag Apollonin?”
Përgjigjja e tij ishte e jashtëzakonshme. Ai e përshkroi Ag Apollonin si një shkrimtar që e ka tejkaluar Kosovën, Ballkanin dhe madje edhe Evropën në kuptimin intelektual e letrar.

Sipas tij, Agu ka kapërcyer kufijtë e të menduarit lokal dhe rajonal, duke u shndërruar në një autor me potencial dhe rëndësi botërore. Ai theksoi se letërsia e Agut komunikon me lexuesin universal, pa humbur rrënjët dhe identitetin e saj.

Profesor Damrosch shtoi se rrugëtimi i Agut deri në Harvard është dëshmi e këtij potenciali dhe se dyert e Harvardit do të jenë gjithmonë të hapura për të, sa herë që ai ta ndiejë të nevojshme ose ta dëshirojë një bashkëpunim akademik e letrar.

Ai vuri në dukje se, edhe pse tashmë është pjesë e qarqeve më prestigjioze të letërsisë botërore, Agu vazhdon të merret me çështjet e Kosovës me një përkushtim të sinqertë, me atë që populli ynë e quan “zemër e plasur”. Pasi ka njohur nga afër sistemet më të përparuara arsimore dhe akademike në botë, ai dëshiron që të njëjtin vizion të zhvillimit ta shohë edhe në Kosovë.

Në fund, mbeta me një mendim që e përmbledh bukur gjithë këtë rrugëtim: Ag Apolloni është Ag.
Ai e nisi udhën në Kaçanik, por rrugëtimi i tij nuk njeh kufij. Nëse vazhdon me të njëjtën përkushtim, vendi i tij do të jetë në historinë e letërsisë botërore, aty ku shkruhen emrat e autorëve që lënë gjurmë për breza.

ObserverKult


Lexo edhe:


Ag Apolloni: Fjalim për njeriun e fjalës